5 muaj më parë

Plagë të thella sa deti – Programi i filmave mbi Palestinën

Rrëfime mbi Palestinën: Zhvendosje. Përçundim. Shpresë.

Çfarë do të shohim këtë vit?

Përpos shumë programeve të tjera të filmave dedikuar forcës së çmendur të animacionit, do të ndjekim edhe një program mbi Palestinën, mbi realitetet e veta që na udhëheqin përmes pikëpamjeve të fëmijëve, nënave dhe kujtimeve që e rindërtojnë atë jetë të trashëguar prej dekadash të tëra.. Përgjatë dy viteve, prej tetorit të vitit 2023, e para kësaj prej zhvendosjeve të dhunshme e masive të vitit 1948, historitë mbi Palestinën i përkasin një areali të madh të të arkivuarit kulturën, trashëgimin dhe ndjeshmëritë e të jetuarit në një tokë ku vendasve u ndalohet të jetojnë. Prej së largu, prej qelive, kampeve, prej detit e tokës: gjejmë jetën që imagjinojmë të mos e jetojmë, por të jetuar deri në palcë. 

Rrëfime mbi Palestinën: Zhvendosje. Përçundim. Shpresë. Programi mbi filmat për Palestinën sjell një mori të të punëve që shpërfaqin historinë e njohshme dhe atë vetjakë të një vendi që ekziston si në një vagon shëtitës në kujtesën e trashëguar, ndër vite. 

Në gjendjen në të cilën njihemi përditë me shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut në Palestinë rruga drejt gjetjes së informacionit të besueshëm është i dyzuar, pasi raportimet e propaganda e kanë mbytur zërin e së vërtetës, por filmat janë një formë përmes së cilës përshkohet kujtesa, mallëngjimi, e shkuara duke i bërë rrugë të kuptuarit historinë në të tashmen. Por kjo nuk është më çështje e të qenurit në krahun e drejtë të historisë, por e mënyrës se si ne si qenie njerezore mbajmë qëndrime. Qëndrime këto që na ftojnë në të kuptuarit  se këto realitete katastrofike që ndodhin para syve të të gjithëve, që varen nga forca më të ndërlikuara sesa thjesht vullnete të  njerezve, gjendet një hapësirë e pamatë për të mësuar mbi se çfarë një popull i terë po humb, e çfarë artistët e këtij vendi do të ishin në gjendje të prodhonin në mungesë të këtyre shtrëngesave. 

Në Ballkan raste të tilla nuk janë referenciale, porse të jetuara. Ndaj para se të drejtoheni në kinema mendoni për fotografitë që paraardhësit tuaj nuk munden dot t’i shkrepnin, për marrëdheniet njerezore që nuk mundën të kishin frytshmëri, për sendet e punuara me dorë që mund të qëndronin si trashëgimi në shtëpitë tuaja, për shakatë e thëna që humbin në mjegullën e kohës që pulitet menjëherë. 

Prej rrëfimeve personale, te perspektiva kolektive, të të parit e historisë si amalgamë të gjithë çfarë mbahet mend, ky program e paraqet një tharm të se cila është eksperienca njerëzore, e kujtuar, e jetuar, e përsëritur në kujtesë dhe se si mbartet me të vetmen ide se do t’i përkasë së ardhmes. Filmi Zoo, e sjell një perspektivë të turizmit të balsamosur si një rrefënje groteske e se çka mund të ruhet prej së ardhmes e fshin dhe botën natyrale të kafshëve, e te Mariam e gjejmë një rrëfim intim dhe shpirtëror që nxitet nga sende natyrore e objekte që e mbështjellin eksperiencën njerëzore në tokë, e bën dikë të përkasë diku. Në vijim gjeni një rrugëtim të shkurtër përmes filmave të kësaj kategorie. 

Programin si më poshtë mund ta shihni më 18 korrik prej orës 21:00 në Kino Carshia dhe më 19 korrik prej orës 16:00 në Kinema Jusuf Gërvalla.

Tariq Rimawi me Zoo (2022) na çon në një mjedis të shkretuar, ku çdo shenjë e jetës shoqërore i ngjan një hijeje katastrofike e ankthioze teksa ndjekim një djalosh që endet nëpër rrugët e zbrazura të Gazës frymëzuar nga historia e kopshtit zoologjik më të tmerrshëm në botë. Me vijëzime të mprehta në bardhë e zi, ndalemi në planet kërcënuese prej së larti teksa ndërlidhen me butësinë e trishtë të personazheve në planet më pranë syrit.I gjithë rrugëtimi lojcak e ka një përfundim të trishtë e absurd, duke vënë në gracka të një përgjegjësie shumë të madhe një qenie që sa e njeh këtë botë në këmbim të shërimit të një jete që me shumë gjasa e gjen fundin njejtë si kafshët e balsamosura në kopshtin zoologjik. Paçka se narrativa është e thjeshtë, drejtëvizore, ajo çka nuk paraqitet, eshte ajo çka lexohet. Rimawi e hedh një gur në ujë e ne mbetemi të shohim si formohen rrathët në sipërfaqe. 

Grandmother wore us out (2024) me regji te Haneen Koraz, Shorouq Nahed dhe Nour Abd Jawad është i punuar nga të rinjtë në kampin e Deir al-Balah, të cilët kanë marrë pjesë në një punëtori të filmit të animuar e na sjellin këtë rrugëtim: të një  familjeje te vendosur ne nje klasat e UNRWA të kthyer në  një banesë. Secili anëtar i familjes ka për detyrë të mbledhë ujë mjaftueshëm për të mbushur depozitën. Permes personazheve karizmatike dhe  lojës mes mimikave të fytyrës, e qeshura përmes ngjarjeve rutinore e sjell atë moment të normalitetit përmes së cilës ngatërresat e së përditshmes kthehen në forma të rezistencës: se si normalja mbivendoset mbi atë çka është një realitet në të cilin qeniet njerëzore zëvendësojnë mbijetesën me përshtatje. 

Night (2021) me regji te Ahmad Saleh: Çka mund të paramendojmë për një nënë që kërkon fëmijën e saj mes rrënojave? I gjithë ky pështjellim ngjan si një kumt i rëndë që nuk gjen paqe. Në tradita të ndryshme folklorike prej Meksikës e deri në Indi i gjejmë në figura si La Llorona, Demetra e Persefona apo edhe në vajtimet shqiptare si ajo e Ajkunës për Omerin. Personazhi “Night” e udhëheq në mënyrë misterioze nënën drejtohet prej shpresës e këngës, atë që synon të jetë e vërtetë,por edhe drejt një gjumi, po aq të nevojshëm.. Rrugëtimi është magjik, përmes punës së detajuar të animimit të karaktereve që i përngjajnë lustrës së lëkurës së njeriut: duke e sublimuar efektin e gjallnisë. Ninulla bëhet rrugë për nënën, ndërsa ajo vijë melodike i këndon fatin që rreket të kërkojë. 

Uncle, Give me a Cigarette (2023) me regji te Al Masna dhe Basel Naser na çon në realitetin e izoluar të të burgosurve, por kësaj radhe duke marrë frymëzim prej jetëa së shkrimtarit dhe mendimtarit palestinez Walid Daqqa. Daqqa mbeti i burgosur për 40 vite, derisa dhe vdiq ndërkohë që punoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij intelektuale në izolim. Ai pat parashtruar në shkrimet e tij teknikat e terrorit dhe të dhunës, që sa vinin e më shumë kontrolloheshin jo më nga njerës, por nga sisteme operative të cilat fshihen mes kamerave, elektronikës dhe operacioneve të cilat shenjestrojnë individin të jetojë edhe në skamje mendore. Marrë shkas nga ky incipit, në film të vetmin kontakt njerëzor të cilin e shohim është përmes të burgosurve, pasi armiku dhe izoluesi mbetet i gjithëpushtetshëm, por pa një fytyrë. 

Memory of the Land (2017) me regji te Samira Badran, përbën paraqitjen filmike më eksperimentale në program përsa i përket mënyrës së përcjelljes së kumtit duke shumështresuar eksperiencat kolektive dhe vetjake në një gjysmëtrup që endet e sillet në qeli. Duke parë dy këmbë që sillen në një mjedis të izoluar, ku zhurmat metalike të hekurave të qelisë kthehen në motorë të torturës, gjysmë-trupi ndryshon përbërje, në atë që mendja sjell në vete mes fakteve, kujtimeve dhe përjetimeve. Trupi si medium ku ushtrohet dhuna, depoziton dhe tjetërson atë material të depozituar të përjetimeve që tanimë kthehen në mjet rezistence. E gjithë lëkura kthehet në almanak të historisë. Memoria mbisaturohet me përjetime që kthehen në momente historie, ku trupi rimëson se si duhet të lëvizë e ta njohë një jetë krejt të re të dirigjuar nga forca që ushtrojnë terror në anonimat.

Limitless (2025) me regji te Amal Al Nakhala e sjell një qasje kapilare të jetës në Gaza, duke kombinuar vizatimet dhe skicat në lëvizje të dyzuara e të ndërprera të një jete që shpresohet, ëndërrohet, por që nuk kthehet në realitet. Poetika e imazhit në këtë film e prek sfilitijen e se çfarë mund të ishte e mundshme, por jo e prekshme. 

Mariam (2020) me regji të Dana Burr e gjen trashëgiminë dhe endjen si një formë të të qetësuarit e vetes dhe përkatësisë së personazhit në botë sikur kthehet në pemë, në kokërr ulliri, në cohë të pambuktë, në endje me fill të kuq, në një një grua të mbështjellë në flokët e saj mes gjithë gjelbërimit gati të enderrt, por pas kryes vërehet malli dhe nevoja për ta jetuar këtë ndjesi si të tashme që nuk di të ikë. 

Këtë lexim të programit e përmbyll me filmin The Tower (2019) me regji të Mats Grorud, që shënon të vetmin film me metrazh të gjatë në këtë kategori. Mes Wardit që na e udhëheq rrëfimin e gjejmë historinë e Palestinës në tri gjenerata të ndryshme prej ngjarjeve që rrodhën nga viti 1948. Historia e okupimit të Palestinës, e kthyer në një burg në qiell të hapur e ndjekim ngjarjet që rrodhën pas Nakbas, ku dy e treta e popullsisë u zhvendos në vendet fqinje si Libi apo Egjipt, apo mandej në vende perëndimore si Amerikë apo Kanada. Përpos kolapsit njerëzor dhe gjithë strukturave shoqërore gjendemi përballë një familjeje të vendosur në një kamp pranë Libisë, ku shprehimisht kullat e vrojtimit, duket se rriten nga gjenerata në gjeneratë dhe terrori vjen nga lart, nga helikopterë, radarë, kamera, antena, gjithnjë më i pranishëm e shumë më shumë herë i padukshëm. Wardi endet në kamp duke pyetur anëtarë të ndryshëm të familjes së saj mbi historinë dhe mbi se çfarë po bëjnë ata për ta ndryshuar të ardhmen e tyre. Mes kllapisë dhe pamundësisë për lëvizje, por me shumë shpresë për ta ëndërruar të ardhmen në ata që e quajnë shtëpi, njihemi me: Sidin që deri në frymën e fundit e rrit jetën që mundet të rrisë, mes gjyshit të Wardit të ngrirë në heshtje, mes një kushërire që e sheh guximin tek të qendruarit pa frikë nën qiell të hapur edhe sikur bombardimet të zënë fill. Sakaq jeta familjare vijon, zënkat vëllazërore dhe këshillat e mamasë janë ato që e shtyjnë jetën e Wardit në normalitet, por ndihet dëshira për ta ndryshuar krejt të ardhmen, për të dalë nga kthetra e zaptimit, duke guxuar më zgjuarsisht. 

Wardi pavarësisht ndjeshmërive fëmijërore, shkathësisë për të kuptuar qëndresën e njerëzve të saj, njihet edhe me historinë që matet me rrebelimin e një të reje që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Te gjitha dialogjet shkrihen në ndërtesat që kanë marrë forma mentale të një shtëpie, por që nuk barabitet me atë që realisht është shtëpi për ta. 

Por përmes këtij rrëfimi e gjejmë formën e rezistencës edhe te dëshira për izolim dhe mënjanim duke rritur veç zogj, qoftë edhe duke dëgjuar me ngulm “In the morning” nga Bee Gees, qoftë duke ruajtur gurë e sende me përmallim. E gjitha kjo për t’i treguar vogëlueshes se rezistenca vjen edhe në forma më të qeta, të urta, e të forta. 

Shumëçka mund të mësohet e përtypet prej idesë se si paqja duhet të vijë, se si rezistenca duket. Historia dhe tradita, nuk mbetet kujtesë apo metaforë, për vraga të asaj që ndihen e jetohen. Ndërsa gjithçka ndodh mbi tokë i përngjan asaj që gjithë jetës librat e historisë na kanë treguar se nuk duhet të ndodhë më.

Autore: Blerina Kanxha

Related