11 muaj më parë

Njerëzit në Kinema: Fatmir Spahiu për filmin Illyricvm

Filmi i parë në Ilirisht, vjen në Kinema "Jusuf Gërvalla"!

Gjatë kësaj jave Kinemaja Jusuf Gërvalla u mbush plot e përplot me njerëz të të gjitha moshave, për të ndjekur shfaqjen e një filmi historik të cilësuar si i pari i llojit të tij. Bëhet fjalë për filmin “Ilyricvm”, filmi i parë në gjuhën ilire i cili mund të themi me plot gojë se fitoj admirimin e publikut pejan.

Të pranishëm në sallën e Kinemasë Jusuf Gërvalla përveç skenave e atmosferës mahnitëse të filmit, ishin poashtu edhe disa anëtar të ekipit realizues. Ndër ta ishte edhe Fatmir Spahiu i cili njëherit është aktor dhe bashk-producent i filmit, dhe me të cilin kishim mundësi të realizojmë një intervistë të shkurtër lidhur me eksperiencën e tij ne kinema dhe procesin e krijimit të këtij filmi.

I veçant si filmi ashtu ishte edhe rikthimi i Fatmirit në Kinemanë e Pejës, me të cilën i kujtohet koha e rinisë. Fatmiri e kthen veten në moshën 20 vjeçare, ku si aktor i teatrit “Dodona”, pati rastin që disa herë të performoj në Pejë. Megjithatë, nuk ishte kjo çka ia shtoi nostalgjinë për skenën e Jusuf Gërvalles, por i ndjeri profesori i tij Faruk Begolli, nostalgjia e të cilit e kishte lidhur aq shumë me këtë qytet.

“Ilyricvm” për Fatmirin si dhe për produksionin e tij është një ndër filmat më të rëndësishem, duke marrë parasysh se është i pari bashkëprodhim i madh mes disa shtetesh (Kosova, Kroacia, Italia, Bosnja dhe Sllovenia), dhe si i tillë me një numër të konsiderueshëm të aktorëve shqiptar të Kosovës.

Duke qenë filmi i parë ne kinematografinë botërore në ilirisht, ai tregon studimin 10 vjeçar të linguistëve dedikuar ilirishtës, duke theksuar nga këta të fundit se “ata që flasin shqip mund ta kuptojnë ilirishten”, fakt që ai e konsideron me interes kombëtar.

Së fundmi ai shtoi se rikthimi i tij pas 20 vitesh në ambientin e Kinemasë e bëri të ndjehej krenar dhe të emocionuar, duke uruar qe ky nuk do të jetë filmi i fundit i tij në këtë skenë.

 

Shkroi: Debora Xhogoviq

Related