4 vjet më parë

“Njerëzit dhe heronjtë e kohës sonë”

Kemi pasur rastin të intervistojmë njërin nga prindërit e fëmijëve pjesëmarrës, znj. Nora Taraku

Punëtoritë virtuale po ndihmojnë fëmijët që të largojnë mendjen nga pandemia dhe mos shkuarja në shkolla

Me rastin e zhvillimit të punëtorisë në formation virtual të Animacionit në Anibar për më të vegjëlit e festivalit, më saktësisht rreth punëtorisë “Njerëzit dhe heronjtë e kohës sonë”, kemi pasur rastin të intervistojmë njërin nga prindërit e fëmijëve pjesëmarrës, znj. Nora Taraku. Anibar deshi të marrë përshtypjet për angazhimin e fëmijëve nga pikëpamja e prindërve, mbështetjen e tyre ndaj punëtorisë, efektin e saj te fëmijët, si dhe ndikimin e formatit online tek mësimnxënia e fëmijëve.

Si e vlerësoni punën që e ka bërë fëmija juaj gjatë punëtorisë?

Jam shumë e kënaqur me punën që po e bëjnë vajzat e mia në punëtorinë e edicionit të 11-të të Festivalit Anibar. Pasi që një kohë të gjatë jemi në pandemi, fëmijët kanë ndërprerë procesin e mësimit. Kështu, gjithçka ka kaluar në mënyrë virtuale dhe realizimi i këtyre punëtorive ka qenë shumë i mirëseardhur. Fëmijët janë angazhuar më shumë dhe ka ndikuar që të harrojnë gjendjen monotone që është shkaktuar. Te vajzat e mia po e vërej që në këtë kohë po kanë më shumë entuziazëm për punëtorinë dhe janë shumë të lumtura që janë pjesë e këtij edicioni.

A do t’i kishit regjistruar përsëri fëmijët tuaj në këto punëtori?

Po, patjetër. Këto punëtori po i mësojnë fëmijët më shumë rreth animacionit dhe teknikave të ndryshme. Pasiqë këto gjëra nuk mësohen në shkolla fillore, mendoj që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e kreativitetit te fëmijët, dhe besoj që iu ndihmon atyre të pëcaktohen në ndonjë fushë të caktuar se çfarë ata duan të bëhen në të ardhmen.

Si mendoni se e ka menaxhuar Anibar-i tranzicionin në platformën online, për këtë punëtori?

Besoj që edhe kjo mënyrë virtuale e punëtorisë po shkon për mrekulli. Kjo është diçka e re për ne por gjithçka është organizuar shumë mirë dhe fëmijët nuk po kanë ndonjë problem që të kyçen në platformën ZOOM dhe të ndjekin mësimet, e në anën tjetër edhe të përfundojnë obligimet dhe angazhimin që kanë për këto punëtori.

A ka ngjallur kurreshtje dhe interes për përpunim të animacionit te fëmija juaj kjo punëtori?

Fëmijët janë shumë kureshtarë. Edhe pas punëtorive dhe orarit të ligjëratave, po vazhdojnë të punojnë dhe kjo tregon që ata me kënaqësi po krijojnë animacione.

Article Image

Related