4 vjet më parë

Në kohë pandemie, ANIBAR vjen në formë virtuale

  • Edona Shala

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit “Anibar” fillon edicionin e tij të 11-të gjatë ditës së hënë me filma, prezantime, panele, punëtori dhe masterklasa. Pavarësisht që kohë pandemie, festivali u organizua në atë mënyrë që i gjithë edicioni të plasohet në mënyrë virtuale.

Ky edicion i këtij festivali, këtë vit vjen në formë më ndryshe. Si pasojë e pandemisë, Anibar këtë vit do të mbahet në formë viruale duke shfaqur programin artistik përmes platformës digjitale. Tema e këtij edicioni të festivalit është “Njerëzit”. Pra, përmes filmave artistikë, prezantimeve dhe paneleve që do të transmetohen gjatë këtyre ditëve, në fokus do të jenë puna dhe angazhimi njerëzor, të cilat u theksuan më shumë me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19.

Ceremonia e hapjes fillon me disa pamje të qytetit të Pejës, i cili është nikoqir i këtij festivali tash e 10 vite. Më pas vazhdon me pamje të njerëzve që e bënë të mundur realizimin e këtij edicioni, edhe pse në formë më ndryshe se vitet e tjera. Një traditë e festivalit që ka vazhduar edhe sivjet është ngjyrosja e murit me logon e edicionit të festivalit.

Këtë edicion vihet në fokus puna e të gjithë atyre që shërbyen dhe ende po shërbejnë në rendin e parë të detyrës si mjekët, infermierët, farmacistët, elektricistët, shitësit, bukëpjekësit etj. Synohet po ashtu të shpërfaqet e të nxitet rimendimi i asaj se çfarë na bën neve njerëz.

Programi artistik do të përmbajë filma garues, filma për të drejtat e njeriut, panelet dhe performancat publike, masterklasa, prezantime, filma të metrazhit të gjatë të animuar.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit do të mbahet nga data 17 deri më 23 gusht. Gjatë kësaj kohe do të shfaqen 139 filma të përzgjedhur, të cilët mund  t’i përcillni në platformën online.anibar.org

Related