10 muaj më parë

Lidhjet qiellore dhe dëshira për të kontrolluar dashurinë

Leximi astrologjik si formë e kontrollit kozmik, shpjeguar në Anibar 14.

Sa herë ke shfletuar horoskopin ditor qysh në mëngjes për të parë nëse dita do të shkojë mbarë? A je interesuar ndonjëherë se çfarë shenje e Zodiakut është simpatia që ke? Dhe sa herë ke thënë, ‘Jo, kjo nuk ka se si të funksionojë’, për shkak të besimit në mos-përshtatshmërinë e shenjave, në lidhje romantike. Epo, besoje ose jo, ka njerëz që organizohen krejtësisht rreth leximit të hartës së yjeve në të gjitha sferat e jetës së tyre. Dhe këtë, me një delikatesë dhe informacione të trajutara me finesë, e shpjeguan panelistët e diskutimit të katërt dhe të fundit tematik, që Anibar mbajti në kuadër të edicionit të 14 të Festivalit Ndërkombëtarë të Aanimacionit në Pejë, që kit vit për temë ka dashurinë.

Romina Ruda, Blerina Kanxha, Vesa Dragusha dhe Hana Blakçori ishin panelistët që mbushën Galerinë e Arteve në Pejë me një atmosferë sa relaksuese, ashtu edhe të sertë. Pyetjet s’patën të ndalur, dhe gocat e pasionuara pas leximit astrologjik, filluan me shpjegimet e tyre rreth kuptimit të pozicionimit të planetëve në sferat tona të jetës, dhe si ajo ndikon në mënyrën se si sillemi, identifikohemi, formësohemi, krijojmë apo komunikojmë në relacione shoqërore dhe intime.

Po të detajoja çdo informacion këtu, o prishja magjinë e kësaj ngjarje, dhe do të përfundoja në lexim shenjash dhe ky artikull nuk i kushtohet kësaj por kuptimit të Astrologjisë në jetën tonë, shoqërore dhe intime.

Fundja duhet të kuptohet se Astrologjia, është një ndër sistemet më të lashta të besimit që njerëzimi ka shfrytëzuar për të kuptuar botën dhe jetën përreth. Rrënjët e Astrologjisë gjurmohen qysh se në qytetërimet e lashta që vëzhgonin lëvizjet e diellit, hënës, planetëve dhe yjeve, duke i dhënë rëndësi pozicionit të tyre në qiell dhe me kalimin e kohës, astrologjia u bë pjesë e kulturave të këtyre popujve.

 

Vështruar nga një perspektivë tjetër, roli i Astrologjisë  si formë e vënies nën kontrrollë të jetës sonë shoqërore, ngre pyetje komplekse në lidhje me determinizmin, vullnetin e lirë dhe ndërveprimin midis forcave kozmike dhe agjenturës njerëzore. Ndërsa disa mund të argumentojnë se astrologjia ofron një rrugë të paracaktuar, duke nënkuptuar një humbje të kontrollit personal, të tjerët e shohin atë si një pasqyrë përmes së cilës ne fitojmë vetëdije dhe bëjmë zgjedhje të fuqizuara, ajo që ndoshta edhe mund të themi këtu dhe sot, është se Astrologjia shërben si një kujtesë e ndërlidhjes sonë me universin, duke inkurajuar soditjen mbi pafundësinë e ekzistencës dhe ekuilibrin delikat midis fatit dhe autonomisë që posedojmë për të formuar fatet tona. Dija mbi këto, sikurse dijet e tjera, na shërbehen veçse të tentojmë të arrijmë atë që quhet një ekuilibër harmonik midis ndikimit kozmik dhe aftësisë sonë për të formësuar shtigjet tona përmes zgjedhjeve të vetëdijshme dhe vetë-reflektimit përgjatë ekzistencës sonë. Kush e di, ndoshta jemi më afër universit se që kemi qenë ndonjëherë, dhe ndoshta universi më të vërtetë, na ofron shenjat si formë e kuptimit. Andaj, pse mos të dëgjojmë?

Leonora Aliu

Related