4 vjet më parë

Juria studentore: “Përzgjedhja e filmave fitues është bazuar te tema e festivalit”

Në çdo edicion të festivalit, juria studentore ka pasur një rol të veçantë në përzgjedhjen e filmave garues.

Në çdo edicion të festivalit, juria studentore ka pasur një rol të veçantë në përzgjedhjen e filmave garues. Këtë edicion të 11- të, i cili për herë të parë erdhi online, pesë studentët, Djellza Bullaku, Doki Qerimi, Elvira Thaqi, Qendrim Hoxhaj, Nita Xerza, nën mentorimin e Annegret Richter, kanë vlerësuar filmat e të dy kategorive.

Anëtarja e jurisë, Djellza Bullaku, ka ndarë me “Anipress” eksperiencën e saj në këtë edicion të festivalit si dhe mënyrat e vështirësitë për përcaktimin e filmave fitues.

  1. Si e komentoni eksperiencën tuaj si pjesë e jurisë së studentëve në këtë edicion? 

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, duke u nisur nga fakti që vitin e kaluar kam qenë edhe pjesë e akademisë së animacionit të ANIBAR-it. Ato ishin fillimet e mia për të ditur më shumë rreth animacionit, kështu që ka qenë një shtysë edhe më e madhe të shohësh animacione të reja të animatorëve prej gjithë botës.

  1. Ju keni vlerësuar filmat e të dy kategorive, sa e vështirë ishte përzgjedhja e tyre? 

Ka qenë shumë e vështirë duke u nisur prej faktit që secila është në stil ndryshe, njëjtë edhe me storje. Secila ka qenë e veçantë në mënyrën e vet, kështu që kjo e ka bërë ndoshta edhe më të vështirë punën e përzgjedhjes, mirëpo, për shkak të punës ekipore e kemi pasur më të lehtë për t’i reduktuar.

  1. A e keni pasur ndonjë mentor tjetër që ju ka udhëzuar për vlerësimin, apo e keni bërë përzgjedhjen vetë si grup?

 Jo, faktikisht ne jemi marrë dy javë me Annegret Richter, e cila na ka udhëhequr dhe na ka ndihmuar në përzgjedhjen e këtyre filmave, por kryesisht ka qenë preferencë personale, nuk është që ka ndikuar në pjesën se cilën ta përzgjedhim.

  1. Çfarë ishte e veçanta e filmave fitues që keni përzgjedhur ?

 Secili film ka qenë i veçantë në mënyrën e vet. Ne menduam të vijmë me një zgjidhje për t’u përshtatur edhe me temën e këtij edicioni, që është “Njerëzit”. Secili ka të bëjë me diçka më njerëzore, por edhe nga ana e stilit dhe mënyra se si janë krijuar janë shumë të veçanta.

  1. Duke qenë se për herë të parë edicioni i këtij festivali është organizuar online, çfarë mund të na thoni për festivalin në tërësi? 

 Me dëshirën time, kishte qenë më mirë nëse kishim pasur mundësi të vinim gjatë tërë javës, sepse është një eksperiencë më ndryshe kur je edhe me njerëz të tjerë dhe kur është screening  outdoor. Por, edhe kjo mënyrë ka funksionuar. Edhe pse virtualisht, ne kemi gjetur bashkëpunim dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Kështu që, ka funksionuar shumë mirë dhe gjithçka ka qenë në rregull.

Related