2 vjet më parë

Edicioni i 13-të – Një përmbledhje e të gjitha aktiviteteve që u zhvilluan gjatë ditës dë dytë

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Gjatë ditës u mbajtën tre punëtori nga Andy London – “Deluzione të Animuara”; Marcus Grysczok – “Si të Bëhesh Animator i Stop Motion” dhe Kristina Saganova – “Animacioni dhe Realiteti i Shtuar”.

Shfaqja e filmave filloi nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla me shfaqjen e garës së filmave të metrazhit të gjatë ku u shfaq filmi “Dozens of Norths”.

Po ashtu, në ora 12:00 në teatrin Istref Begolli filloi edhe shfaqja e filmave për programin e fëmijëve të moshave 4+. Ndërsa, programi i fëmijëve të moshave 9+ u mbajt me fillim nga ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Shfaqja e “Garës Ballkanike” solli për publikun një numër të filmave të prodhuar në vendet e rajonit (Slloveni, Kroaci, Serbi, Greqi), ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe premierat e “Shpija” nga Flaka Kokolli dhe “Magneti” nga Arvan Berisha, dy filma të animuar të prodhuar në Kosovë.

Dita vazhdoi me programin e veçantë: Scratch, Crackle dhe Pop: Filmat of Steven Woloshen. Gjatë këtij programi u prezantuan disa nga filmat e shkurtër të animuar të Steven Woloshen, të krijuara ndërmjet viteve 1983 dhe 2022. Ndërsa, pas përfundimit të shfaqjes së filmave Steven ishte i gatshëm t’ju përgjigjet pyetjeve nga publiku, ku ai shpalosi më shumë detaje rreth punës së tij.

Përgjatë ditëve të festivalit përveç shfaqjes së filmave e masterklasave, vizitorëve të festivalit do t’u ofrohet hapësira për të ndjekur nga afër edhe një seri panelesh me folës të shquar. Në ora 17:00 në Galerinë e Arteve në Pejë, filloi paneli i parë për këtë edicion, ku përgjatë një ore të pranishmit diskutuan mbi pavarësinë e artit në Ballkan nëpërmjet animacionit.
Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës ndërkombëtare, ku u shfaqën gjashtë filma për të pranishmit. Duke vazhduar pastaj me garën e studentëve në Kino Kubat.
Nata përfundoj me argëtim nën tingujt e muzikës nga Sahati dhe Eptani, duke përmbyllur kështu natën e dytë të “Bestytndejave” të Anibar-it.
Edicioni i 13 i festivalit me një program të larmishëm me shumë aktivitete të ndryshme do të vazhdoj çdo ditë deri më 19 korrik në qytetin e Pejës.

Related