12 orë më parë

Arco: E ardhmja është e ndritshme dhe e përballueshme

Sa larg në të ardhmen mund ta çojmë imagjinatën?

Arco, filmi fantastiko-shkencor i animuar dhe i shumëvlerësuar nga regjisori francez Ugo Bienvenu, po vjen në Anibar.

Sa larg në të ardhmen mund ta çojmë imagjinatën? A duhet çdo vizion për të nesërmen të jetë domosdoshmërisht distopik? A ka ende shpresë për njerëzimin? A mund të na mësojë historia si të ecim përpara? Dhe a guxojmë ende të ëndërrojmë për një të ardhme më të ndritshme?

Arti dhe kultura pop shpesh kanë paraprirë realitete që më vonë janë bërë pjesë e jetës sonë. Pikërisht për këtë arsye nuk duhet ta humbisni Arco, një nga filmat më mbresëlënës të animuar në programin e sivjetmë të Anibarit. I shfaqur premierë në Cannes, ky film mahnitës sjell një vizion imagjinativ dhe plot shpresë për të ardhmen.

Ngjarja zhvillohet në vitin 2932, ku njerëzit jetojnë mes reve dhe udhëtojnë nëpër kohë me kostume fluturuese të fuqizuara nga ylberi. Arco, një djalë dhjetëvjeçar, niset drejt së kaluarës së largët për të parë dinosaurët, por një aksident e dërgon në vitin 2075. Aty ai zbulon një botë krejt ndryshe: njerëzit bashkëjetojnë me robotët, ndryshimet ekstreme klimatike janë bërë pjesë e përditshmërisë, fëmijët rriten pa afeksion fizik dhe lidhjet e sinqerta njerëzore po zbehen dalëngadalë. Pikërisht aty ai takon Irisin, një vajzë dhjetëvjeçare, dhe së bashku nisin një aventurë të jashtëzakonshme që zbulon kuptimin e vërtetë të marrëdhënieve njerëzore.

Me një stil vizual mahnitës të frymëzuar nga estetika anime, Arco na fton të reflektojmë mbi atë që na bën njerëz. Filmi shqyrton thelbin e qenies sonë, mënyrën se si ndryshojmë përgjatë kohës dhe na kujton se, edhe përballë sfidave më të mëdha, e ardhmja mund të ndërtohet me shpresë, imagjinatë dhe lidhje të vërteta mes njerëzve.


16 korrik | 20:30

Kino Liqeni

Related