7 orë më parë

Anibar ju fton në prapaskena

Duke ndjekur gjurmët e “The Truman Show” dhe “The Matrix”, filmi i tretë i animuar i regjisorit spanjoll Alberto Vázquez, “Decorado”, reflekton mbi atë që fshihet pas realitetit që perceptojmë dhe nëse është e mundur t’i shpëtojmë një skene të projektuar me kaq kujdes.

Në edicionin e 17-të të Anibarit vjen një tjetër film i animuar që shqyrton gjendjen njerëzore në shoqërinë bashkëkohore. Përmes humorit të zi dhe ankthit ekzistencial, Decorado trajton mbikëqyrjen, kontrollin, konformizmin, rolin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në mekanizmat e shtypjes dhe përpjekjet e individit për t’u përshtatur me një shoqëri të sëmurë.

Ngjarja zhvillohet në një qytet të zymtë e gri, të banuar nga kafshë antropomorfe që jetojnë mes varfërisë, papunësisë dhe paranojës së përhershme. Në qendër të rrëfimit është Arnoldi, një mi në moshë të mesme që ka ndaluar së marri “pilulat e lumturisë”. Gradualisht, ai fillon të kuptojë se realiteti përreth nuk është gjë tjetër veçse një skenografi e ndërtuar me kujdes nga korporata gjithëpranishme Alma. I bindur se duhet të ekzistojë një realitet tjetër, Arnoldi drejton shikimin nga pylli përtej qytetit, një vend që përflitet si rruga e vetme drejt lirisë, por nga i cili askush nuk kthehet. I shtyrë nga shpresa se ekziston një jetë përtej distopisë që njeh, ai nis një udhëtim drejt së panjohurës.

Ejani në Anibar dhe hyni në botën e çuditshme të Decorado dhe takohuni me Arnold-in në prapaskenë!

15 korrik, 2026 | 16:00

Kinemaja Jusuf Gërvalla

Ky aktivitet është krijuar dhe mbajtur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Anibar dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian

Related