Shikimi femëror në animacion: Trupi, solidariteti dhe çlirimi
Në Kinemanë Jusuf Gërvalla, ekspertja franceze e animacionit, Cécile Noesser, mbajti një prezantim mbi shikimin femëror (female gaze) në filmin e shkurtër të animuar.
Ligjërata trajtoi mënyrën se si animacioni, veçanërisht filmi i shkurtër, është shndërruar në një hapësirë të përshtatshme për zhvillimin e shikimit femëror, duke krijuar një estetikë të re të dëshirës, një raport intim me trupin e gruas dhe një ndjenjë solidariteti mes përvojave femërore.
Noesser e nisi prezantimin duke ndarë rrugëtimin e saj personal drejt zbulimit të animacionit. Ajo tregoi se një nga filmat e parë që e kishte prekur thellë i kishte bërë të kuptonte kufizimet e perspektivës mashkullore në mënyrën se si paraqiten gratë në ekran.
“Një nga emocionet e mia të para të forta erdhi nga një film i shkurtër që portretizonte një grua. Më kujtohet se u ndjeva e zemëruar,” u shpreh ajo.
Kjo përvojë e shtyu të thellonte kërkimet mbi mundësitë që ofron animacioni si medium për të treguar histori ndryshe.
Më pas, ajo prezantoi konceptin e female gaze përmes librit Le Regard féminin: une révolution à l’écran të Iris Brey dhe studimit të njohur Visual Pleasure and Narrative Cinema (1975) të Laura Mulvey. Ajo shpjegoi se çfarë nënkupton male gaze – qasja dominuese në kinematografi që i paraqet gratë dhe trupin e tyre si objekte dëshire apo fetishizimi – ndërsa shikimi femëror vendos në qendër përvojat, këndvështrimet dhe subjektivitetin e grave.
Noesser theksoi se shikimi femëror, ose siç preferon ta quajë ajo, shikimi feminist, nuk përcaktohet nga gjinia e regjisorit, por nga zgjedhjet artistike dhe kinematografike që ai ose ajo bën. Sipas saj, kjo është një qasje kritike dhe e ndjeshme që sfidon mënyrën tradicionale të përfaqësimit të grave në kinema dhe në shoqëri. Edhe pse termi është bërë më i njohur vitet e fundit, sidomos pas lëvizjes #MeToo, kjo mënyrë të menduari ka ekzistuar që në fillimet e historisë së kinemasë, veçanërisht në filmin e shkurtër.
Ajo shpjegoi gjithashtu pse animacioni, e sidomos filmi i shkurtër i animuar, krijon terren të favorshëm për këtë qasje. Sipas saj, filmat e shkurtër gëzojnë më shumë liri artistike dhe janë më pak të kufizuar nga kërkesat komerciale. Shpesh realizohen nga ekipe të vogla ose edhe nga autorë të vetëm, gjë që e bën procesin krijues më intim. Për më tepër, vetë natyra e animacionit – me aftësinë për të paraqitur transformimin, materialitetin dhe metamorfozën – krijon mundësi të reja për të shprehur përvoja trupore, emocione dhe perspektiva që janë të vështira të transmetohen në filmin me aktorë.
Për t’i ilustruar këto ide, Noesser analizoi disa filma të shkurtër të animuar: Asparagus nga Suzan Pitt, Hammam nga Florence Miailhe, Futon nga Yoriko Mizushiri, Symbiosis nga Nadia Andrasev, La Partita nga Ursula Ferrara dhe Two Sisters nga Caroline Leaf.
Pas çdo shfaqjeje, ajo ofroi interpretime poetike, duke treguar se si animacioni mund të portretizojë intimitetin, prekjen, kujtesën dhe solidaritetin mes grave. Në këta filma, trupi i gruas nuk paraqitet si objekt vëzhgimi, por si një përvojë që publiku ftohet ta jetojë së bashku me personazhet.
Duke folur për Asparagus (Suzan Pitt, 1979), Noesser e cilësoi atë si “filmin e parë të animuar me shikim femëror” dhe “një poemë vizuale mbi procesin krijues të një artisteje”. Sipas saj, filmi e zhyt shikuesin në subjektivitetin e protagonistes, duke krijuar një përvojë shqisore, lozonjare dhe njëkohësisht sfiduese për mendjen.
Për Hammam (Florence Miailhe, 1991), ajo tha se filmi është “një dramë e tërë e trupit femëror”, ku publiku nuk e vëzhgon personazhin nga jashtë, por “vallëzon bashkë me të dhe ndan të njëjtën përvojë”.
Tek Futon (Yoriko Mizushiri, 2012), vëmendja u përqendrua te prekja dhe ndjesitë fizike. Duke cituar regjisoren, Noesser solli fjalët: “Prekja është gjëja më e rëndësishme në punën time me animacionin”, duke shpjeguar se filmi synon të komunikojë përmes ndjesive të trupit dhe kujtesës shqisore, më shumë sesa përmes psikologjisë së personazheve.
Në analizën e Symbiosis (Nadia Andrasev, 2019), ajo tregoi se si shikimi feminist arrin ta transformojë xhelozinë në solidaritet mes grave. Në vend që protagonistja të mbetet vetëm dëshmitare e tradhtisë së saj, ajo gradualisht zbulon një komunitet grash, marrëdhëniet e të cilave me të njëjtin burrë kalojnë në plan të dytë përballë lidhjes që krijojnë mes tyre.
Duke folur për La Partita (Ursula Ferrara, 2002), Noesser vuri në pah mënyrën se si filmi shuan kufijtë mes spektatorit dhe interpretuesit. Ajo e përshkroi fundin si “një shpërbërje të gëzueshme të kufijve mes publikes dhe privates, mendores dhe fizikes, mashkullores dhe femërores”, ku vetë akti i shikimit shndërrohet në një përvojë trupore.
Në përmbyllje, përmes Two Sisters (Caroline Leaf, 1990), ajo theksoi se shikimi feminist nuk ka të bëjë vetëm me fuqizimin apo çlirimin e grave.
“Shikimi feminist nuk flet vetëm për përvoja çlirimi, fuqizimi apo sensualiteti të gëzueshëm. Ai ka të bëjë edhe me ndarjen e përvojave femërore, edhe kur ato janë të vështira apo shqetësuese.”
Përmes një prezantimi poetik dhe një përzgjedhjeje të veçantë filmash të shkurtër të animuar, Cécile Noesser solli para publikut të festivalit një temë komplekse dhe frymëzuese, duke i afruar konceptet teorike me përvojën konkrete të shikimit të filmit dhe duke hapur diskutime të reja mbi mënyrat se si animacioni mund të rrëfejë përvojat e grave.