Peja Jazz – mozaik tingujsh përtej muzikës jazz
Një përzierje e veçantë mes jazz-it, muzikës tradicionale dhe ritmeve moderne
Festivali “Peja Jazz” për 5 vjet e tutje ka qenë një mozaik tingujsh që përshkon përtej jazz-it dhe lidh kultura të ndryshme. Aty ka dominuar një përzierje e veçantë mes jazz-it, muzikës tradicionale dhe ritmeve moderne. Peja Jazz ka sjellë artistë të ndryshëm nga e gjithë bota, duke përfshirë Laura Prince, Julian Caetano, Cimbalom Duo, Ceylan Taci & Astrit Stafai, Wada Iko Sai, Elina Duni & Rob Luft, Rona Nishliu Quartet, Ana Carla Maza dhe Vinicio Capossela. Ata ndërthurën jazz-in me folklorin shqiptar, ballkanik, hungarez, italian e japonez, si dhe ritme soul, afro e latine, duke kthyer Pejën në një qendër të veçantë të jazz-it ndërkombëtar.
“Mesazhi kryesor i Peja Jazz është ai i unitetit dhe diversitetit. Përmes improvizimit dhe eksperimentimit që jazz përfaqëson, duam t’i tregojmë publikut se bukuria lind nga bashkimi i dallimeve. Jazz është një gjuhë universale që lidhet natyrshëm me improvizimin dhe bashkëpunimin, dhe duke sjellë artistë nga kultura dhe tradita të ndryshme, festivali bëhet një urë që lidh stile muzikore të shumta”, ka thënë Sanaja.
Në festivale si Peja Jazz, muzika world përdoret për të sjellë një përvojë globale, ku audienca mund të udhëtojë përmes tingujve dhe të gjejë rrënjët e artistëve nëpërmjet tyre. Është pak a shumë si një udhëtim në pesë edicione që përshkon ndalesa të ndryshme prehjesh, që s’i ngjajnë njëra-tjetrës.
“Kryesisht festivali quhet Peja Jazz, por është i kapur përtej jazz-muzikës. Muzika world zë një pjesë të konsiderueshme. Tashmë, kur e shoh në harkun kohor prej 5-vjetësh, ka qenë jashtëzakonisht e pranishme dhe kemi menduar që, si e tillë, të mbetet të paktën edhe për një kohë. Në edicionin e tij të 10-të festivali mund të rimendohet dhe të rritet”, ka thënë Selimaj.
Ai beson që deri në këtë fazë, 4 koncerte janë të mjaftueshme derisa festivali të arrijë fazën tjetër të etablimit, e cila vazhdon me hapa të ngadaltë por që e çojnë në rrugën e duhur.
“Kemi menduar që katër koncerte janë të mjaftueshme për Pejën derisa të etablohet. Është më mirë që një ngjarje të rritet gradualisht sesa të ketë pretendime për t’u shndërruar në një festival të madh e pastaj të mos ketë kapacitet për të vazhduar”, ka theksuar ai. Dhe kjo e bën “Peja Jazz” të veçantë krahasuar me festivalet me traditë që mbështeten në programe standarde.
“Është gjithmonë që programi të mos jetë ai standardi që është në festivalet e etabluara me traditë të madhe, por më i hapur dhe më eksperimental. Në Kosovë ka tre festivale – Mitrovica Jazz, Prishtina Jazz Days dhe Peja Jazz – dhe synimi është që të mos i ngjajnë shumë njëra-tjetrës”, ka shtuar Selimaj.
Në Peja Jazz, publiku prej kohësh gjen universalitetin e muzikës dhe festivali është bërë pikëtakim për adhuruesit. Edhe sipas Sanajes, festivali gjithashtu përcjell idenë e të jetuarit në momentin e tanishëm. Siç thotë ai, muzika jazz na kujton se jeta është plot ndryshime dhe pasiguri, por muzika ka fuqinë të na sjellë në këtu dhe tani, duke krijuar një përvojë të gjallë dhe të vërtetë.
“Për qytetin tonë, kjo ka qenë një mundësi për të zgjeruar horizontet kulturore dhe për të krijuar kujtime kolektive që lidhen me artin dhe komunitetin. Në thelb, Peja Jazz nuk është vetëm një festival muzike, por një përvojë shëruese dhe bashkuese, që e bën kulturën pjesë të jetës së përditshme të qytetit”, ka theksuar ai.
Kitaristi i njohur Sapunxhiu do të vazhdojë të jetë një nga dëgjuesit e rregullt të asaj që ky festival ofron për të dhe bashkëqytetarët e tjerë. Ndërsa ndihet krenar që në këtë ngjarje, që organizohet jo fort larg shtëpisë së tij, janë të përfshirë ish-nxënës të tij si Vullnet Sanaja, ai mbetet me shpresë që jazz-i ta kapë edhe më fuqishëm hallkën e traditës së kësaj muzike.
“Pejanët prej kohësh janë dëgjues të mirë dhe përcjellës të devotshëm, sidomos të muzikës jazz. Shpresoj që në të ardhmen rinia jonë ta kultivojë në numër sa më të madh këtë lloj muzike. Jazz-i është edhe filozofi”, përfundon mesazhin e tij Sapunxhiu.
Peja do të vazhdojë rrugëtimin për të zbërthyer këtë filozofi, duke u ngjitur me hapa të sigurtë drejt dekadës së parë të saj.
Ky aktivitet është krijuar dhe mbajtur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Anibar dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.