2 muaj më parë

Peja Jazz – si një lidhje me traditën dhe pasuri e skenës kulturore në Pejë

Për të dhënë shpresë, për të gjallëruar qytetin

Gili Hoxhaj

Peja njihet për rrëfime që ekranizohen nëpërmjet animacionit dhe gjatë verës bëhet pikëtakim i filmbërësve të kësaj fushe. Mbledh goxha publik. Peja Jazz erdhi për të mbushur zbrazëtinë e dimrit, për të ndezur dritat e skenës në një formë tjetër. Ky ishte edhe motivi i Sanajes me ekipin.

“Përmes jazz-it, i cili vetë mishëron improvizimin dhe eksperimentimin, u synua të silleshin energji të reja dhe të thyhej monotonia që krijoi izolimi. Peja Jazz u nis nga këto motive: për të dhënë shpresë, për të gjallëruar qytetin në një periudhë krize dhe për të krijuar një traditë të re kulturore që lidh njerëzit përmes fuqisë së muzikës”, shprehet ai.

Selimaj, nga ana tjetër, thotë se e ka tërhequr të jetë pjesë e formimit të një ngjarjeje të re që gjallëron skenën kulturore në Pejë.

“Peja, ndonëse një qytet që thirret në traditën dhe trashëgiminë që ka, megjithatë nuk ka një skenë kulturore aktive. Është një skenë si në shumicën e qyteteve të Kosovës, kryesisht e improvizuar, nuk ka një kalendar vjetor. Të krijosh një ngjarje sado të vogël në Pejë mendoj që është një hap shumë i madh”, ka treguar Selimaj.

Festivali e kaloi testin para publikut dhe u mirëprit – kjo vetiu ia siguroi vazhdimësinë, pavarësisht sfidave. Entuziazmi që morën nga publiku i nxiti organizatorët të shkojnë më tej.

“Komentet dhe reagimet që morëm ishin një tregues se kishte nevojë për këtë lloj ngjarjeje. Peja Jazz u pa si një mundësi për të sjellë bashkë komunitetin, për të promovuar diversitetin muzikor dhe për të ndërtuar një identitet të ri kulturor për Pejën, veçanërisht gjatë muajve të dimrit kur mungojnë aktivitete të tilla”, u shpreh tutje Sanaja.

Kitaristi i njohur pejan, Luan Sapunxhiu, është ndër dëgjuesit e rregullt të festivalit që nga fillet e para. Kjo i sjell edhe nostalgji për kohën kur ngjarjet kulturore ishin kryefjala e qytetit.

“‘Peja Jazz Festival’ unë e përjetoj si vazhdimësi logjike e një trendi spontan që ishte prezent në Pejë gjatë viteve të nëntëdhjeta. Atëherë pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore – si ekspozita, mbrëmje poetike, promovime librash, muzikë etj. – zhvilloheshin në ambiente alternative private, kryesisht në kafiteri. Shumë shpesh të gjitha këto lami kulturore ndodhnin në të njëjtin vend njëkohësisht: ekspozitë pikturash me poezi dhe muzikë”, ka treguar ai. Atëkohë jo pak mbrëmje, ku ritmet e jazz-it sundonin skenën, Sapunxhiu i përcillte me kitarë.

Këngëtarja Elina Duni u ngjit në skenën e Peja Jazz në edicionin e tretë të saj, që ishte edicioni i parë me praninë e plotë të publikut. Shumë prej tyre i bëri të lëviznin këmbë a duar kur ajo këndonte, e shoqëruar me daulle e kitarë nga Rob Luft. Kanë qenë melodi e këngë të njohura ndër të pranishmit. Shpirtin rinor si në Peja Jazz, Duni nuk e kishte takuar diku tjetër në festivale të ndryshme evropiane e më tej ku koncerton.

“Unë kam pasur një ndjesi shumë të mirë kur kam luajtur në Peja Jazz, te kinemaja e vjetër. Salla, atmosfera dhe publiku kanë qenë shumë frymëzuese dhe, sidomos, të shihje gjithë atë rini në staf dhe në publik, ishte diçka shumë e bukur. Zakonisht, nëpër festivalet e jazz-it në Evropë, nuk ka kaq shumë të rinj”, ka theksuar ajo.


Ky aktivitet është krijuar dhe mbajtur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Anibar dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Article Image

Related