4 vjet më parë

Veton Kasapolli: Këtë vit, Anibar-online sjell shumë përmbajtje interesante

Këtë vit edicioni i 11-të i Anibarit, i vjen secilit në shtëpi përmes platformës virtuale, diskutimeve dhe forumeve virtuale që po prezantohen gjatë këtyre ditëve.
Veton Kasapolli, qytetar i Pejës, rrëfen për “Anipress”, përvojën e tij të pjesëmarrjes virtuale në festival.  Megjithëse dinamika e festivalit fizik i mungon, Kasapolli thotë se është një risi e këndshme të ndjekësh filmat dhe përmbajtjen interesante që po i ofron Anibar këtë vit. Duke veçuar “Zero Impunity” si një nga filmat e tij të preferuar, ai thekson se animacioni është një mundësi e mirë për të trajtuar jo vetëm tema të lehta, por edhe shumë tema të rëndësishme  të shoqërisë.

  1. Çfarë mendoni, si po duket qyteti i Pejës këtë vit që festivali po mbahet online?

Qyteti, besoj që e di që festivali është duke u mbajtur. Ajo pjesa e promovimit që është duke e bërë festivali, pastaj reklamat e ndryshme, billboard-at vazhdojnë të shihen në vende publike, por, definitivisht ajo dinamika që e krijon festivali fizik po mungon, por gjithçka është e kuptueshme. Njerëzit ndoshta nuk e kanë pritur që do të ketë festival fizik, kështu që mendoj se është i pranueshëm ky realitet i ri.

  1. Cilat mendon se janë përparësitë edhe mangësitë e festivalit online?

Kjo, mendoj që varet pak edhe prej cilës audiencë i drejtohesh me këtë pyetje, pasi ka njerëz të cilët janë të mësuar të shohin përmbajtje online dhe nuk ndjekin shumë ngjarje ose nuk shikojnë shumë televizion, kështu që të kalojmë në përmbajtje online, te disa njerëz duke më përfshirë edhe mua nuk është diçka e re dhe shumë e jashtëzakonshme. Sepse, me stream online, të ndjekim përmbajtje online është një përditshmëri që unë konsumoj me çfarëdo informacioni edhe kulturor për vite të tëra. Është vetëm një platformë më shumë, tash Anibar online, ku përmbajtja është e grupuar në një website, në një platformë, dhe lufta më e madhe është se cilin material të ndjekim, ashtu si është një dilemë që ne përballemi si audiencë në kohën kur jemi duke ndjekur Netflix-in, prime apo çfarëdo kontenti online sepse nuk di çfarë të shikosh më përpara. Pak a shumë me një sfide të tillë  po përballemi edhe tash duke hyrë tek Anibar online sepse ka shumë përmbajtje interesante. Në përgjithësi për mua nuk është ndonjë risi për të trajtuar përmbajtjen online, por që është risi të bëhem publik i një festivali, risi e këndshme dhe po më pëlqen.

  1. Cila është gjëja që të pëlqen më shumë nga ky edicion i 11-të?

Çdo vit përmbajtja e Anibar-it është më ndryshe dhe fokusohet në disa highlights që e bëjnë festivalin interesant dhe kjo pjesa e organizimit të përmbajtjes po më pëlqen shumë. Mënyra se si janë të ndara  seksionet e filmave, pastaj edhe çka po i bën shumë interesante është se po e gjen veten njeriu edhe në këto diskutimet, forumet që në njëfarë mënyre po e dyfishojnë përmbajtjen sepse po flasin shumë për atë që mund ta gjesh edhe në animacion. Kjo pjesa e forumeve goxha në numër është diçka që po shihet se është bërë shumë punë në këtë drejtim. Mendoj që po e mban njëfarë baze të mirë  për të parë që ka shumë gjallëri prapa festivalit, edhe pse jo fizik, ka gjallëri virtuale.

  1. Çka po të mungon më së shumti prej edicioneve të viteve të kaluara në krahasim me edicionin online të këtij viti?

Secili festival e ka një të mirë që i bën njerëzit bashkë. Ata njerëz bëhen bashkë për shumë arsye, secili e ka një arsye për t’u bërë bashkë. Mbaj mend vitet e kaluara kur kanë ardhur një grup i madh i njerëzve, ke pasur mundësi të dish se çfarë është duke bërë dikush në një shtet tjetër, në një aktivitet tjetër kulturor, aktivitet tjetër politik, aktivizëm që e përkthen në animacion. Kjo është, ajo mungesa e shkëmbimit të përvojave dhe ideve që më së miri përjetohen në një festival. E kjo definitivisht është shpirti që i mungon festivalit. Pastaj, janë festat e mbrëmjes, ato nënkuptohen që në njëfarë mënyre e përforcojnë atë lidhjen miqësore, e prej aty zakonisht dalin edhe projekte shumë të mira kultutore dhe artistike. Duke u nisur nga interesi i përbashkët artistik, duke e përcjellë në argëtim personal edhe pastaj lindin bashkëpunime, lindin ide të reja për të punuar prapë për publikun vitet e ardhshme.

  1. A mund të na tregosh filmat e tu më të preferuar të këtij viti?

Mund të veçoj “Zero Impunity” që fillova ta shikoj dje, shumë i fuqishëm. Pikërisht, e ndjeka dhe atë diskutimin në forum dje, pse kanë përdorur animacion, se si mundet shumëkush ta portretizojë vetën në animacion, shumë më lehtë se sa me karaktere reale. Domethënë, lidhja e animacionit me temën, ishte shumë interesante dhe të bën të mendosh se çfarë mund të bësh për animacion si dhe konfirmon se animacioni nuk është vetëm për tema të lehta. Nga ana tjetër, po i shikoj edhe disa filma bashkë me djalin tim të vogël, edhe tema të lehta ndoqa dhe u kënaqa. Kështu, njëfarë kombinimi shumë i mirë i përmbajtjes për të rritur dhe fëmijë.

  1. Si dëshiron që të jetë edicioni i 12-të i Anibarit?

Definitivisht e kisha mbajtur këtë lloj praktike të publikimit të të gjitha filmave në të njëjtën kohë. Është ky stili i Netflix-it, që kur e publikon një sezon, i publikon të gjitha dhe ju i keni publikuar për një moment të gjitha. Njerëzve i jep mundësi me i ndjekë filmat si të dëshirojnë, dikush do t’i shikojë në një pajisje që nuk është patjetër në kinema, dëshiron ta marrë me vete atë film, dëshiron të jetë i informuar. Unë do ta kisha bërë definitivisht një kombinim të online me shfaqje në këto ekranet tradicionale dhe do të kisha komunikuar pak më shumë direkt, ndoshta me publik, të u dërgojmë përmbajtje të personalizuara të materialit, filmave dhe njerëzit t’i pyesnim se për cfarë janë të interesuar në mënyrë që të organizohet pak përmbajtja dhe të bëhet pak më e personalizuar për atë audiencë të interesuar. Por, një kombinim definitivisht i online-it është konfirmu që do të jetë pjesë e jona, deshëm apo nuk deshëm.

 

 

Related