3 vjet më parë

Shpresë dhe frikë sipërfaqësojnë filmat e garës së tretë ndërkombëtare të Anibar

Valton Marku 

Në garën e tretë ndërkombëtare do të shfaqen filma të ndryshëm nga disa regjisorë që përmes animacionit synojnë të pasqyrojnë fenomene të ndryshme sociale; frikërat dhe shpresat që këto fenomene ngërthejnë

Dashuri përrallore (Deep Love), SSPT (PTSD), Selfitë (Selfies), Shkrepëset (Matches) dhe Toomas nën luginën e ujqërve të egër (Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves), janë të pesë filmat që garojnë në përmbledhjen e tretë të garave ndërkombëtare të Anibar. Duke shfaqur botëkuptimet për gjendje, fenomene, sëmundje dhe situata të caktuara, regjisorët si në vallëzim luajnë me frikërat dhe shpresat tona, vallëzim ky që parakusht ka më shumë kthimin e shpresës. 

Dashuri përrallore (Deep Love) – Mykyta Lyskov

Një dashuri përallore më në fund ndodhi në Ukrainë. Një statujë e Leninit shfaqet në fillim të filmit të animuar. Shpërthimi i kokës së tij shpërfaq historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Ukraina ka nevojë për paqe. Kaos gjithandej. Natyra po vajton. Burokracia dhe aparati i dhunës shtetërore na kujton rregullin se sa më e madhe ajo aq më i fashitur kaosi. Qeset e plastikës kanë marrë trajtë të gjallesave. Ato po ua mbulojnë të pamurit personazheve. Më mirë të mos shihet katrahura. “Für Elise” e Bethovenit në prapavijë po e përcjellë këtë gjendje vaji. Nevojë e madhe për siguri. Frikë gjithandej. Dashuria në këtë film na vjen si mungesë e thelbit të saj. Dashuria duhet të rimendohet. Ka shpresë për këtë.

SSPT (PTSD) – Claudia Cortés Espejo

Billy tetë vjeçar është një djalosh në vështirësi. Historia e tij shpërfaqet përmes tre rrëfënjave. Ai është njëmend në telashe. Në rrëfënjën e parë shfaqen tre shota që përgojojnë dhe flasin kundër përgojimeve. Kjo në fakt është njëra prej shumë videove e kotësive të internetit me të cilat Billy e kalon ditën. Sidoqoftë, kjo kotësi nuk është e njëjtë me detyrimet e kota të cilat ia imponon babai. Dhuna rrjedhë nga një dhunë më e madhe, ashtu sikurse mirëmbajtja e frikës, nga një frikë më e madhe. Billy është rregulli i kësaj, assesi përjashtimi. Në rrëfënjën e dyte pikëpyetet ideja e fituesit në kohërat tona. “A jam unë aktori kryesor apo ai mbështetës?” Kjo paraqitet përmes Mike, i cili idenë e fituesit e ndjekë pa ndonjë normë njerëzore. Më në fund Billy vendos të shërojë nënën e tij çuditërisht të sëmurë. Përkundër iniciativës përverse, Billy e shëron atë, njëherit fiton qindra mijërra klikime në kanalin e tij.  Për sëmundjet moderne, ka shpresë. Aktualisht ka frikë. Billy është në mes të gjithë kësaj.

Selfitë (Selfies) – Claudius Gentinetta

Si do të dukej bota jonë, nëse le të themi, nuk mund ta dokumentojmë përmes fotografive e në mënyrë të vrazhdë, përditshmërinë tonë të bajatshme?; Si mund të duket jeta jonë sot pa selfi? Zhvillimi teknologjik ka ngjallur shpresë se bashkë me të do të përafrohen kulturat, njerëzit dhe dallimet. A mund të ndihmohen të varfërit pa selfi? Po në tualet a mund të shkojmë gjersa kryejmë procese fiziologjike pa shfletuar selfi në telefonat tonë të mençur? Këto pyetje e shumë pasqyrime i sjellë në vëmendje regjisori Claudius Gentinetta, ku më shumë se sa shpresën, ravijëzon frikën e këtij fenomeni.

Shkrepëset (Matches) – Géza M. Tóth

L.S. është shtatë vjeçar dhe me imagjinatë goxha të zhvilluar. Ai kur ka qenë edhe më i vogël ka ëndërruar se është i rritur. Si çdo paramendim për të rriturit, ai ka ëndërruar jetën e të rriturit; krevatin personal, shtëpinë personale, rrobat personale, madje edhe veturën personale, por të asisojtë që shfaqet në filma aksion. Sidoqoftë, shtatëvjeqari L.S. mund ta imagjinojë dhe të kuptoj mirë se jeta është përplot sfida, anipse respektohen rregullat nga të rriturit. Ai e di mirë dhe imagjinata e tij e kupton frikën, sikundër nevojën për ta tejkaluar atë, sepse në anën tjetër të frikës është vetja jonë e plotë. Përmes ilustrimeve të shkrepsëve shumëngjyrëshe, pasqyrohet intervista me shtatëvjeqarin L.S. Bota e tij jep shpresë.

Toomas nën luginën e ujqërve të egër (Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves)  – Chintis Lundgren

Toomas është personazh i zakonshëm sikurse ne vdekatarët. I përkushtuar pas punës, ai përballet me një dilemë pothuajse hamletiane: të bëj seks ose jo me shefen e tij? Ai e refuzon dhe rrjedhimisht e humbet vendin e punës. Në mënyrë që të mbështesë familjen, ai gjindet përballë një dileme tjetër: sa larg mund të shkoj njeriu për të ushqyer fëmijët e tij? Paradoksalisht, Toomas i papunë zgjedh një punë interesante, atë të zhigolosë, por pa i treguar gruas shtatëzënë me fëmiun e tretë. Në tërë këtë situatë të sikletshme, gruaja e Toomas kërkon ndihmë me të vërejtur ndryshimet e sjelljeve të të shoqit. Kisha e fuqizimit të grave i ofron ndihmë, si institucion dekonstruktues i burrave. Në fund, sikurse çdo fshehtësi që nuk mbetet pa u ditur, kuptohet përditshmëria e të dyve. Fikërat që sjellë humbja e vendit të punës dhe shpresat për të gjetur një të tillë janë temë qëndrore e këtij filmi. I pamohueshëm është edhe procesi nga humbja tek fitimi; nga frika tek shpresa. Në fakt, aty pavërejtshëm strehohet e gjithë shpresa.

Valton Marku

Related