3 vjet më parë

Njoftohuni me Kuratorin

Ne kemi nderin të prezantojmë Marco De Blois (Cinémathèque Québécoise), i cili është kuratori i kategorisë së veçantë të edicionit të këtij viti, 'Variations of Isolation'.

Në Anibar ne ofrojmë llojllojshmëri të aktiviteteve për pjesëmarrësit duke filluar nga panelet e diskutimit dhe prezantimet, punëtoritë e deri tek koncertet. Kujdes shumë i veçantë i kushtohet aktiviteteve të Anibarit, në mënyrë që të jenë sa më produktive, artistike, emocionuese dhe të paharrueshme. Mirëpo, ajo që është kryesore e që njëkohësisht na përfaqëson më së miri, është shfaqja e filmave të animuar. Çdo vit përmes animacionit ne sjellim një frymë unike, inspiruese dhe humane. Këtë vit Marco do të jetë kuratori i kategorisë ‘Variations of Isolation’. Ndonëse, secili film është i vlefshëm në mënyrën e vet, ne duhet të përzgjedhim një numër të kufizuar për t’i shfaqur në festivalin tonë, përgjegjësi kjo mjaft e madhe. Këtë vit kjo përgjegjësi i është besuar të mrekullueshmit, Marco De Blois- kuratorit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar 2021.

Student i animacionit, kritik, hulumtues, kurator dhe programues, Marco, paraqet një individ të talentuar. Vizioni i tij artistik ka qenë shtylla kryesore e animacionit tek Cinémathèque Québécoise, një muze dhe arkiv i njohur i filmit në Montreal. Ai po ashtu ka organizuar retrospektiva në vende të ndryshme të Kanadasë, ka luajtur rol në blerjen e shumë koleksioneve të filmave të pionierëve kanadezë të animacionit, si dhe në restaurimin e atyre që mund të konsiderohen veprat më të hershme dhe të pavarura të animacionit në Kanada. Vlen të theksohet që Marco ka bërë të mundur vlerësimin e disa veprave, që përndryshe do të kishin mbetur në errësirë. Thënë më thjesht, Marco e kupton animacionin dhe izolimin.

Kosova pati fat të ngjashëm para pak kohësh. Ndonëse situata nuk është më e njëjta, izolimi dhe mungesa e ekspozimit akoma është mes nesh. Ndoshta pandemia i ka ringjallur ndjenjat e dëshpërimit në të gjithë botën por njëkohësisht na ka kujtuar se ç’do të thotë të jesh njeri, dhe ka rritur ndjeshëm potencialin tonë për të empatizuar.

Për aq gjatë sa ka ekzistuar, qëllimisht ose jo, animacioni ka shërbyer si platformë për të lidhur njerëzit dhe për të ofruar mbështetje. Tani më shumë se kurrë, e konsiderojmë animacionin si një mjet për t’i transmetuar këto vlera. Me fillimin e Anibar 2021 ne mund të rrimë të qetë, duke pasur besim në aftësitë e Marcos, i cili jo vetëm që ka krijuar një program që do të na pëlqejë, por një program që na duhet. 

Related