FESTIVALI I ANIMACIONIT ANIBAR KREMTON EDICIONIN E 17-të!
Bashkohuni në vallen e animacionit nga 12 deri më 18 korrik, në Pejë, Kosovë!
Festivali i filmit të animuar Anibar, i vetmi i këtij mediumi në Kosovë dhe një nga më të njohurit në rajon, na fton në vallen e animacionit buzë Lumbardhit të Pejës, nga 12 deri më 18 korrik të këtij viti.
Lindur nga nevoja për të ndezur jetën kulturore, duke nxitur komunitetin artistik drejt aktivizimit të hapësirave të braktisura të qytetit, festivali Anibar, 17 vite më vonë, i është afruar këtij misioni duke u rritur në program, audiencë dhe përgjegjësi.
Gjer më tash, Anibar ka ndarë platformën e vet për të trajtuar gjendjet kolektive, varësisht fenomeneve përreth. Kështu, ekipi i festivalit i është bashkuar publikut me Shpresat dhe Frikërat (Hopes & Fears), Bestytnitë (Superstitions) e Pasiguritë (WTF?!), në nevojën për Çlirim dhe Përkatësi (Isolation), në krenarinë e dashurisë (LOVE) dhe në luftën për barazi (Smash the Patriarchy).
Ky edicion i radhës nuk i mbetet mangu asnjërës prej këtyre temave… dhe jo vetëm. Nga temat e mëparshme deri te ato që na preokupojnë sot, në vend që t’i përkushtohemi vetëm njërës, këtë herë po i lejojmë të manifestohen përmes filmave të përzgjedhur që do të shfaqen në pesë kinema, në diskutimet me kineastët dhe mysafirët e festivalit, në punëtori dhe masterklasa të përshtatshme për çdo shpirt kureshtar, si dhe në ekspozita, pikniqe e muzikë me shokë e shoqe.
Ndër të tjerash, këtë vit, ekipi i festivalit na fton për t’u shkëputur për pak nga ritmi i botës digjitale, duke na rikujtuar të jemi prezent me njëri/a-tjetrin/ën, në kohë dhe në hapësirë, si dhe me vetë proceset krijuese. Përgjatë festivalit do të eksplorojmë raportin tonë me shqisat, natyrën, materialet dhe memorien.
Ndërkohë që programi i këtij viti do të shpaloset në ditët në vijim, ju ftojmë të zbuloni copëza të festivalit përmes klipit zyrtar të këtij edicioni, të realizuar nga animatorja finlandeze Jenny Jokela.
Nëse nuk keni qenë kurrë në Pejë, ky klip ju sjell qytetin në ngjyrat e tij më të bukura, ndërsa për ju që e keni vizituar, ju paralajmërojmë për valë nostalgjie.
Jenny Jokela (1990) është regjisore dhe ilustruese finlandeze e animacionit me bazë në Edinburgh. Ajo u diplomua në Kolegjin Mbretëror të Artit në vitin 2017, ku studioi MA në Animacion. Filmi i saj i diplomimit ‘Barbeque’ ka fituar çmime të shumta, përfshirë Cristal në Annecy 2018. Vitin e kaluar ajo fitoi vendin e dytë në Garën Ndërkombëtate në Anibar me filmin ‘Dollhouse Elephant’. Në punën e saj personale shumëngjyrëshe dhe ekspresive, Jenny eksploron vizualizimin e të padukshmes; ndjenjat dhe emocionet, shpesh rreth temave të seksualitetit dhe traumës.