3 vjet më parë

Edicioni i 12-të: Një përmbledhje e aktiviteteve të Ditës së tretë të Festivalit

Argetimi vazhdoi ne diten e 3-te te festivalit!

Festivali nuk ka të ndalur! Ne filluam ditën e tretë me takimin tonë ditor “Coffee and Talk”, ku morën pjesë animatorë vendas, anëtarë të jurisë, ambasadorja holandeze Carin Lobbezoo, si dhe fansa të animacionit. Të gjithë patën rastin të dëgjonin artistët kosovarë të flisin për punën e tyre dhe ku janë inspiruar. Në  takim u diskutuan të dy anët e animacionit, vështirësitë në prodhimin e filmave të animuar dhe liria që animacioni ju ofron. Kjo ishte mënyra jonë për të mbledhur të gjithë në një vend, që të njoftohen dhe të ndajnë mendimet mbi filmat dhe teknikat.

Gjatë gjithë ditës u morrëm me organizimin e punëtorive. Njëra mori pjesë në shkollën Halit Kasapolli, me emrin “Confessions of Isolation”, ku pjesëmarrësit i ndanë përvojat e tyre gjatë periudhës së izolimit. Punëtoria tjetër “One Frame at a Time”, u udhëheq nga Joan Kamberaj, po ashtu tek shkolla Halit Kasapolli. Punëtoria “BARMOTION”, u mundësoi pjesëmarrësve të mësojnë mbi procesin e krijimit të filmava të animuar, si dhe të krijonë një promo të animuar për festivalin.

Pastaj, vazhduam në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, ku u prezantua punimi i Lori Malépart-Traversy me titull “The journey of a clitoris across the world”. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të mësonin më shumë për rrugëtimin artistik të Lorit, që nga fillimi i karrierës e deri tek kulminacioni i punës së saj si regjisore e filmave të animuar. Pjesa kryesore ishte Q&A, ku të pranishmit bën pyetje interesante mbi thyerjen e tabusë mbi seksin dhe trupin femëror, që ishte dhe qëllimi i prezantimit.

Gjatë ditës ne shfaqëm edhe një pjesë të filmave nga Human Rights Competition 1, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Disa nga këta filma ishin: “Mild Madness, Lasting Lunacy”, “Niet Thuis”, “In Nature”, “De Berde”, “Flowing Home”, dhe “Las Mariposas: How three sisters defied a dictator”. Filmat që bëjnë pjesë në këtë kategori garuese trajtojnë tema të rënda rreth të drejtave të njeriut, si: dashuria, raportet familjare dhe ndjenjën e pranimit.

Tek kinema “Jusuf Gërvalla”, u shfaq filmi i dytë nga Feature Film Competition, i titulluar “The Nose of the Conspiracy of Mavericks”. Në këtë film, të mirëpritur nga audienca, ilustrohet aventura e një hunde e cila humbë dhe fillon jetën e vet.

Në vazhdim ishte paneli “Rijetësimi i ninullave me animacion”, i mbajtur nga Besa Berberi, Mentor Berisha, Shpend Kada dhe Dardan Selimaj. Në këtë panel u diskutua për ninullat e vjetra, si formë për t’i rikujtuar dhe për t’ua përcjellë gjeneratave.

Pjesëmarrësit e ditës së tretë të festivalit patën rastin të shikojnë filmat të ndryshëm nga Student Competition 2. Kjo kategori garuese përmban filma të mahnitëshëm nga studentët e tërë botës duke na rikujtuar se animacioni paraqet një karrierë të kënaqshme dhe kreative. Disa nga filmat e shfaqur janë: “Diminuendo”, “Butterfly Jam”, “The Midnight Sun”, “Favorite Daughter”, “Papa Zaza”, “Eating in the Dark”, dhe “Mom’s Hair”.

Animacioni nga e tëra bota unifikohet në qytetin e Pejës, përmes Garave Ndërkombëtare. Këtë ditë u shfaqën filmat më të mirë të 2020 dhe 2021 në Kino “Kubat”, shumica e të cilëve u realizuan në kohën e izolimit. Filmat e shfaqur ishin: “Souvenir Souvenir”, “Not for money, not for love, not for nothing”, “Self Scratch”, “Mom”, “Boobs” dhe “All her dying Lovers”.

Dhe për fund, skenën e pushtoi ZWADA në kuadër të programit muzikor të Anibar. Pas një dite plot aktivitete, të gjithë po kërcenin dhe shijonin shoqërinë e njëri-tjetrit. Kjo natë e mbushur me muzikë do të mbahet në mend për një kohë të gjatë.

Related