3 vjet më parë

Edicioni i 12-të: Një përmbledhje e aktiviteteve të ditës së dytë të Festivalit

Festivali ka filluar dhe ne jemi më se të emocionuar!

Aktiviteti i parë i kësaj dite ishte  prezantimi i Jürgen Hagler “Expanded Animation” në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.  Jürgen dha një prezantim mbi mundësitë që gjenden brenda fushës së animacionit, duke u bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare. Në fund të prezantimit pjesëmarrësisht fituan njohuri të reja mbi temën dhe u inspiruan, emocion ky që e sollën edhe në aktivitetet e tjera pasuese.

Në vijim ishte Programi i Fëmijëve dhe Adoleshentëve, që është mbajtur tek Teatri “Istref Begolli”. Tema kryesore e filmave ishte ngrohja globale, kurse qëllimi ishte vetëdijësimi i të rinjve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Në filma u shfaqen kafshë të ndryshme duke kaluar eksperienca sfiduese, si rezultat i ngrohjes globale. Ndonëse kjo është një temë e rëndë, animacioni na bëri të mundur ta shpejgojmë në një mënyrë të kuptueshme dhe argëtuese për fëmijët. Programi i Adoleshentëve ishte po ashtu një sukses. Secili film ishte më interesant e tërheqës se tjetri, ku tema ishte vetëreflektimi. Personazhet kryesore shfaqeshin në situata që i detyronin ata të ndryshojnë e modifikojnë perceptimin e realitetit ku jetojnë dhe të ndryshojnë për të mirë.

Po ashtu, u mbajtën dy punëtori në këtë ditë. E para u mbajt në Qendrën Rinore nga Kaltrina Berisha, Finesa Peja, Vullnet Lleshi dhe Leonita Thaqi. Kurse “One frame at a time”, u mbajt në shkollën “Halit Kasapolli”, në ora 10:00 nga Joan Kamberaj.

Festivali u pasua nga Garat e Ballkanit, që ngërthyen filma nga të gjitha zhanret, nga “The Raft” që paraqiste stile interesante të videoklipeve e deri tek filmat e frikshëm. Pjesa më e madhe e filmave ishin nga Kroacia, duke pasë parasysh  përvojën e tyre në botën animacionin të Ballkanit.

Kjo u pasua nga paneli i titulluar “Isolation brings Isolation”, i mbajtur nga Florent Mehmeti, Leart Rama dhe Bind Skeja, tek Kino “Liqeni”.

Pasdite, Kino “Liqeni” u mbush akoma me më shumë shikuesit të filmave. Atmosfera ishte shumë mikpritëse me karrika dhe dyshek të rehatshëm, si dhe ca barka që lundronin në liqen. Filmat e shfaqur shtjellonin tema të rënda dhe mjaft serioze, duke e mbajtur kështu interesimin e audiencës. Pastaj, vazhduam në Kino “Kubat” ku ndonëse ishte moti i ftohtë, nuk u vërejtë nga atmosfera e ngrohtë që na dhuruan filmat. Të gjithë filmat ishin mahnitës dhe trajtuan tema si ndryshimet klimatike, që u pritën mjaft mirë nga audienca.

Pas përfundimit të aktiviteteve erdhi koha për programin muzikor të këtij edicioni. Elsa Rraqi dhe Ilir Bajri, së bashku me Dj Yll Megi, dhuruan një performancë të shkëlqyer. Përzgjedhja e tyre e përkryer muzikore bëri që të pranishmit të këndojnë e kërcejnë. Ky, në fakt është edhe qëllimi i Programit Muzikor të Festivalit Anibar, duke lënë pas izolimin dhe duke kërcyer së bashku.

Related