4 vjet më parë

David Silverman, animatori prapa episodeve të shumta të “The Simpsons”, vjen në Anibar

David Silverman, animatori i episodeve të shumta të serisë The Simpsons vjen në Anibar me një prezantim online për punën e tij

Anibar vazhdon që të sjellë prezantime të pa precedent për audiencën e tij në platformën Facebook Live. Këtë herë, një prej skenaristëve dhe animatorëve më të suksesshëm në SHBA, David Silverman, që po ashtu shihet si arkitekti i “The Simpsons”, u shfaq xhentil dhe na tregoi për procesin e tij kreativ.

David Silverman konsiderohet të jetë ambasadori i The Simpsons, dhe kur u pyet se si seria ka arritur deri në 33 sezone deri tani, ai ndau me ne se skenaristët, aktorët e zërit, animatorët, ekipi i krijimit të muzikës, dhe regjisorët krijuan një ushtri gjigante të njerëzve të talentuar, të cilët u bashkuan dhe krijuan një seri, e cila ishte ndryshe nga ç‘ishte krijuar deri atëherë në vitet e 90-ta.

Sa i përket procesit kreativ të serisë, David Silverman tha se janë disa hapa të cilët çojnë në përfundimin e episodeve. Së pari, shkruhet skenari, nganjëherë bazuar edhe në përvoja personale, pastaj shkon në leximin e tij nga aktorët e zërit, ku ekipi dëgjon se si tingëllon skenari. Më pas, skenari rishkruhet dhe rindërtohet, pjesë pas së cilës animatorët e skicojnë në letër. Edhe pas animacionit, skenari mund të rishkruhet në pjesë të vogla deri në hapat e fundit.

Pjesë e prezantimit të David Silverman ishte zhvillimi i karaktereve të The Simpsons. Ai ndau se zhvillimi i plotë zgjati deri në dy sezone, proces i cili sipas tij ishte një evolucion i vazhdueshëm, i cili vazhdoi të përmirësohej e të përpunohej. Ai po ashtu ndau me shikuesit disa fotografi se si janë dukur karakteret para dhe pas zhvillimit të tyre, ku transformimi për të cilin ai bisedoi shihej qartë.

Së fundi, Silverman nxiti animatorët e rinj që mos të shkurajohen apo dëshpërohen nëse animacioni që ata kanë krijuar shkon huq gjatë procesit të rishkrimit dhe ripërpunimit. Ai vazhdon duke iu përkujtuar artistëve të rinj se animacioni nuk është kurrë humbje kohe, bazuar në idenë se ky proces mund të jetë gjithmonë një ushtrim dhe përvojë për ta. Ai pati edhe një këshillë për animatorët, e cila ishte që të vazhdojnë të takojnë njerëz, të krijojnë kontakte me njerëz nga mjedise shoqërore të ndryshme, të cilat mund të çojnë në krijimin e ideve dhe projekteve të reja, duke iu ndihmuar kështu artistëve të depërtojnë në botën gjigante të animacionit.

Related