41 minuta më parë

Arti si Solidaritet: Hapet Ekspozita “Posters for Palestine” në Pejë

Ekspozita "Posterë për Palestinën" në hollin e Kinemasë "Jusuf Gërvalla" tashmë është hapur zyrtarisht.

Pasi ka udhëtuar në galeri, festivale dhe hapësira kulturore në vende të ndryshme, kjo nismë ndërkombëtare solidariteti ka mbërritur në Pejë, si pjesë e edicionit të 17-të të Anibar. Duke bashkuar artistë palestinezë dhe norvegjezë, projekti krijon një hapësirë ku dëgjohen historitë dhe zërat artistikë të Palestinës. Të gjitha veprat janë në shitje dhe të ardhurat shkojnë drejtpërdrejt për artistët palestinezë në Gaza.

Ekspozita sjell punime nga artistë të njohur dhe emra të rinj, duke ofruar këndvështrime të ndryshme mbi identitetin palestinez, kujtesën dhe përvojat e jetuara. Posterët janë realizuar përmes teknikave të ndryshme artistike, si piktura, fotografia dhe dizajni grafik, me qasje vizuale që lëvizin nga kompozimet realiste deri te ato abstrakte. Çdo vepër është krijuar duke përdorur njërën nga katër ngjyrat e flamurit palestinez – të zezën, të bardhën, të gjelbrën ose të kuqen – ndërsa në hapësirën e ekspozitës ato janë vendosur sipas renditjes së flamurit. Motivet që përsëriten përfshijnë figura grash të mbështjella me shami, simbole të kulturës palestineze dhe trupa të paraqitur në lidhje të ngushtë me mjedisin që i rrethon. Secila vepër shoqërohet me një përshkrim që shpjegon historinë dhe idenë pas saj.

Ekspozitën e hapi Mats Grorud, përfaqësues i nismës Posters for Palestine, i cili tregoi se projekti lindi nga dëshira për të bërë diçka konkrete, për të kaluar përtej ndjekjes së lajmeve dhe për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me artistët palestinezë. Përmes këtij bashkëpunimi, publiku ka mundësinë të njohë jetën, praktikën artistike dhe rrëfimet e tyre.

Muret bosh të hapësirës janë mbushur me vizatime shalqinjsh, një simbol që lidhet ngushtë me flamurin palestinez, si pjesë e konceptit kuratorial të Rina Laskut. Duke reflektuar mbi procesin e realizimit të ekspozitës, ajo theksoi se ishte një përvojë e veçantë të bëhej pjesë e një projekti me një qëllim kaq të rëndësishëm.

Në korridor, vizitorët gjejnë një bllok vizatimi dhe ngjyra, duke u ftuar të krijojnë posterët e tyre. Anibar i inkurajon artistët dhe publikun të bëhen pjesë e këtij elementi interaktiv, ndërsa disa nga punimet e përzgjedhura mund t’i bashkohen ekspozitës udhëtuese.

Hapësira u mbush me vizitorë të Anibarit nga Kosova dhe vende të tjera. Mes tyre ishte edhe Nera, 27-vjeçare nga Sarajeva, e cila foli për rëndësinë e njohjes me veprat e artistëve palestinezë që prej dekadash dokumentojnë të njëjtën histori. “Është e jashtëzakonshme të shohësh punime nga artistë që krijojnë prej tridhjetë apo pesëdhjetë vitesh dhe që flasin për një realitet që i ka shoqëruar që nga fëmijëria, gjatë rritjes dhe përgjatë gjithë jetës së tyre,” u shpreh ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të festivalit. Vizitoni “Posters for Palestine”, mbështesni artistët palestinezë duke blerë veprat e tyre ose krijoni posterin tuaj dhe bëhuni pjesë e këtij udhëtimi solidariteti.

Related