4 vjet më parë

Animacioni, forma më e re për të luftuar patriarkatin dhe pabarazitë gjinore

Në edicionin e 11-të të Festivalit të Filmit të Animuar “Anibar”, u mbajt edhe paneli i dytë me radhë. Gjatë këtij paneli u diskutua se si animacioni mund të ndikojë që patriarkati të shkatërrohet. Pjesë e këtij paneli ishin producenti Fabian Driehorst dhe Amanda Barbour, kritike filmi. Panel ky i moderuar nga Britt Raes, animatore.

Gjatë këtij paneli u diskutua se si filmat e animuar paraqesin role të grave, rëndësinë e tyre në shoqëri dhe në luftën kundër seksizmit e stereotipeve, të cilat më së shumti i sulmojnë vajzat dhe gratë.

Sipas Fabianit, pandemia COVID-19 nuk ka penguar prodhimin e filmave të animuar por ndikimi i saj do të vërehet më shumë te temat të cilat do të trajtohen tash e tutje.

Për më tepër, ai tregon eksperiencën personale gjatë kohës së karantinës me ç’rast kishte filluar të vërente pabarazitë në mes tij dhe gruas së tij.

“Fakti që ishim të dy gjatë tërë kohës në shtëpi dhe çerdhet ishin mbyllur, pashë se bashkëshortja ime përveç punës së saj primare kishte edhe shumë punë të tjera që duhej t’i bënte rreth shtëpisë, kurse unë merresha vetëm me punët e mia”, tha Driehorst.

Gjithashtu, ai tha se koha e izolimit në shtëpi ka ndikuar që ai të reflektojë mbi këto pabarazi dhe të kërkojë që të ndryshojë këtë mendësi, e sipas tij, kjo mund të bëhet përmes animacionit.

Sipas Amandës, “Patriarkati është një eksperiencë të cilën nuk mund ta shohësh”, e roli i animacionit në këtë rast është që ta bëjë një eksperiencë të tillë të mundshme edhe vizualisht, në mënyrë që të mund ta kuptojnë edhe ata që ndoshta nuk janë prekur nga ai.

“Tani gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe është më lehtë të flitet për disa tema që janë konsideruar tabu, siç janë për shembull përdhunimet, të cilat shpesh ndodhin edhe në studiot e filmave të animuar. E kjo ndodh sepse në industrinë e animimit në Amerikë vetëm 30% e të punësuarëve janë gra”, tha Amanda.

Panelistët u pajtuan se tani ka filluar të ketë filma me tema feministe dhe të ketë reprezentim edhe të roleve të komunitetit LGBTQ+. Gjithashtu, tani edhe Disney e ka paraqitur rolin e parë biseksual. Sipas panelistëve është  e rëndësishme të reflektohet mbi çështje me rëndësi shoqërore, të jemi kritikë dhe të krijohet art që kritikon gjërat që ndikojnë në jetën e secilit. E ndryshimi duhet të fillojë nga vendi ku jetojmë apo punojmë, sepse aty me të vërtetë kemi mundësi të bëjmë ndryshimin.

Related