18 orë më parë

Animatorët e Kosovës prezantojnë projektet e tyre të reja në Pitch Session të Anibar-it

Një nga momentet më të rëndësishme të programit industrial të Anibar-it ishte Pitch Session, platforma e festivalit e dedikuar për mbështetjen e animatorëve kosovarë në zhvillim dhe atyre të afirmuar, duke i lidhur ata me producentë, bashkëprodhues dhe profesionistë ndërkombëtarë të industrisë së animacionit.

Më 17 korrik, Kinemaja Jusuf Gërvalla u mbush me pjesëmarrës të interesuar për të njohur projektet e reja të animacionit që po zhvillohen në Kosovë. Të pranishëm në sesion ishin edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve kulturore që po vizitonin festivalin.

Në këtë sesion, pesë regjisorë prezantuan projektet e tyre: Antik Doli me The Song of the Goat, Durim Klaiqi me Crow Funeral, Hana Kasemi me Gjith Ktu (Always Here), Jeta Sokoli me Through the Cracks dhe Sado Musić me Moshi.

Secili autor pati dhjetë minuta në dispozicion për të prezantuar projektin e tij, ndërsa më pas mori komente dhe pyetje nga juria ndërkombëtare e përbërë nga Alexandre Siqueira, Clémence Pun dhe Michael Frei.

Sesionin e hapi Antik Doli me projektin The Song of the Goat, një film i shkurtër i animuar që kombinon teknikat 2D dhe 3D. Historia ndjek një muzikant të ri, djalin e një artisti të njohur, i cili përpiqet të luajë lahutën e trashëguar nga i ati përpara një koncerti të rëndësishëm. Kur nuk arrin ta zotërojë instrumentin, ai e hedh atë tutje, por lahuta merr jetë. Përmes marrëdhënies mes djalit dhe lahutës, të personifikuar nga koka e gdhendur e një dhie, filmi trajton konfliktin mes traditës dhe brezit të ri, duke treguar se besimi dhe bashkëpunimi mund të krijojnë diçka krejtësisht të re.

Më pas, Durim Klaiqi prezantoi Crow Funeral, një dokumentar i shkurtër hibrid që ndërthur pamje arkivore me animacion 3D. Filmi bazohet në arkivin personal të një njeriu që prej vitesh kërkon personat e zhdukur pas luftës dhe dokumenton dëshmitë e të mbijetuarve të krimeve të luftës. Rrëfimi ndërtohet mbi historitë e dy të mbijetuarve, ndërsa struktura vizuale dhe ritmi i filmit frymëzohen nga një melodi që gradualisht bëhet gjithnjë e më kaotike. Përmes rindërtimit 3D, autori rikrijon hapësira që sot nuk ekzistojnë më.

Hana Kasemi prezantoi projektin në zhvillim Gjith Ktu (Always Here), një film i shkurtër i animuar i frymëzuar nga kujtimet e saj të fëmijërisë. Historia ndjek Hanën, një vajzë të vogël që shoqërohet vazhdimisht nga Francis, një personazh i vogël dhe i paparashikueshëm që komenton çdo veprim të saj dhe nuk resht së kritikuari. Përmes këtij personazhi, filmi personifikon kritikun e brendshëm që secili prej nesh bart me vete. Filmi realizohet në teknikën 2D, me sfonde të bazuara në vende reale të Kosovës, si dhoma e regjisores, lagjja ku është rritur dhe rrugët e Prishtinës. Dialogët do të shfaqen përmes balonave të tekstit, ndërsa filmi pritet të zgjasë rreth pesë deri në shtatë minuta.

Më tej, Jeta Sokoli prezantoi Through the Cracks, një film i animuar 2D i vendosur në një botë distopike me estetikë brutaliste. Historia ndjek një burrë që hyn në një kinema dhe përmes filmit që shikon përballet me traumat e së kaluarës. Edhe pse është shtatëdhjetë vjeç, ai vazhdon ta perceptojë veten si i ri, pasi mbetet i bllokuar në përjetimet traumatike të jetës së tij. Filmi do të realizohet bardh e zi, i frymëzuar nga kinemaja klasike hollywoodiane, me animacion frame-by-frame. Aktualisht në fazë produksioni, projekti është në kërkim të mbështetjes financiare për postproduksionin, veçanërisht për dizajnin e zërit dhe muzikën.

Sesionin e përmbylli Sado Musić me projektin Moshi, një film i shkurtër i animuar 2D i vendosur në universin fantastik mesjetar të komikut Eidam. Filmi ndjek historinë e Moshit, një fëmije që jeton pranë një liqeni me shokun e tij besnik, Waddle. Pasi fshati i tij sulmohet nga ushtria e mbretit të lig, Moshi merret rob dhe kalon vite në kështjellën e gjeneralit, ku mëson të ndërtojë eksplozivë dhe planifikon arratisjen. Pas kthimit në vendlindje, ai ribashkohet me Waddle dhe përballet me një botë të ndryshuar. Projekti ndodhet aktualisht në fazën konceptuale dhe pritet të realizohet si një animacion me ngjyra të plota dhe dialog.

Pitch Session edhe këtë vit dëshmoi potencialin dhe shumëllojshmërinë e skenës së animacionit në Kosovë, duke krijuar një hapësirë ku autorët prezantojnë idetë e tyre, marrin vlerësime profesionale dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi me industrinë ndërkombëtare.

Related