3 vjet më parë

Thirrje e hapur për artistë për vepra origjinale të artit në Kinemanë Jusuf Gërvalla

Anibar-i po kërkon artistë!

Anibar-i po kërkon artistë! Për projektin tonë të ri “Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë”, ne po hapim një thirrje për artistë të çdo fushe. Pa marrë parasysh nëse jeni piktor, skulptor, dizajner grafik, kreator mode, ilustrues ose artist i ndonjë fushe tjetër, ne do të donim të dëgjonim nga ju! Motivimi është më i rëndësishëm sesa përvoja, kështu që të dashur artistë të rinj ose të papërvojë, ju lutemi vazhdoni ta lexoni dhe gjithashtu të aplikoni në këtë thirrje.

Synimi i projektit “Trashëgimia kulturore si formë arti”:

Projekti i Anibar-it ” Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” shërben për ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore vendore, si Kinemaja Jusuf Gërvalla dhe hapësirave të tjera të rëndësishme historike në Pejë, për komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë. Përmes aktiviteteve artistike dhe programeve edukative, projekti synon ta rrisë dukshmërinë e hapësirave të trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës përmes intervenimeve artistike dhe edukimit duke i  angazhuar të rinjtë dhe fëmijët me prejardhje të ndryshme etnike që jetojnë në këtë rajon. Projekti “Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” është pjesë e grantit financiar të projektit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezioni social” që zbatohet nga UNDP në Kosovë dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP).

Qëllimi i Ekspozitës dhe Veprave të Artit të Trashëgimisë së Kinemasë:

Një nga programet artistike që po planifikojmë është një ekspozitë në Kinema Jusuf Gërvalla e cila do të fokusohet në historinë e kinemasë. Në këtë ekspozitë, ne do t’i ekspozojmë pajisjet dhe posterat e filmave nga arkivi ynë. Për më tepër, ne duam t’i prezantojmë katër (4) vepra origjinale arti, të frymëzuara nga trashëgimia kulturore e që është Kinemaja Jusuf Gërvalla. Për këtë arsye ne po i ftojmë artistët të propozojnë idetë e tyre për vepra arti që lidhen me historinë e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Anibar-i do t’i vlerësojë idetë/aplikimet sipas kritereve të caktuara të cilat përfshijnë: a) sa mirë apo në mënyrë origjinale është paraqitur historia e kinemasë përmes veprës suaj të artit, b) mesazhi që do t’i dërgohet publikut më të gjerë dhe c) lidhja me trashëgiminë kulturore të cilën po përpiqemi ta promovojmë përmes projektit tonë. Gjithashtu, Anibar-i po synon që të ketë një përzierje të formave të ndryshme të artit dhe artistëve të cilët aplikojnë në këtë thirrje.

Kush mund të aplikojë në këtë thirrje:

Kushdo që merret me art. Motivimi është më i rëndësishëm se përvoja dhe ne i pranojmë të gjitha format e artit;

Për shkak se ky projekt fokusohet në trashëgiminë kulturore të Pejës, e preferojmë një artist që ka lidhje me Pejën (qoftë i lindur në Pejë apo që jeton këtu aktualisht);

Ne i inkurajojmë fuqishëm pakicat dhe personat nga komunitetet joshqiptare që të aplikojnë gjithashtu, me fokus tek komuniteti boshnjak, serb, turk, ashkali, egjiptian, goran dhe rom.

Si të aplikoni për këtë thirrje: 

Për të aplikuar, ju lutemi na dërgoni një email në [email protected], duke përdorur titullin “Aplikim për vepra origjinale të artit në Kinemanë Jusuf Gërvalla”.

Në e-mail, ju lutemi përfshini një prezantim të shkurtër ku tregoni se kush jeni dhe e bëni të ditur idenë tuaj për veprën artistike. Ju mund të cilëndo formë që ju pëlqen/preferoni më shumë: mund ta shkruani një tekst, të prezantoni një video ose të përdorni ndonjë mënyrë tjetër. Për më tepër, ideja juaj duhet të tregojë se si është jeni frymëzuar nga Kinemaja Jusuf Gërvalla për krijimin e veprës suaj artistike. Nëse keni një portofolio të punës së mëparshme, ju lutemi bashkëngjiteni atë në aplikacionin tuaj.

Sa për inspirim, ju rekomandojmë ta lexoni botimin “Një histori e shkurtër e kinemasë Jusuf Gervalla” në linkun: https://anyflip.com/xjjai/ozsh, ta shikoni këtë turne virtual të posterave të filmit ose ta vizitoni kinemanë: https://anibar.org/ekspozita/. Gjithashtu, ju lutem mos ngurroni të bëni pyetje rreth kësaj detyre në e-mailin e mësipërm.

Afati i zgjatur për aplikim është: 7 shtator

Procesi i përzgjedhjes: pas datës së mbylljes së thirrjes, Anibar-i do t’i vlerësojë dhe përzgjedhë katër (4) idetë/aplikacionet më të mira të cilat e shtjellojnë dhe portretizojnë historinë dhe rëndësinë e Kinemasë Jusuf Gërvalla përmes artit, si dhe të cilat përshtaten me kërkesat e kësaj Thirrjeje të Hapur. Rezultatet e përzgjedhjes do të shpallen për të gjithë aplikantët deri më 8 shtator 2021.

Informacione të tjera të rëndësishme: ju lutemi vini re se për idetë/aplikacionet e përzgjedhura do të jepet kompensim (pagesë) gjatë zbatimit të ideve të tyre. Ju lutemi vini re se nëse ideja/aplikacioni juaj përzgjedhet, do të duhet të jeni në dispozicion në fillim të muajit shtator 2021 për angazhim me Anibar-in.

Related