5 vjet më parë

Probleme ballkanike – 2

Në garën e tretë të filmave ballkanik që mbahet në Anibar, do të shfaqën në total dhjetë filma të animuar, ku shumica e tyre vijnë nga vendet që përkufizohen Kosovën ndërsa njëri syrësh është vetë nga Kosova. Duke nisur nga çështje që shtjellojnë obsesionet, varësitë, vetëbesimin, pushtetin, dominimi, punën, stresin, buzëvdekjen, ndryshimin, apatinë, feminizmin, nostalgjinë, muzikën dhe letërsinë, filmat domosdo të marrin me vete në secilën linjë e në secilin rrëfim.

Pjesa 2

 

“Dëgjoni, unë nuk jam kundër mëshkujve, e di se tingëlloj sikurse disa feministe që kërkojnë diktaturë të grave. Ky lloj feminizmi përbën hap të vogël. Unë jam për diktaturë të plotë, sepse ekzistenca duhet respektuar”. Ky është pak a shumë zemërimi që si postulat e ka përcjellur gjatë gjithë jetës skulptorën e parë femër të Kroacisë, Marija Ujević-Galetović. Në shoqëri patriarkale, të qenët grua do të thotë aksident me detyra të paracaktuara; gruaja është riprodhuese dhe roli i asaj është të kënaq burrin. Kundërpërgjigjja më emancipuese (e saj në këtë rast) duket se është irritimi përmes artit, pra provokimi përmes prezencës së saj si qenie me të drejta të barabarta dhe punës së saj feministe. Filmi “Macja është gjithmonë femër” (A Cat Is Always Female), i ndërtuar përmes lenteve feministe, pasqyron botëkuptimin e profesoreshës së rergjisoreve, Martina Mestrović dhe Tanja Vujasinović kundruall frymëzueses së tyre, Marija Ujević-Galetović, që njëherit është edhe njëra prej skultporeve më të rëndësishme të Kroacisë. Përmes teknikave të “live-action”, 2D dhe me narracionin nga vetë profesoresha, ndërtohet i gjithë filmi. Macet për të janë gjithmonë femra, përkundër se ka edhe maçokë. Ajo ishte obsesionuar pas tyre sepse gjithmonë e kanë vrojtuar pa zë gjatë punës së saj. Kjo më pas e ka frymëzuar atë që ta krijojë një skulpturë monumentale; një skulpturë që nga ijet e poshtë ka pamje femërore, ndersa lart ka një qafë të zgjatur me kokë maceje e cila duket se vështron nga dritarja. 

I ftuar më 1982 në studion e Radio Beogradit ishte kompozitori, Mihovil Logar, promovues i paqës ndër popuj dhe krijues i “Himnit të Beogradit”. Të frymëzuar nga arkiva e kësaj radiojeje, regjisori Miloš Tomić në këtë film shfaqë me lumturi përmes ngjyrave të ndezura e objekteve të ndryshme në lëvizje, një fragment nga intervista e Logarit dhënë kësaj radioje. Përmes një timbri të dashur dhe me ngjyrë zëri që transmeton pozitivitet, intervista e realizuar dhe e vizualizuar me përzierjen e teknikave, 2D, “stop-motion” dhe atë të rotoskopisë rrëfen jetën muzikalisht të pasur të Mihovil Logar. Filmi “Radiovizioni – Ju flet Mihovil Logar” (Radiovision – Mihovil Logar Speaking) është një përpjekje për të rikujtuar veprat dhe botëkuptimet e kompozitorit që pas vete la rreth 200 vepra muzikore.

Meša Selimović, shkrimtari i mirënjohur boshnjak që njihet për librin e tij “Dervishi dhe Vdekja” (Dervish and Death), edhe ky në kuadër të serive “Radiovizion”, ishte i ftuar në Radio Beograd në vitin 1982. I nominuari për shumë çmime të letërsisë në këtë intervistë flet për kuptimin e jetës, mjaftueshëm sa për të frymëzuar regjisorin Iva Ćirić që të krijojë filmin “Radiovizioni – Kuptimi” (Radiovision – The Meaning). E realizuar në 2D dhe mbi një sipërfaqe të bardhë ku e zeza dhe e bardha dominojnë, në prapavijë dëgjohet zëri i thellë e i ngadalshëm i novelistit të famshëm. Përgjigjet mbi ekzistencën e njeriut dhe kuptimin e jetës e përcjellin gjatë gjithë intervistës atë, ndërsa filmi i sjellë ato përmes ilustrimeve të figurave gjeometrike. A ka kuptim jeta dhe nëse po, cili është ky kuptim atëherë…?

Filmi “N’Korniz” i regjisorit Gëzim Ramizi në personazh kryesor ka një qytetar të zakonshëm ku si karakteristikë e ka rutinën bajate dhe ankesën e vazhdueshme pasive. Kafeja sikurse për çdo kosovar tjetër është rituali më i zakonshëm i tij. Agroni, i pakënaqur deri në palcë, do që të ndryshoj tjerët por harron rolin e vet në shoqëri. Ashtu sikurse shumë moralizues që e përjashtojnë veten kur vjellin vrerë. “N’Korniz”, i realizuar përmes përzierjeve të teknikave “stop-motion” dhe 2D, është kritikë direkte e konditave shoqërore kosovare dhe godet kokë e këmbë apatinë që mbretëron. I realizuar me kthjelltësi të dukshme, filmi i parë i animuar në “stop-motion” në Kosovë bën thirrje për ndryshim, duke filluar nga vetja.

Fund.

Valton Marku

Related