5 vjet më parë

Milorad Krstić: Arti është mënyra më e mirë për të ngjallur shpresë

Regjisori Milorad Krstić solli në Anibar filmin e tij “Ruben Brandt, Collector” përmes ekranit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë. Anibar Press e intervistoi atë për të kuptuar më tepër rreth filmit, por edhe frikave dhe shpresave të Krstić. Lexojeni intervistën me të!

Anibar: Çfarë mendoni se e ndanë këtë film prej filmave të tjerë të animuar? Ku mendoni se duhet të fokusohen shikuesit?

Milorad Krstić: Mendoj se ekzistojnë disa filma të animuar që i gjasojnë, por unë nuk i kam ndjekur ata. Personalisht nuk e kam parë filmin le të themi ndonjë filmin e animuar të ngjashëm me “Ruben Brandt; ndërsa nëse flasim vetëm për filmat e metrazhit e gjatë, mendoj se ky film është përzierje mes filmave të Peter Greenway dhe Quentin Tarantinos. Në të ka ngapak aksion, humor, psikologji dhe grafikë botërore, për atë po më asocon me shumë me ato të Quentin Tarantinos.

Article Image

Anibar: Çfarë ju ka frymëzuar ta krijoni këtë film? 

Milorad Krstić: Tërë jetën time kam qenë piktor dhe kam krijuar piktura e vizatime. Mësuesit e mi ishin frymëzimet e vizatimeve të Shpellës së Altamirës, atyre të grekëve dhe egjiptianëve në përgjithësi. Por, duke mos u kufizuar vetëm te ta, më frymëzuan edhe pikturat e Renesancës, Andrea Modiglianit, Pablo Picassos dhe Andy Warholit. Gjithmonë kam tentuar të përthith energji pozitive nga këta pikttor dhe përse jo të siguroj përmes tyre edhe vulen time origjinale. Unë e kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë dhe jo Akademinë e Arteve dhe kjo është arsyeja se përse them se këto piktura, fotografi dhe filma kanë qenë dashuria ime jetësore. Në këtë botë vizuele kam dashur në një mënyrë të transformoj botën dhe ta krijojë vulën time personale. Shpresoj që sado-kudo ia kam arritur të realizoj fotografi/filmime personale që janë kombinime të historisë së artit dhe kundërshtarëve të saj.

Anibar: Si ndërlidhet ky film me atë që ju keni kaluar gjatë gjithë jetës? A keni ndonjë lidhje me personazhin kryesor?

Milorad Krstić: Që të gjithë personazhet janë aty sepse gjatë procesit të shkrimit të skriptës, i kemi kushtuar rëndësi krijimit të personazheve të ndryshme në film. Ne kemi tentuar të krijojmë personazhe interesante, siç është dydimensionali Membrano Bruno. Kur e gjeta emrin Membrano, mjaftoi ta përsërisja dhe përnjëherë më tingëlloi si simfoni. Disi ai (Membrano Bruno) është plaçkitës bankash sepse si dydimensional mundet të flejë ngado, le të themi edhe përfundi derës. Për këtë arsye, ne filluam të krijojmë personazhe tjera, siç është për shembull Kobalski, një detektiv privat dhe mjfat i fuqishëm, i cili nganjëherë është i egër por edhe i jashtëzakonshëm, nganjëherë i mirë për faktin se do të ndërtoj marrëdhënie të mira me Marinan, e cila është grua e fortë me prejardhje nga Roma. Atë mund ta shihni në pishinën e saj sepse kemi dashur ta pasqyrojmë si të pasur dhe komplekse. Tërë kjo ide ka ardhur sepse Ruben Brandt është psikoterapeut dhe personazhet tjerë duhet të jenë ngapak ose tërësisht kriminel. Kemi tentuar të krijojmë lidhje të kundërta dhe u kemi dhënë personazheve nga një detyrë që të mos jenë të mërzitshëm. 

Anibar Press: Përse keni zgjedhur animacionin? 

Milorad Krstić: Unë jam Piktor dhe anoj nga teknika 2D përkundër se tash punohet edhe me 3D. Para 20 mijë viteve ka pasur vizatime në 2D në Shpellën e Alaskos ose të Therrmiros, ku në mure janë shfaqur ato, ndërsa pas 20 mijë vjetëve mund të them se teknika 2D është ende aktuale, ani pse në 40 vitet e fundit ka filluar përdorimi i 3D. Personalisht besoj se do t’i mbajmë gjallë vizatimet dydimensionale sepse nganjëherë kanë më shumë ndikim se sa fotografitë ose se sa krijimet në 3D. Animacioni në 2D ose pikturat nuk do të vdesin kurrë.

Anibar: Tema e këtij edicioni të Anibar është “Frikërat dhe Shpresat”, dhe për këtë ne jemi duke e pyetur gjithësecilin se cilat janë të tyret?

Milorad Krstić: Frikërat dhe shpresat disi janë bashkëdyzuar në mua. Janë faqet e së njëjtës medale. Kur jeton, njeriu frikësohet për fundin e tij. Por, në anën tjetër shpreson se nuk do të jetojë në kotësi. Kështu, mund të them se këmba ime e djathë është frika ndërsa e majta është shpresa, dhe që të dyja ma mundësojnë ecjen. Pa disa frikëra nga frika, do të isha dembel. Nuk do të bëja ndonjë gjë dhe disi kjo frika se përse jeta po kalon kaq shpejtë, me detyron që ta zë, ta mbaj në hap. Sa i përket pjesës së shpresës, shpresoj se animacioni i radhës të cilin po e bëj për fëmijë të dalë i mirë.

Anibar: Cilat janë përshtypjet tuaja për Kosovën dhe Festivalin Anibar?

Milorad Krstić: Kënaqësi që jam këtu. Jam kurioz ta shoh qytetin tuaj, Pejën, sepse ka pak kohë që kam arritur. Sidoqoftë u kënaqa për qa sa pashë nga aeroporti deri këtu. Më shumë zbulim po  planifikoj sonte në mbrëmje.

Anibar: Cila është mënyra më e mirë për të ngjallur shpresë?

Milorad Krstić: Besoj se arti mund të jetë mënyra më e mirë për të vënë në lëvizje, le të themi në lëvizje të mirë dhe optimiste. Nëse mund të kapni një akord të mirë me kitarë ose nëse mund të krijoni një vizatim të mirë, kjo ndër tjera jep edhe vetëkënaqësi, përveç se kënaq të tjerët. 

Përktheu: Valton Marku

Related