Çfarë është e ardhmja? – Peja mes sfidave dhe optimizmit
Me të shkelur në Pejë, sytë të kapin një qytet që duket sikur malet e mbajnë lehtë në pëllëmbë të dorës. Në këtë qytet, natyra, historia dhe kultura shkrihen në një harmoni të rrallë. Rrugicat rrëfejnë plot histori. Aty, argjendarët, shitësit, pensionistët dhe ndonjë kalimtar që ndalon për të parë përreth, mbajnë gjallë një ritëm të kahershëm.
Por, prapa kësaj pamjeje të qetë të bjeshkëve madhështore të Rugovës, Lumbardhit dhe burimit të Drinit të Bardhë, banorët e qytetit përballen edhe me sfida të përditshme. Ne pyetëm disa prej tyre: çfarë është për ta e ardhmja në Pejë dhe çka i bën të thonë “WTF – What’s the Future?”
“Peja është qytet i gjelbër dhe vital,” thotë Virtyt Morina, shef i sektorit të turizmit në Komunën e Pejës. Sipas tij, me 75% të territorit të mbuluar nga gjelbërimi, qyteti ka potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen. Ai e sheh Pejën si një qendër që frymon përmes natyrës, kulturës, sportit, edukimit dhe jetës sociale.
“Peja ka medale olimpike – kjo tregon më së miri të tashmen dhe të ardhmen,” vazhdon ai. “Aktivitete socio‑kulturore, ekonomike, akademike e bëjnë qytetin tërheqës për banorët, biznesin, studentët dhe vizitorët.”
Sipas Morinës, Peja ka nisur të marrë një shtrirje më të organizuar, me hapësira të reja për lëvizje përgjatë lumit dhe shesheve, si dhe me përmirësim të lidhjeve urbane me zonat rurale dhe malore përreth. Megjithatë, ai bën thirrje për më shumë përfshirje, zhvillim të përbashkët, aktivizim të të rinjve dhe përgjegjësi kolektive.
“Ne mund ta kemi një zhvillim më të mirë të mundshëm por pa përfshirjen aktive të popullatës nuk do t’i vlejë askujt ai zhvillim.”
Kur kthehet pas në kohë dhe reflekton për ndryshimet që kanë ndodhur në një dekadë e gjysmë, Donjeta Rexhbogaj, juriste nga Peja, vlerëson se ka pasur shumë pak përmirësime.
“Shoh ndryshime, po jo aq sa kemi pasë nevojë. Po ndërtohen gjëra – por shpesh ndjehem sikur po humbim njerëzit. Ka më shumë ndërtesa, më shumë kafene por boshllëk në mes.”
Rexhbogaj tashmë është zhvendosur të jetojë në kryeqytet dhe ky vendim thotë se nuk erdhi nga dëshira, por nga nevoja, në veçanti për shkak të tregut të punës. Sidoqoftë, ajo mbetet optimiste se në qytet mund të krijohen më shumë mundësi.
“Shumë prej nesh janë largu, jo pse kanë dashtë, por pse s’kanë pas zgjidhje. Nuk ka hapësirë për të gjithë. Unë s’po kërkoj luks ose përralla. Veç një Pejë që nuk na detyron me ikë. Që na jep arsye me qëndru, me kontribu, me andërru. Peja ka mundësi, por duhet me guxu me e dashtë ndryshe.”
Një e ardhme e gjelbër dhe turistike për Pejën është gjithashtu vizioni i Rina Gashit, organizatore eventesh në Pejë. Sipas saj, rinia kreative dhe natyra janë baza për inovacion dhe zhvillim, vetëm se atyre u mungon përkrahje institucionale.
“Mendoj që, me pak më shumë përkrahje institucionale, mund të kthehet në një qytet model për inovacion, sepse në një qytet si Peja, ku ka rini kreative, inovacioni është çelësi për zhvillim në të ardhmen.”
Ndërkaq, Erblin Atashi, këshilltar turizmi, sheh një të ardhme premtuese në qytetin ku ai është lindur e rritur. Ai beson se në pesë vitet e ardhshme, Peja mund të zhvillojë tregun e punës dhe të krijojë një ambient shumë të favorshëm për banorët dhe investitorët.
“Peja, në pesë vitet e ardhshme, ka potencial të zhvillojë tregun e punës dhe të krijojë një ambient të favorshëm e tolerant ndaj punëdhënësve, duke nxitur investimet dhe duke ofruar më shumë mundësi për banorët e saj.”
“E ardhmja nuk është ndonjë datë larg.”
Ndryshe mendon Valdrin Daci, drejtor i portalit Peja në Fokus. Ai e lidh të ardhmen e Pejës me guximin për t’i thënë të vërtetat në mënyrë kritike. Sipas tij, qyteti ka nevojë për hapësira, treg pune dhe njerëz që nuk largohen.
“Qyteti nuk ka nevojë vetëm për beton, por për hapësira publike të gjalla, për treg pune dhe njerëz që nuk na ikën jashtë për mos me u kthy më. E ardhmja s’është ndonjë datë larg – është pyetja që i bëjmë vetes sot: A jemi duke ndërtuar një Pejë më të drejtë, më të jetueshme dhe më të sinqertë?”
Njësoj mendon edhe Alza Kryeziu, influencere nga Peja, e cila thotë se edhe pse është rritur në Pejë, shpesh nuk ndjehet si pjesë e këtij qyteti. Tregu i punës, sipas saj, është i padrejtë dhe jo shumë i qasshëm për të rinjtë që nuk i kërkojnë mundësitë me nepotizëm.
Ajo shpreson në një të ardhme me më shumë hapësira publike.
“Qyteti nuk po ofron mjaft për njerëzit që duan të qëndrojnë. Nuk po ndërtojmë një Pejë më të drejtë po thjesht një qytet më të shtrenjtë e më të zbrazët.”
Rinesa Berisha, aktiviste dhe banore e Pejës i jep emër problemit. Ajo thotë se krenaria lokale nuk duhet të çojë deri aty ku maskohen të metat strukturore. Ajo kritikon mungesën e strategjisë për zhvillim të qëndrueshëm dhe një treg pune që nuk i përgjigjet ambicieve të të rinjve.
“Peja ka potencialin të shndërrohet në një qendër ekonomike dhe kulturore për të gjithë rajonin. Megjithatë, mungon një strategji domethënëse për tërheqjen e industrive të qëndrueshme e moderne apo për mbështetjen reale të ndërmarrësve vendorë – përtej sloganeve.”
Sipas saj, tregu i punës është i ngushtë, dhe shpesh nuk përputhet me aftësitë e ambiciet e të rinjve, të cilët, në shumicën e rasteve, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen për të kërkuar mundësi diku tjetër.
Fatjona Pelaj, zë aktiv i rinisë pejane, thekson rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe përfshirjes edhe të fshatrave në jetën kulturore e ekonomike.
“E ardhmja e qytetit të Pejës mund të jëtë shumë produktive nëse dimë t’i ruajmë resurset e këtij vendi të cilat natyra na i ka dhuruar! Po ashtu inkuadrim edhe të fshatrave me anë të qendrave kulturore duke i funksionalizuar me aktivitete të ndryshme pasi në shumë fshatra, ato janë jo funksionale.”
Kurse, Dea Rrahmani, infermiere e re nga Peja, shpreh shqetësim për padrejtësitë në punësim. Ajo kërkon mbështetje konkrete për rininë e qytetit. Shpeshherë, sipas saj, mundësitë nuk bazohen në meritë apo aftësi, por në lidhje dhe favore politike.
“Unë besoj që është koha për t’i dhënë përparësi punësimit të drejtë dhe mbështetjes konkrete për rininë, në mënyrë që ata të ndërtojnë një të ardhme në qytetin e tyre, e jo jashtë tij.”
Kur pyetet “Çfarë është e ardhmja në Pejë për të?” gazetarja Jeta Lushi, shtron një pyetje: “Peja është një vend ideal për një fundjavë. Po çka pastaj?”
Sipas saj, tregu i punës është zhvendosur në Prishtinë, dhe profesione të caktuara nuk kanë hapësirë në këtë qytet.
“Nuk do ta doja një Pejë që mbetet veç një kujtim i bukur fundjave. Ky qytet e këto male të bukura duhet të jenë plot me të rinj që jetojnë, krijojnë, e ndërtojnë këtu.”
Autore: Erëza Lajqi