4 years ago

Një histori e shkurtër e Kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Historiku i Kinemasë

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në të kaluarën e njohur si Kino Rad (Kinemaja e Punëtorëve – nga gjuha serbe) u ndërtua më 1955 me para të sindikatave të punëtorëve. Kinemaja ishte ndërrmarrje për shfaqjen e filmave nën atë që quhej atëbotë Bashkësia Vetqeverisëse e Interesit për Kulturën (BVIK).

Ndërtesa e kinemasë përfshinë një sipërfaqe prej 731 m2 dhe ndahet në disa hapësira duke përfshirë: sallën kryesore, dhomën e projeksionimit, ballkoni në katin e dytë, disa hapësira të zyreve, hollet dhe tualetet. Kinemaja të ndërlidhur e ka edhe godinën e quajtur Aneks, ku në të kaluarën ka shërbyer si vend pune i sindikalistëve, nga ku besohet se edhe janë gjeneruar të mirat materiale për ndërtimin e kinemasë.

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” (ish Kino Radi) u ndërtua me qëllim që të ofroj një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa përgjatë viteve 1955-1998 shërbeu si pikë qëndrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, ku përfshiheshin shfaqja e filmave më të rinj, diskutime publike rreth filmave të ndryshëm, koncertet muzikore, shfaqjet teatrale dhe programe për fëmijë, kështu duke u bërë një prej institucioneve kulturore më të frekuentuara asokohe.

Në vitin 2002, Kuvendi Komunal i Pejës e kishte kaluar një rezolutë për t’ia vënë kinemasë emrin e veprimtarit, shkrimtarit dhe muzikantit shqiptar, Jusuf Gërvalla. Më 2016, me anë të një vendimi komunal, kinemaja me të gjitha asetet e saj iu dha në shfrytëzim organizatës jo qeveritare Anibar e cila që nga viti 2010 merret me organizimin e përvjetshëm të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar.

Në vitin 2016, Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP) e vendos objektin dhe të gjitha asetet e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në listën e objekteve për privatizim. Nisja e kundërshtimit të këtij prcoesi nga Anibari si dhe bashkëpunimi me komunitetin lokal e me Rrjetin e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, nga ku ishin bashkuar më pas edhe 80 organizata jo qeveritare tjera gjithandej Kosovës, kishin bërë që ky proces të suspendohet.

Në peticionin kundër privatizimit të kinemasë për një periudhë të shkurtër ishte arritur numri i mbi 6 mijë nënshkrimeve prej qytetarëve të Pejës.. Gatishmëria qytetare, përveç se e ka shpëtuar kinemanë nga privatizimi, ka bërë  që ky objekti të futet formalisht në listën e përkohëshme të objekteve të mbrojtura të trashëgëmisë kulturore. Sot kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar në qendër socio-kulturore dhe ka programe aktive javore.

Brenda Kinemasë “Jusuf Gërvalla” ndër vite

 

Në Kino apo te Kino-Teatri a te Filmi siç njihej ndryshe nga banorët e Pejës, shfaqeshin filma të zhanreve të ndryshme. Nëpër periudha të ndryshme janë shfaqur lloje të ndryshme të filmave, ku në bazë të afisheve që kanë mbetur në arkivat e kinemasë, vërehet se në vitet ‘60 dominonin filmat që njihen si “Western”, ndërsa në vitet ‘70 dominonin filmat indian të “Bollywood”, kjo për faktin se filmat e llojit “Western” kishin marrë famë gjithandej nëpër botë, ndërsa filmat e kinematografisë indiane ishin shtrirë edhe në Kosovë.

Në vitet ‘80 vërehet dominimi i filmave aksion dhe një prezencë e filmave aziatik që karakterizohej me këtë zhanër. Përgjatë viteve ‘80, janë shfaqur edhe filmat fanta-shkencor të përziera me aksion.

Filmat të cilat shfaqeshin nëpër kinema vinin falë bashkëpunimit të një rrjeti joformal të kinemave në ish-Jugosllavi. Filmat që shfaqeshin në Kinema “Jusuf Gërvalla” ishin filmat më të rinj të kinematografisë botërore ndërsa ato shfaqeshin pasi që u vinte radha kinemave të Kosoves. Shiritat filmik përdoreshin sipas programve të kinemave. Produksionet bliheshin me licensa vjetore e viheshin në dispozicion nga shtëpitë e shpërndarjes. Ndër ta kishte edhe filma me porosi sipas shijeve e kërkesave të publikut. Për shfaqjen e filmave kinemaja ka bashkëpunuar me të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë pasi që secila nga republikat kishe shtëpitë e veta të prodhimit filmik. Shiritat filmik që siguroheshin për shfaqjen e filmave barteshin nëpër gjithë kinematë e ish-Jugosllavisë dhe disa nga këto shirita filmik vazhdojnë të jenë pjesë e arkivës së kinemasë  të cilat kanë mbetur aty nga pamundësia për tu dërguar në kinema të tjera për shkak të fillimit të krizës dhe të luftërave në ish-Jugosllavi. Filmat shfaqeshin në tri e ndonjëherë edhe katër orare të ndryshme ditore: 11:00, 14:00, 17:00 dhe i fundit në ora 19:00. Në raste kur frekuentimi i ndonjë filmi ishte i lartë, ka pasur raste të shpeshta ku biletat janë shitur në treg të zi me çmime më të larta.

Për një periudhë të caktuar në kinema janë shfaqur edhe filmat pornografik dhe erotik. Sipas ish-zyrtarës së kinemasë, Francika Hoxha, filmat erotik janë shfaqur për një periudhë një vjeçare dhe janë shfaqur në një kohë kur kinemaja përballej me një krizë ekonomik. Ky lloj i filmave thuhet se ishte shfaqur me qëllim të përfitimit më të madh financiar.

Përveç programeve të rregullta të shfaqjes së filmave, brenda në hapësirat e kinemasë organizoheshin shpesh edhe koncerte e përformanca të grupeve të ndryshme teatrale e muzikore. Në kuadër të aktiviteteve të kinemasë kujtohen edhe shkëmbimet artistike që vinin nga Shqipëria ku shpesh grupe ansamblesh popullore vinin e organizonin përformanca të ndryshme. Ndër grupet teatrore që vizituan kinemanë ishin trupa teatrore e teatrit “Aleksander Mojsiu” nga Durrësi apo trupa teatrore e treatrit “Ndrek Luca”. Përveç trupave teatrore pati edhe shfaqje të filmave nga Shqipëria siç ishte filmi “Debatikët” i regjisorit Hysen Akani. Kishe edhe realizime filmike në bashkë-produksion mes “KosovaFilmit” dhe produksioneve nga Shqipëria, ndër ta ishin filmat: Tinguj Lufte (1976) e regjisorit Xhanfise Keko. Ky film ishte realizuar si një bashkë-produksion mes shtëpive filmike KosovaFilm dhe produksionit Shqipëria e Re. 

Ishte edhe filmi “Lulëkuqet mbi Mure” (1976) i regjisorit Dhimiter Anagnosti. Një tjetër film qe u shfaq ishte edhe filmi që ishte  bazuar në romanin “Bonjakët” i shktimtarit Petrat Qafëzezi. Kishte edhe bashkëpunime të tjera por të cilat pas viteve të ‘80, me fillimin e ndryshimit te situates politike u reduktuan dukshëm.  

Për shfaqjen e filmave dhe realizimin e aktiviteteve të tjera, kinemaja shfrytëonte edhe disa prej hapësirave tjera; në qytet shfrytëzonte objektin e kinemasë aktuale dhe teatrin e vetëm (sot Teatri “Istref Begolli”), si dhe hapësira të ndryshme varësisht aktiviteteve. Kinemaja përveç hapësirave në qytet ka përdorur edhe salla alternative nëpër nëpër fshtra si në Barani, Isniqi, Zahaqi apo edhe Vitomerica. Shfaqja e filmave bëhej me projektorët e lëvizshëm të “Kino Rad”-it të atëhershëm të cilët mundësonin edhe shfaqjen e filmave të në fshatra rreth qytetit të Pejës. Në Vitomericë ekziston akoma salla e projeksionit e cilat janë ende funksionale por jo me kapacitete të plota.

 

Article Image

Kinemaja mes dhunës dhe represionit të viteve ‘90

 

Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90 ndodhën një sërë ngjarjesh të cilat e paraprinë fillimit të zhbërjes së Jugosllavisë. Në vitin 1989 u suprimua autonomia e Kosovës nga regjimi serb ku Kosova humbi të gjitha fuqitë legjislative dhe ekzekutive që ia garanonte kushtetuta e vitit 1974. Një vit më pas (1990) nxënësit dhe studentët e Kosovës u detyruan të largoheshin nga shkolla, në anën tjetër më 1991 filloi lufta në Kroaci, paralelisht me luftën në Kroaci, u zhvilluan edhe një konflikt I shkurtër mes Serbisë dhe Slovenisë. Ndërsa në 1995 filloi lufta në Bosnje. 

Këto thyerje të mëdha dhe ndryshime të përgjithshme politike në ish-Jugosllavi dhe fillimi i dhunës dhe represionit ndaj Kosovës në veçanti – që në raste të caktuara u shoqëruan me trazira dhe protesta – paralajmëruan fillimin e krizës nga e cila u ndikuan e gjitha sfera sociale dhe politike në rajon. Nga kjo krizë politike dhe sociale nuk mbeti pa u ndikuar as Kinemaja e qytetit të Pejës pasi që shfaqja e filmave ndërprehet pasi që Kosova mbeti pa distributer të filmave, marrë parasysh që kinemaja ende funksiononte si ndërrmarje e pavarur dhe qëndrueshmëria e tyre financiare varej nga shitja e biletave, mungesa e shfaqjes së filmave nënkuptonte edhe mungesë të mjeteve financiare, rrjedhimisht edhe aktivitete më të pakta.

Megjithë mungesen e shfaqjes së filmave, kinemaja mbeti aktive me disa koncerte dhe shfaqje teatrale. Disa prej shfaqjeve teatrale ishin realizuar nga disa shoqëri kulturore artistike siç ishin: Rugova, Gora e tjera. Kishte edhe shfaqje tjera teatrale të realizuara nga aktorët e teatrit të Gjakovës që u realizuan për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Një shfaqje tjetër teatrale që kishe zgjuar vëmendjen më të madhe të shikuesve ishte komedia e Faruk Begollit, “Profesor jam talent se jo mahi”.

Në disa raste të caktuara aktivitetet e kinemasë ishin ndërprerë, ku organizatorët apo edhe përfomuesit ishin larguar dhunshëm nga skena duke u dërguar nëpër stacione policore, nga ku janë marrë në pyetje informative rreth organizimeve të kinemasë, por në raste është ushtruar edhe dhunë fizike mbi ta. 

Kinemaja u mbyll ne vitin 1998, kur edhe zyrtarisht filloi lufta në Kosovë.

 

Article Image

Një jetë e re gërmadhash kulturore në Pejë: Kinema “Jusuf Gërvalla” pas viteve 2000

 

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës ishte shkatërruar. Fatin e shumë objekteve të qytetit të Pejës e kishte pasur edhe kinemaja e qytetit e cila ishte dëmtuar në masë të madhe. Për aktivizimin e saj duhej të investohej një shume e konsiderueshme për të renovuar pjesën më të madhe te objektit. Donatorët fillestar u gjenden në Itali, ndërsa si ide fillestare ishte shndërrimi i kinemasë në teatër klasik, meqë godina e Teatrit “Istref Begolli” ishte nën kontrollin e KFOR-it italian. 

Marrë parasysh këtë situatë, ishte pikërisht KFOR-i italian bashkë me UNMIK-un që e bëri të mundur  të arrihej një marrëveshje që objekti i kinemasë të renovohej si objekt multifunksional, ku të inkorporuar e ka kinemanë edhe teatrin. 

Financimi i realizuar më vitin 2000 vlerën e 500 mijë markave gjermane.

  • 235 mije marka gjermane ishin dhuruar nga Communita di Biela (Piemonte), nëpërmjet Missione Arcobaleno.
  • 200 mijë marka gjermane u siguruan nga Agjensioni Europian për rindërtim
  • 65 mijë marka gjermane u siguruan nga Fondi I KB. 

Falë këtij investimi ishte renovuar tërë ndërtesa si dhe ishin ndërruar pajisjet audio dhe projektuese. Sidoqoftë renovimi  që i është bërë objektit ia ka humbur formën dhe arkitekturën e kohës, rrjedhimisht, objekti kishte humbur një pjesë të identitetit të vet duke e ulur numrin e ulësve, zhdukur lozhat anësore dhe duke ndryshuar katërcipërisht strukturën e skenës. Përgjatë procesit të renovimit, kinemaja ka qenë e mbyllur nga data 1 korrik 2000 për t’u rihapur me datën 22.02.2001. 

Pas restaurimit të objektit, kinemaja ka vazhduar me aktivitetin e vet. Në arkiven e Kinemasë figurojnë dy marrëveshje për shfaqjen e filmave për vitin 2001. Në marrëveshjen e parë të nënshkruar mes Kinemasë “Jusuf Gërvalla” dhe “Kino-Studio Tiranë” sigurohen nëntë filma ku të gjitha janë prodhimtari shqiptare. Në marrëveshjen e dytë në mes të Kino-teatrit “Jusuf Gërvalla” dhe “Doni LTD” që merrej me distrubuim e filmave, u siguruan katërmbëdhjetë filma, ku që të gjitha ishin të produksioneve amerikane.

Në vazhdimin e dekadës së parë të shekullit të ri aktivitetet u bënë gjithnjë e më sporadike ku mund të ceken disa filma jo shumë të vlerësuar apo edhe ndonjë manifestim i rrallë ndërkomunal. Kjo situatë me mungesa të shumta të aktiviteteve në kinema kishte vazhduar pothuajse deri në vitin 2016, kohë kjo kur Anibar kishe nisur edhe formalisht menaxhimin e kinemasë, ani pse prej vitit 2010 e shfrytëzonte përgjatë festivalit.

 

Article Image

Anibar: ruajtja dhe rivitalizimi i Kinema “Jusuf Gërvalla”

 

Anibar është një organizatë joqeveritare, e themeluar në vitin 2010, e cila merret me organizimin e Festiavlit Ndërkombëtar të Animacionit.  Themeluesit e Festivalit Anibar ishin disa të rinj të apasionuar pas animacionit të cilët si qëllim kishin shfaqjen e filmave të animuar të metrazhit të shkurter.  

Qe nga 2014 Anibar kishte nisur bisedimet me Komunën e Pejës për ta rritur numrin e aktiviteteve në kinema, anipse Anibari e shfrytëzonte kinemanë që nga viti 2010 për aktivitetet e saj pergjatë periudhës së festivalit. Tek në vitin 2014 kinemaja nisi të ringjallej me programe, pas bisedimeve të shpeshta me Komunën e Pejës, të cilat silleshin përreth qëllimit të rritjes së aktiviteteve të kinemasë e që njëkohësisht kjo të ndikonte edhe në rivitalizimin e objektit i cili nuk kishte qenë aktiv për disa vite. Pas përfundimit të bisedimeve me Komunën e Pejës, Anibari filloi të krijonte programe vjetore. 

Në vitin 2016, Anibar ofroi një program 15 vjeçar me aktivitete që kishin për qëllim revitalizimin e objektit dhe ringjalljen e iniciativave kulturore në Pejë. Prezantimi i programit me aktivitete edukative ndikoi në fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës publike. Në po këtë vit, Kuvendi Komunal përmes një vendimi ia dha në shfrytëzim Anibarit kinemanë për një periudhë 15 vjeçare. Programi i aktiviteteve që Anibar kishte prezentuar përfshinte aktivitete si: shfaqjan efilmave, panele diskutimi e debate, koncerte e pa përjashtuar punëtoritë e ndryshme dhe zhvillimin e Akademisë së Animacionit. 

Për punëtori, Akademinë e Animacionit dhe aktivitete të ngjashme, aktualisht shfrytëzohet Aneksi i kinemasë ku në të kaluarën ishin të vendosura zyrat e sindikatave.

Sidoqoftë, kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete ditore për shkak të mungesës së kushteve teknike siç është mungesa e projektorit digjital  i cili do të mundësonte edhe shfaqjen e filmave me te rinj. Përkundër këtyre vështirësive, mund të thuhet se Kinema “Jusuf Gërvalla” është burimi më i efektshëm alternativ i programeve edukativo-kulturore.

 

Arkiva e kinemasë

 

Ndër asetet e trashëguara nga Anibar është edhe arkiva e kinemasë, në të cilën gjenden postera të filmave që shfaqeshin çdo ditë, katalogë, broshura, fletushka të filmave; pajisje për projeksion si dy projektorë të lëvizshëm, tre projektorë statikë me shirit, disa shirita filmikë të periudhës së para luftës së Kosovës, makina shkrimi, makina për shtypjen e biletave si dhe disa dokumente administrative.

Afishet e filmave janë kryesisht të produksioneve amerikane, europiane e aziatike, të zhanreve të ndryshme si dramë, komedi, romancë, aksion, erotik, fantashkencor, dokumentarë, triller, horror, filma për fëmijë, dhe datojnë prej viteve 1950 e deri në fund të viteve 1990. Një pjesë e afisheve shoqërohet me kartolina dhe broshura të filmave, të cilat shpërndaheshin në pika të ndryshme të qytetit për të lajmëruar aktivitetin e radhës. 

Afishet variojnë në tipologjinë e letrës dhe të formatit. Disa syrësh paraqesin edhe ilustrime. Pjesë e arkivës së kinemasë janë edhe dokumente dhe udhëzues të përdorimit të pajisjeve të periudhës së para luftës, katalogë dhe inventarë të shtëpive të ndryshme të shpërndarjes të Jugosllavisë së asaj kohe që siguronin filmat më të fundit të kinematografisë botërore. Katalogët e filmave janë të një intervali kohor një vjeçar dhe përmbajnë të dhëna për zhanrin e filmit, vendin dhe vitin e prodhimit, regjisorin, aktorët, minutazhin, teknikën, shtëpinë e shpërndarjes, gjuhën origjinale si dhe paraqesin një përmbajtje të shkurtër të filmave. Ndër ta bien në sy edhe katalogët e festivaleve të filmit, që prezantojnë filmat pjesëmarrës në këto evente. Disa prej katalogëve, përveç të dhënave të përgjithshme rreth filmave, shërbejnë edhe si inventarë të filmave të shfaqur përgjatë një viti në kinema.

 

 

Article Image

Projektorët lëvizës përmes së cilëve u shfaqën filmat në fshatrat e rrethit të Pejës. Këta prjektorë vazhdojnë të jenë pjesë e arkivës së Kinemasë “Jusuf Gërvalla” dhe janë të ekspozuara  në hollin e kinemasë në baza ditore.

 

 

Article Image

Projektor (32mm), sjellur në vitin 2001 pas renovimit të bërë nga donatorët italian

 

 

Article Image

Zhanri Dramë, Romancë
Viti 1994
Titulli Origjinal Forrest Gump
Regjisor Robert Zemeckis
Vendi i prodhimit SHBA

 

Article Image

Në arkivat e kinemasë kanë mbetur një numër i madh kartolinash të cilat janë shperndarë në pjesët me të frekuentuara të qytetit. Këto kartolina ishin me skena të ndryshme të cilat paralajmëronin filmin e rradhës që do të shfaqej.

 

Filmi në Kino Rad

 

Në arkivat e kinemasë një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe katalogëve të produksioneve filmike të “Kosova Film”. “Kosova Filmi” si shtepi filmike ishte e themeluar më 20 shkurt 1969 si organizatë për prodhimin, ekranizimin dhe shpërndarjen e filmave. Fillimisht ka prodhuar filma me metrazh të shkurtër e dokumentarë e pastaj duke vazhduar me filma edhe të metrazhit te gjatë. Me fillimin e produksionit të pavarur u vunë themelet e prodhimtarisë filmike origjinale, të cilat paraqisnin kulturën dhe tradinën vendore. Filmat që realizoheshin nga “Kosova Filmi” ishin bashkë-produksion me shtëpi të tjera të prodhimit filmik.   Një nga filmat që ka pasur sukses më të madh nga prodhimtara e “Kosova Film” e që është shfaqur edhe në Kino Radin e atëhersh është “Rojet e Mjegullës” nga regjisori Isa Qosja.

Fondi i “Kosova Film” i është bashkangjitur fondit arkivor të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Article Image

Zhanri Dramë
Viti 1988
Titulli Origjinal Rojet e Mjegullës
Regjisor Isa Qosja
Shtëpia e prodhimit Kosova Film

Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.

“Botim ky që është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Anibar  dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose IKS-it, Lens-it dhe FES-it”

“Projekti i Anibarit “Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës” realizohet në kuadër të projektit GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.” 

 

Ekipi i hulumtimit:

Granit Karagjyzi

Lum Radoniqi

Arlinda Kastrati

 

Konsulent: Valton Marku

Dizajner: Panot Mahmutaj

Related