5 years ago

Panorama të bukurua dhe kuptimplote jashtë garës

Pjesa e ndarë për të ashtuquajturën Panorama Jashtë Garës (Panorama Out Of Competition), është përmbledhje e filmave që për disa arsye ose pak syrësh nuk kanë arritur të jenë pjesë e garave këtë edicion të Anibar.

Sidoqoftë, kjo pjesë e krijuar enkas për këta filma zë vend jo më pak të rëndësishëm sepse në të shfaqën filma aq të bukur saqë mund të cilësohen si panoramike. Në Panorama Jashtë Garës, në edicionin e X të Anibar marrin pjesë këto filma: “Orbita”, “Swatted”, “Djaloshi i madh” (Big Boy), “Le Mans” dhe “Gjëra të thyera” (Broken things). Që të gjitha këto filma karakterizohen me teknika animacioni jashtëzakonisht të punuar me zell, për përbajtje, rrëfime e referenca historike.

Filmi “Orbita” e regjisores Tess Martin përmban vizualizime që ngërthejnë teknika që nga “cut-out”, “stop-motion” dhe të asaj me tush. Duke pasur në mendje galaktikën, fillimi i këtij filmi pasqyron parahistorinë e planetit tonë përmes shfaqjes së gjendjës së vrazhdë fillestare me gjallesa e me ndërhyrje jonatyrore. Vizatimet që i hasim në këtë animacion e japin përshtypjen se çdo gjë që sillet përreth natyrshëm bie në vendin e vet.

Filmi “Swatted” (Ismaël Joffroy Chandoutis) i realizuar në 3D shpjegon një fenomen jashtëzakonisht interesant që si burim ka disa të bëma në internet. Të apasionuarit pas lojërave onllajn bashkë me shpenzimin e orëve e inçizojnë edhe veten teksa luajnë. Kjo nuk ka mbetur pa u gjahtuar nga hakerët. Ekspozimi onllajn rrezikon përherë të ekspozojë edhe të dhënat personale; adresën e banimit, numrin e telefonit, llogarinë bankare e të ngjashme. Ky film, i realizuar përmes imazheve skeletore të një loje dhe duke përdoru edhe teknikat e “live-action”, e pasqyron me shumë pedanteri këtë fenomen. Tash e sa kohë hakerët po fabrikojnë disa situata kriminale dhe për adresë po japin adresat e lojtarëve onllajn. Ky film, është pasqyrues i tmerreve të policisë “swat”, pamjet të cilëve janë zënë teksa lojtarët onllajn po e inçizonin veten, ndërsa përmes narracioneve në formë të dëshmive transmetohen rastet e këtij fenomeni.

Filmi “Djaloshi i madh” i regjisorit Jonathan Phanhsay-Chamson flet për një djalosh të madh e të zhveshur që jeton me poezi. Bota e tij është një terren i pazbuluar. Përmes teknikës së animacionit në 2D transmetohet me shumë ngjyra ecja e tij deri tek dekonstruktimi i pikëpamjeve të tij për botën.

Një nënë dhe një vajzë. Kështu fillon filmi “Gjëra të thyera” (Broken Things) e regjisores Anna Gyulai. Zymtësi gjithandej. Që të gjithë në një familje po e luftojnë rëndesën e padurueshme të qenies. Një nënë e mbuluar me tymin e cigarës dhe pa mendje. Gjyshja në anën tjetër e ngërthyer në botën e saj plot degë. E vetmja që ka mbetur në vrojtimin e këtyre dyjave është një vajzë e re. Ajo po përballet me depresionin. Por, fantazinë e saj nuk mundet askush ta mohoj. Ky është shpëtimi i saj kundruall realitetit. Përmes ilustrimeve në 2D, në “Gjëra të thyera”, na sipërfaqësohet maksima se përballja me sfida është zgjidhje e vetme.

Le Mans 1955” është vizualizimi i historisë së garave automobilistike të Le Mans më 1995. Atëbotë mbahej gara me vetura e quajtur “24 Hours of Le Mans”. Mercedes kishte ekipën e vet, sikurse e kishte edhe Jaguar dhe shumë marka tjera të veturave. Por, kjo në aspektin historik nuk ishte garë e zakonshme. Më 11 qershor 1955 ndodh fatkeqësia më e madhe e garave automobilisttike. Në Le Mans atëbotë vdiqen mbi 80 shikues dhe mbi 120 tjerë u lënduan, ndërkaq e gjithë ngjarja ishte përcjellur nga mbi 300 mijë syrësh që ishin prezent. Përrmes teknikës në 2D, filmi kapërthen këtë fatkeqësi historike. Por, duke mos u mjaftuar veç me rrëfimin, regjisori Quentin Baillieux në qendër të filmit ka vendosur një figurë tjetër që historia me shumë gjasë nuk i ka dhënë shumë rëndësi. Ai është John Fitch. Ndihmës shofer i Pierre Levegh – figurë kjo që humbet jetën në këtë garë dhe copëzat e veturës tij i marrin jetërat e shumë njerëzve në momentin kur lëron në publik – dhe njeri që refuzon zëvëndësimin e tij për shkak të subjektivitetit të lartë për jetërat e humbura. Insistimi i Fitch detyron menaxhmentin e Mercedes të pezulloj garën. Prej asaj date, Mercedes nuk mori pjesë në gara automobilistike për mbi 40 vjet, ndërsa John Fitch e vazhdoi karrierën duke ia kushtuar jetën sigurisë në gara.

 

Valton Marku

Related