Rock Bottom – Një film ku rrëfimit ia njohim të ardhmen
Film i animuar me regji të Maria Trenor
Si një cift iriqesh, që shumë duan të qëndrojnë bashkë, po aq shumë e gjembojnë njeri-tjetrin. Kështu njihemi me jetën e artistit të mirënjohur Bob Wyatt, e portretizuar në mënyrë të metaforizuar në filmin e animuar me regji të Maria Trenor.
Këtë edicion të Anibar, tema e fokusuar mbi se si do të formësohet e ardhmja, ka bërë vend edhe për filma të cilët e reflektojnë format e biografisë dhe të shkuarës si një mënyrë për ta menduar të ardhmen si një yll që mundemi me ia pa, ashtu sic ndodh, dritën që ka ndrirë në të shkuarën. Kështu me jetën e Wyatt, një nga personalitet më të rëndësishme të mënyrës se si e perceptojmë muzikën e viteve ‘70 në botë, e marrim me vete një reflektim mbi jetën e jetuar në limite.
Paraqitja e Trenor, fokusohet në momentet kulmore të jetës së Wyatt, të kthimit të tij nga udhëtimi iluziv në Majorka e deri në momentin që artisti paralizohet dhe dëmtohet rëndë në shtyllën kurrizore – e kështu autorja e ndërton një cikël që shkriftohet dhe rimerret natyralisht duke kthyer si në ëndërr momentet kufitare të lirisë së cmendur të artistit deri në zaptimin fizik të tij në shtratin e spitalit.
Me një stil të animimit të ëndërrt gëlon në momentet euforike në shpërthime ngjyrash duke e fiksuar estetikën hippie të viteve ‘70 me zhdërvjelltësi tej mase moderne. Duke përdorur teknika të animimit rotoskopik, duke përdorur materiale të bollshme arkivore dhe duke e krijuar një atmosferë spektakolare në ndërthurje me pjesë nga diskografia e e Wyatt, e bën këtë film një poezi të gjallë vizuale.
Për këdo që nxitet ta shohë, do ta gjejë momentin kur Wyatt gjendet në Majorka duke dëgjuar “Sea Song” teksa xixëllin mundësia e pafund e jetës, kur artisti është duke krijuar material për albumin e tij solo dhe momenteve që e sjellin të ardhmen më afër, e kuptojmë që jeta e tij, ndryshon në mënyrë të pakthyeshme.
Nuk është vetëm tragjedia jetësore e portretizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë e pa dorashka, porse e gjithë atmosfera e viteve ‘70 e sjellë në gjithë lavdinë e vet, mes kostumografisë, atmosferës, delirit, hutisë, zbulimit të vetes dhe varësitë nga substancat, që e bën jetën e artistëve dhe të njerëzve që e kanë shenjuar atë gjeneratë, një nga më frymëzueset për ta treguar hidhësinë dhe ashpërsinë e fateve njerëzore.
Një nga marrëdhëniet që narrativizohet në film dhe që ndjek qerthullin e kthimit dhe përshpejtimit të kohës, është ajo mes Bobit dhe Alfit. Alfi është bashkëshoqëruesja e Bobit sipas klishesë së vjetër, në të mirë e në të keq, e gjendur në zgrip të të kuptuarit se si do të vijojë jeta e saj dhe të qenurit pranë një njeriu që e konsumon atë në një mënyre krejt specifike dhe individuale. Shpesh partneret e artistëve shihen në mënyra të tilla sakrifikuese, por që Alfi, me një guxim të jashtëzakonshëm, e kthen jetën e saj në një burim force dhe qendrueshmërie për të dy.
Cfarë e bën kaq sugjestionues këtë krijim është edhe muzika e Wyatt që lidhet në mënyrë fluide me rrëfimin, herë duke e drejtuar atë, e herë duke e qëndruar në prapavijë duke lënë rrokullimën e ngjarjeve ta riimagjinojnë jetën e artistit, duke e sjellë një efekt të zhvendosjes, të ikjes, të një përplotësimi sa të ëmbël e të tharptë për rrjedhat e fatit.
Puna e Trenor dhe ekipit të saj vërehet në të kuptuarit dhe bluarit të viteve të ‘70 si një përvijim në kohë dhe hapësirë që e lë jehonën edhe në ditët tona. Ky lexim i jetës kulturore e trupëzuar në historinë e Wyatt, nuk vjen as si mësim i thellë, por si një pranim që përbihet dhe brendësohet si për të kuptuar që ndonjëherë nuk kemi pse ta kuptojmë të ardhmen. Ndoshta mund t’i këndojmë, mund ta rikrijojmë, po jemi ne gjilpëra ku shkohet fija, e ne duhet thjesht në mënyrë të përkundërt e pragmatike, vec të endim.
Autore: Blerina Kanxha
Foto: Anibar/ Ferdi Limani