Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit
Përvoja dhe Shpresat për të Ardhmen
Në një kohë kur industria e animacionit po ndryshon me një ritëm të paparë, paneli me titull “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit” solli diskutime të rëndësishme mbi sfidat dhe mundësitë që animatorët nga Kosova dhe Ballkani kanë për të çuar projektet e tyre të animuara përtej kufijve lokalë.
Ky program, pjesë e iniciativës Ask the Pro, i ofroi krijuesve të rinj dhe atyre me përvojë një pasqyrë të thelluar mbi modelet e bashkëprodhimit, strategjitë për të prezantuar projektet para trupave ndërkombëtare të financimit, si dhe këshilla praktike për të ndërtuar rrugë të qëndrueshme brenda skenës evropiane dhe asaj globale të animacionit.
Diskutimi u moderua nga Aneta Ozorek, Drejtoreshë Artistike e Festivalit të Animacionit Kaboom në Holandë, një festival i njohur për qasjen e tij të guximshme dhe inovative. Në panel morën pjesë ekspertë të fushës si: Corinne Destombes, Shefe e Zhvillimit në studion franceze Folimage; Britt Raes, regjisore dhe ilustratore belge; Olivier Catherin, etnolog dhe mbështetës i kahershëm i animacionit në Francë; Aaron Wood, bashkëthemelues i “Slurpy Studios” në Londër; dhe Lucia Dubravay Trautenberger, menaxhere kulturore me një përvojë të gjerë si gazetare dhe përkthyese.
Ozorek e hapi diskutimin me një pyetje nga audienca: “Çfarë e pret të ardhmen e animacionit?”
“Financimi në përgjithësi në gjithë Evropën, nuk shoh ndonjë problem të madh për animacionin,” u shpreh Olivier Catherin. “Mund të ketë disa vështirësi për sigurimin e fondeve, por asgjë më tepër.”
Nga ana e studios, Corinne Destombes shtoi: “Para një viti do të thoja se kompanitë e mëdha e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ato të vogla. Sot ka më shumë fleksibilitet, por sigurimi i financimit mbetet ende një sfidë.”
Lucia Dubravay Trautenberger solli një shembull të drejtpërdrejtë nga përvoja në Sllovaki: “Po përballemi me shumë sfida. Në Sllovaki kemi probleme me financimin. Por po mësojmë si të shesim filma, e fillojmë që nga fillimi. Ka shumë institucione arsimore, dhe megjithëse është shumë e vështirë, duhet të mendojmë strategjikisht për të rritur rrjetet tona.”
Regjisorja belge Britt Raes u ndal tek balanca mes kreativitetit dhe realitetit ekonomik: “Ndikimi më i madh është në industrinë komerciale. E dimë mirë si është të krijosh gjëra që nuk na sjellin shumë të ardhura. Gjërat po ndryshojnë dhe shpresojmë që më shumë fonde të jenë të qasshme për të gjithë. Por realiteti është se ndërsa fondet nuk rriten, kostoja e jetesës po.”
Duke e rikthyer diskutimin te thelbi i shqetësimeve të audiencës, Aaron Wood i nxiti pjesëmarrësit të mendonin në mënyrë konstruktive: “Të flasim për të ardhmen dhe për çfarë mund të bëjmë që të shtyjmë kufijtë dhe të lidhemi përtej skenave tona lokale.”
Kur u fol për producentët e rinj nga Kosova dhe rajoni, panelistët nuk ngurruan të theksonin sfidat konkrete. “Producentët e rinj kanë shumë sfida,” tha Lucia. “Një nga problemet më të mëdha është se shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e kuptojnë të gjithë ekosistemin, si funksionon financimi, si të navigosh në festivale, si të prezantosh projektet në mënyrë efektive.”
Paneli i diskutimit u përmbyll me pyetje dhe biseda të hapura mes panelistëve dhe animatorëve të rinj kosovarë që ishin në audiencë, studentë të Akademisë së Animacionit Anibar, pronarë të studiove të vogla të animacioni dhe të rinj kreativë nga ky cep i qetë i Kosovës, që ëndërrojnë të tregojnë storiet e tyre jashtë vendit. Disa ndanë përvojat personale dhe morën këshilla të drejtpërdrejta si ta bëjnë punën e tyre më të dukshme në skenën ndërkombëtare.
Nëpërmjet reflektimeve dhe ndarjes së hapur të përvojës, paneli dha një mesazh të qartë: të depërtosh në peizazhin ndërkombëtar të animacionit është plotësisht e mundur për krijuesit nga Kosova dhe Ballkani, nëse qëndrojnë të lidhur, të informuar dhe të gatshëm që të rriten përtej kufijve.
Autore: Gentiana Ahmeti
Foto: Anibar/ David Çavollari