5 muaj më parë

Kush e tregon storien? Kinemaja etike në një botë të fragmentuar

Në një pasdite të qetë në Pejë, qendra kreative “Dukagjini” u kthye në një hapësirë reflektimi për artin e rrëfimit. Paneli me temën “Rrëfimi etik dhe përfaqësimi në film” solli në një tryezë të përbashkët regjisorë të vlerësuar, animatorë dhe menaxherë kulturorë, për të eksploruar një pyetje thelbësore për kinemanë bashkëkohore: Çfarë do të thotë të tregosh storien e dikujt tjetër dhe si ta tregosh në mënyrë të përgjegjshme?

Në një botë ku përmbajtja prodhohet pandalë dhe ku zërat shpesh mbivendosen, ky diskutim ofroi një ndales. Një hapësirë për të pyetur jo vetëm si tregojmë storiet, por pse, për kë dhe si.

I moderuar nga regjisori dhe antropologu i mediave, Lum Çitaku, paneli bashkoi tri perspektiva të veçanta: Natasza Cetner, animatore surrealiste me bazë në Londër; Luc Camilli, bashkëthemelues i studiove të animacionit La Ménagerie dhe Les Affranchis në Francë; dhe Trëndelina Halili, regjisore nga Prishtina, me rrënjë në gazetari dhe rrëfim të përjetimeve personale pas luftës.

Ajo që i bashkonte të gjithë ishte bindja se etika në rrëfim nuk është një opsion është domosdoshmëri.

Kur etika fillon me qëllimin

Për Luc Camilli, përgjegjësia ndaj rrëfimit nuk fillon në fazën e montazhit apo regjisë, por shumë më herët tek vetë ideja dhe burimi i saj.

“Zgjedhja e temës vjen nga autorët. Sigurisht që duhet të kem kujdes se kush po e propozon temën, çfarë qëllimi ka, prej nga vjen burimi i informacionit.”

Luc theksoi se edhe në animacion, ku shumëkush mendon se ka më shumë liri artistike, struktura etike është thelbësore:

“Kur prodhojmë animacion, përdorim tingujt që dëshirojmë dhe formësojmë fjali që ndonjëherë kanë ndjeshmëri etike për shembull përputhshmëria me atë që një person e ka thënë apo e ka nënkuptuar. Marrim gjithmonë feedback në çdo projekt që punojmë.”

Article Image

Kur historia personale bëhet përgjegjësi kolektive

Për Trëndelina Halilin, etika në film është edhe më intime. Filmi i saj “Prishtinë 2002” rrjedh nga një përvojë personale pas luftës në Kosovë.

“Prishtinë 2002 është një histori personale. Personalisht, më emocionojnë më shumë historitë personale si regjisore… Zakonisht janë shumë të rëndësishme për t’u thjeshtësuar ose për t’u bërë intelektuale.”

Edhe pse trajton një periudhë të ndjeshme, ajo nënvizoi se sfida më e madhe ishin aktorët ,adoleshentë dhe jo-profesionistë që kërkonin kujdes të veçantë.

“Ishte e ndjeshme në atë aspekt, por historia vetë ishte e lehtë.”

Duke iu kthyer çështjes etike në një kuptim më të gjerë, Trëndelina ngriti një nga pyetjet më thelbësore të diskutimit:

“Kur flasim për etikën, të gjitha rregullat vlejnë edhe për animacionin. Kur flasim për rrëfim, besoj se të gjithë pajtoheni që është e rëndësishme: Pse dua ta tregoj këtë histori? dhe A jam unë personi i duhur për ta treguar këtë histori?”

Article Image

Abstraksioni si mënyrë për të treguar të pa treguarën

Për animatoren Natasza Cetner, rrëfimi nuk ndodh gjithmonë në mënyrë lineare apo dokumentare. Ajo përdor abstraksionin për të shprehur realitete të rënda që nuk mund të përshkruhen lehtësisht.

“Është diçka abstrakte që nuk mund ta imagjinojmë. Është diçka që mund të lidhet me pandeminë  kjo është krahasimi më i afërt, por nuk mund ta imagjinoj të jem e mbyllur në një dhomë të vogël për njëzet vjet. Bëmë çfarë mundëm me historinë.”

Në këtë kontekst, etika nuk qëndron vetëm në përfaqësim, por edhe në përpjekjen për të mos folur në emër të dhimbjes, por për të komunikuar me të.

Etika nuk është përgjigje, është proces

Ajo që e bëri këtë panel të veçantë ishte pikërisht fakti që nuk dha përgjigje të gatshme, por ngriti pyetje të vështira dhe të nevojshme.

Kush ka të drejtë të tregojë një storie? Si ndikojnë raportet e pushtetit në mënyrën si formësohen tregimet? Si mund të balancohet liria krijuese me përgjegjësinë morale, sidomos në shoqëri që ende bartin plagët e konfliktit?

Dhe ndërsa në sallë ndodheshin animatorë të rinj nga Kosova, kjo thirrje për reflektim u përcjell me vëmendje. Disa ndanë dilemat e tyre. Të tjerë vetëm dëgjuan me mendjen te filmi që ndoshta do ta bëjnë nesër.

Autore: Gentiana Ahmeti 

Foto: Anibar/ Ferdi Limani

Related