Një letër dashurie për dashurinë
Në dashuri, gjithcka shpërbëhet si retë në ditë të nxehtë.
Çfarë ndodh kur kufijtë e personales përzihen me kufijtë e së vërtetës? Në dashuri, gjithcka shpërbëhet si retë në ditë të nxehtë. Kështu njihemi me Olivian dhe Ramonin, personazhet e filmit të animuar Olivia and the Clouds (Olivia dhe retë) nga Tomás Pichardo-Espaillat nga Republika Domenikane.
Prej ledhatimeve të ngjyrave që shkrihen me njëra-tjetrën, tek segmentet jetësore që mendja i vendos kapicë mbi atë që synohet të jetë perceptimi i jetës së jetuar, njihemi me një personazh [Olivia] e cila belbëzon para djalit të saj, kthehet në bimë në prani të Ramonit, e me veten është një entitet gjithëformësh që kridhet prej qiellit në tokë.
Me një stil të hajthëm, plot ngjyra të buta e të shkrifëta, duke miksuar xhirime të mjediseve idilike, e tek vizatime të ndërlikuara thukin fiksionin e na paraqesin pikëpamje të ndryshme të të jetuarit me një nga ndjesitë boshtore që krijon edhe iluzionet më munduese. Të përshkruash dashurinë është mëse e lehtë, mjafton të shfletojmë katalogët letrarë e kryeveprat botërore që e gjejnë obsesionin një hap larg dashurisë.
Për t’u cekur mbetet cështja e perspektivave që e ndërtojnë këtë film të animuar, pasi një punë kryekëput moderne, nuk do të mund të ishte e tillë pa vënë në lojë të ashtuquajturën të vërtetën objektive. Shikuesi do ta qëmtojë me shumë ngulm nevojën për të patur një liman ku të prehë dyshimet e veta, mbi mirëqenien e Olivias, por kjo do t’i mbetet në dorë kujtdo që e sheh, ta mbajë me vete atë poezi e tregim me të cilin do t’i japë kuptim filmit.
Në një operacion gati iagoian, e vërteta mbi ndjesitë dhe realitetin që percepton Olivia, ndërron me një të lëvizur të dorës. Për ta ndërtuar arealin ku bota e Olivias qëndron, mund ta vendosim në një bashkësi me ngjarje të ngjajshme në narrativa të tjera të botës: shumëkujt mund t’i nëpërmendë atë njelmtësi të botës ku gratë jetojnë vec në ndjesi dhe në tëhollje të kuptimit të personazheve të Lispector, apo dikujt mund t’i vijë nëpërmend Amaranta e Markezit, që e mshel gojën deri në vdekje duke jetuar vetëm me cfarë mendja e saj prodhon. Elemente të obsesionit gati fizikë mund të barabiten me Laurën e Menaxherisë së Qelqtë të Williams, apo me heroina të ndryshme të letërsisë elizabetiane që e kthejnë aktivitetin mendor në tokën ku mbillet imagjinata dhe botët e mundshme pjesë e të mund të jemi.
Filmi është i ndarë në tri kapituj e njihemi më së pari me Olivian dhe retë e saj, ku njihemi me mënyrën se si i biri e sheh: si një person për të cilin duhet të kujdeset. Se si e dashura e tij e sheh: si një individ prej të cilit mund të tirren elementë të merakut e fantazisë. Se si njerëzit e tjerë që e dinë ekzistencën e saj: duke e grushtuar gjithë eksperiencën e saj në një fjalë – gjynah!
Ndërsa Olivia e gjen udhën te kujtimet e saj, te ato informacione që ia japin brumin botës së saj. Ky efekt i perceptimeve të ndryshme, e gjen vendin në gjuhë përmes efektit Rashomon që mban në vete tri elemente kryesore: linja narrative që tregohet prej perceptimeve të ndryshme, zërat narrativë të cilët fokalizohen në ndjeshmëritë e tyre, e vija lineare e tregimit copëzohet e fragmetarizohet duke mos ditur as fillimin e as fundin. Në këtë midis gjendet Olivia.
Në pjesën e dytë të filmit njihemi me Ramonin dhe bimët e tij, me trupin e bërë prej faturash, ai vërvitet sa në bar e sa në shtëpi teksa mban Olivian si kërcell me gjethe në saksi. Ai flet me një zë që quhet Olivia, por nuk e dimë kurrë se si duket Olivia në sytë e tij.
Përfund Olivia dhe Ramoni mbështillen në purpurimën e qiellit, në shpërbërjen e reve, në rrokullisjen e e luleve, ngjyrat e trajtat e të cilave përpijnë njëra-tjetrën, kjo e gjitha për ta artikuluar rrokadën emocionale, për ta metaforizuar atë deri në pikën që është gati e pamundur ta shtrosh emocionin në fjalë.
Kjo e gjitha për t’ju dhënë një shije të se si mund të njiheni me punën e Pichardo-Espaillat, që merr frymëzim nga e gjithë tradita latine për ta zhbërë eufemizmin performativ, e duke e përkryer tensionin narrativ.
Filmi Olivia and the Clouds, mund ta shihni në Anibar, më 17 korrik prej orës 12:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla”.
P.S. Merrni disa shami me vete.
Autore: Blerina Kanxha