3 vjet më parë

Anibar organizon një bisedë interaktive për mundësitë që të rinjtë kosovarë të dalin vullnetarë jashtë vendit

Të enjten më 5 gusht në ora 18.00, Anibar mban një bisedë interaktive në Kinema Jusuf Gërvalla për mundësitë e të rinjve kosovarë për të dalë vullnetarë jashtë vendit përmes Anibar. Në këtë bisedë, Anibar do të shpjegojë mundësitë e programit të Korpusit Evropian i Solidaritetit. Të rinjtë e interesuar gjithashtu kanë mundësinë të takojnë vullnetarë kosovarë që kanë shkuar jashtë vendit, si dhe të flasin me vullnetarë të huaj që janë tani pjesë të Anibar.

Programi i Korpusit Evropian të Solidaritetit synon të nxisë solidaritetin mes shoqërive evropiane. Ky program u ofron të rinjve të moshës 18 dhe 30 vjeç mundësinë për t’u angazhuar në aktivitete vullnetare jashtë vendit, duke filluar nga projektet e shkurtra 2 mujore deri në ato afatgjate prej 12 muajsh. Vullnetarët nga Kosova kanë mundësi zgjedhjeje të gjerë të projekteve vullnetare në të gjithë Evropën: nga puna në qendrat kulturore e krijimi i projekteve ekologjike, deri te ndihma në shkolla. Vullnetarizmi jashtë vendit është një prej mënyrave më të mira për të zgjeruar horizontin e të rinjve, veçanërisht për kosovarët të cilët nuk kanë shumë mundësi jashtë vendit për shkak të kufizimeve të vizave. Vullnetarët e Korpusit Evropian të Solidaritetit fitojnë aftësi të reja pune, takojnë njerëz të rinj, mësojnë gjuhë të reja, ndërsa njihen me vende e kultura të reja në mënyrë më intime.

Deri më tani, Anibar ka dërguar jashtë vendit tre vullnetarë nga Kosova, që të tre në qendra kulturore dhe sociale ku aktualisht po ndihmojnë komunitetet lokale, kështu ata si vullnetarë janë duke zhvilluar tutje aftësitë e tyre. Anibar, së fundmi ka pranuar si vullnetarë dy holandezë në organizatën e tyre.

Në ngjarjen e cila do të mbahet në Kinema Jusuf Gërvalla nga ora 18:00, Anibar do të shpjegojë mundësitë e të rinjve për të dalë vullnetarë jashtë vendit dhe se si Anibar mund t’i ndihmojë ata. Ndër të tjera, Anibar të sjellë përvojat e njerëzve që tashmë kanë shkuar jashtë vendit.

Të gjithë të rinjtë nga mosha 18 deri 30 vjeç janë të ftuar të marrin pjesë!

Related