Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në të kaluarën e njohur si Kino Rad (Kinemaja e Punëtorëve – nga gjuha serbe) u ndërtua më 1955 me para të sindikatave të punëtorëve. Kinemaja ishte ndërrmarrje për shfaqjen e filmave nën atë që quhej atëbotë Bashkësia Vetqeverisëse e Interesit për Kulturën (BVIK).
Ndërtesa e kinemasë përfshinë një sipërfaqe prej 731 m2 dhe ndahet në disa hapësira duke përfshirë: sallën kryesore, dhomën e projeksionimit, ballkoni në katin e dytë, disa hapësira të zyreve, hollet dhe tualetet.
Kinemaja “Jusuf Gërvalla” (ish Kino Radi) u ndërtua me qëllim që të ofroj një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa përgjatë viteve 1955-1998 shërbeu si pikë qëndrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, ku përfshiheshin shfaqja e filmave më të rinj, diskutime publike rreth filmave të ndryshëm, koncertet muzikore, shfaqjet teatrale dhe programe për fëmijë, kështu duke u bërë një prej institucioneve kulturore më të frekuentuara asokohe.
Në vitin 2016, Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP) e vendos objektin dhe të gjitha asetet e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në listën e objekteve për privatizim. Nisja e kundërshtimit të këtij prcoesi nga Anibari si dhe bashkëpunimi me komunitetin lokal e me Rrjetin e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, nga ku ishin bashkuar më pas edhe 80 organizata jo qeveritare tjera gjithandej Kosovës, kishin bërë që ky proces të suspendohet.
Gatishmëria qytetare, përveç se e ka shpëtuar kinemanë nga privatizimi, ka bërë që ky objekt të futet formalisht në listën e përkohëshme të objekteve të mbrojtura të trashëgëmisë kulturore. Sot kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar në qendër socio-kulturore dhe ka programe aktive javore.
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.
Në Kino apo te Kino-Teatri a te Filmi siç njihej ndryshe nga banorët e Pejës, shfaqeshin filma të zhanreve të ndryshme. Nëpër periudha të ndryshme janë shfaqur lloje të ndryshme të filmave, ku në bazë të afisheve që kanë mbetur në arkivat e kinemasë, vërehet se në vitet ‘60 dominonin filmat që njihen si “Western”, ndërsa në vitet ‘70 dominonin filmat indian të “Bollywood”, kjo për faktin se filmat e llojit “Western” kishin marrë famë gjithandej nëpër botë, ndërsa filmat e kinematografisë indiane ishin shtrirë edhe në Kosovë.
Në vitet ‘80 vërehet dominimi i filmave aksion dhe një prezencë e filmave aziatik që karakterizohej me këtë zhanër. Përgjatë viteve ‘80, janë shfaqur edhe filmat fanta-shkencor të përziera me aksion.
Filmat të cilat shfaqeshin nëpër kinema vinin falë bashkëpunimit të një rrjeti joformal të kinemave në ish-Jugosllavi.
Shiritat filmik që siguroheshin për shfaqjen e filmave barteshin nëpër gjithë kinematë e ish-Jugosllavisë dhe disa nga këto shirita filmik vazhdojnë të jenë pjesë e arkivës së kinemasë të cilat kanë mbetur aty nga pamundësia për tu dërguar në kinema të tjera për shkak të fillimit të krizës dhe të luftërave në ish-Jugosllavi.
Për një periudhë të caktuar në kinema janë shfaqur edhe filmat pornografik dhe erotik.
Përveç programeve të rregullta të shfaqjes së filmave, brenda në hapësirat e kinemasë organizoheshin shpesh edhe koncerte e përformanca të grupeve të ndryshme teatrale e muzikore. Ndër grupet teatrore që vizituan kinemanë ishin trupa teatrore e teatrit “Aleksander Mojsiu” nga Durrësi apo trupa teatrore e treatrit “Ndrek Luca”. Përveç trupave teatrore pati edhe shfaqje të filmave nga Shqipëria siç ishte filmi “Debatikët” i regjisorit Hysen Akani.
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.
Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90 ndodhën një sërë ngjarjesh të cilat e paraprinë fillimit të zhbërjes së Jugosllavisë.
Këto thyerje të mëdha dhe ndryshime të përgjithshme politike në ish-Jugosllavi dhe fillimi i dhunës dhe represionit ndaj Kosovës në veçanti - që në raste të caktuara u shoqëruan me trazira dhe protesta - paralajmëruan fillimin e krizës nga e cila u ndikuan e gjitha sfera sociale dhe politike në rajon. Nga kjo krizë politike dhe sociale nuk mbeti pa u ndikuar as Kinemaja e qytetit të Pejës pasi që shfaqja e filmave ndërprehet pasi që Kosova mbeti pa distributer të filmave, marrë parasysh që kinemaja ende funksiononte si ndërrmarje e pavarur dhe qëndrueshmëria e tyre financiare varej nga shitja e biletave, mungesa e shfaqjes së filmave nënkuptonte edhe mungesë të mjeteve financiare, rrjedhimisht edhe aktivitete më të pakta.
Megjithë mungesen e shfaqjes së filmave, kinemaja mbeti aktive me disa koncerte dhe shfaqje teatrale. Disa prej shfaqjeve teatrale ishin realizuar nga disa shoqëri kulturore artistike siç ishin: Rugova, Gora e tjera. Kishte edhe shfaqje tjera teatrale të realizuara nga aktorët e teatrit të Gjakovës që u realizuan për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Një shfaqje tjetër teatrale që kishe zgjuar vëmendjen më të madhe të shikuesve ishte komedia e Faruk Begollit, “Profesor jam talent se jo mahi”.
Në disa raste të caktuara aktivitetet e kinemasë ishin ndërprerë, ku organizatorët apo edhe përfomuesit ishin larguar dhunshëm nga skena duke u dërguar nëpër stacione policore, nga ku janë marrë në pyetje informative rreth organizimeve të kinemasë, por në raste është ushtruar edhe dhunë fizike mbi ta.
Kinemaja u mbyll ne vitin 1998, kur edhe zyrtarisht filloi lufta në Kosovë.
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës ishte shkatërruar. Fatin e shumë objekteve të qytetit të Pejës e kishte pasur edhe kinemaja e qytetit e cila ishte dëmtuar në masë të madhe. Për aktivizimin e saj duhej të investohej një shume e konsiderueshme për të renovuar pjesën më të madhe te objektit. Donatorët fillestar u gjenden në Itali, ndërsa si ide fillestare ishte shndërrimi i kinemasë në teatër klasik, meqë godina e Teatrit “Istref Begolli” ishte nën kontrollin e KFOR-it italian.
Marrë parasysh këtë situatë, ishte pikërisht KFOR-i italian bashkë me UNMIK-un që e bëri të mundur të arrihej një marrëveshje që objekti i kinemasë të renovohej si objekt multifunksional, ku të inkorporuar e ka kinemanë edhe teatrin.
Financimi i realizuar më vitin 2000 arriti vlerën e 500 mijë markave gjermane.
Falë këtij investimi ishte renovuar tërë ndërtesa si dhe ishin ndërruar pajisjet audio dhe projektuese. Sidoqoftë renovimi që i është bërë objektit ia ka humbur formën dhe arkitekturën e kohës, rrjedhimisht, objekti kishte humbur një pjesë të identitetit të vet duke e ulur numrin e ulësve, zhdukur lozhat anësore dhe duke ndryshuar katërcipërisht strukturën e skenës. Përgjatë procesit të renovimit, kinemaja ka qenë e mbyllur nga data 1 korrik 2000 për t’u rihapur me datën 22.02.2001.
Pas restaurimit të objektit, kinemaja ka vazhduar me aktivitetin e vet. Në arkiven e Kinemasë figurojnë dy marrëveshje për shfaqjen e filmave për vitin 2001.
Në vazhdimin e dekadës së parë të shekullit të ri aktivitetet u bënë gjithnjë e më sporadike ku mund të ceken disa filma jo shumë të vlerësuar apo edhe ndonjë manifestim i rrallë ndërkomunal. Kjo situatë me mungesa të shumta të aktiviteteve në kinema kishte vazhduar pothuajse deri në vitin 2016, kohë kjo kur Anibar kishe nisur edhe formalisht menaxhimin e kinemasë, ani pse prej vitit 2010 e shfrytëzonte përgjatë festivalit.
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.
Qe nga 2014 Anibar kishte nisur bisedimet me Komunën e Pejës për ta rritur numrin e aktiviteteve në kinema, anipse Anibari e shfrytëzonte kinemanë që nga viti 2010 për aktivitetet e saj pergjatë periudhës së festivalit. Tek në vitin 2014 kinemaja nisi të ringjallej me programe, pas bisedimeve të shpeshta me Komunën e Pejës, të cilat silleshin përreth qëllimit të rritjes së aktiviteteve të kinemasë e që njëkohësisht kjo të ndikonte edhe në rivitalizimin e objektit i cili nuk kishte qenë aktiv për disa vite. Pas përfundimit të bisedimeve me Komunën e Pejës, Anibari filloi të krijonte programe vjetore.
Në vitin 2016, Anibar ofroi një program 15 vjeçar me aktivitete që kishin për qëllim revitalizimin e objektit dhe ringjalljen e iniciativave kulturore në Pejë. Prezantimi i programit me aktivitete edukative ndikoi në fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës publike. Në po këtë vit, Kuvendi Komunal përmes një vendimi ia dha në shfrytëzim Anibarit kinemanë për një periudhë 15 vjeçare. Programi i aktiviteteve që Anibar kishte prezentuar përfshinte aktivitete si: shfaqjan efilmave, panele diskutimi e debate, koncerte e pa përjashtuar punëtoritë e ndryshme dhe zhvillimin e Akademisë së Animacionit.
Për punëtori, Akademinë e Animacionit dhe aktivitete të ngjashme, aktualisht shfrytëzohet Aneksi i kinemasë ku në të kaluarën ishin të vendosura zyrat e sindikatave.
Sidoqoftë, kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete ditore për shkak të mungesës së kushteve teknike siç është mungesa e projektorit digjital i cili do të mundësonte edhe shfaqjen e filmave me te rinj. Përkundër këtyre vështirësive, mund të thuhet se Kinema “Jusuf Gërvalla” është burimi më i efektshëm alternativ i programeve edukativo-kulturore.
Ndër asetet e trashëguara nga Anibar është edhe arkiva e kinemasë, në të cilën gjenden postera të filmave që shfaqeshin çdo ditë, katalogë, broshura, fletushka të filmave; pajisje për projeksion si dy projektorë të lëvizshëm, tre projektorë statikë me shirit, disa shirita filmikë të periudhës së para luftës së Kosovës, makina shkrimi, makina për shtypjen e biletave si dhe disa dokumente administrative.
Afishet e filmave janë kryesisht të produksioneve amerikane, europiane e aziatike, të zhanreve të ndryshme si dramë, komedi, romancë, aksion, erotik, fantashkencor, dokumentarë, triller, horror, filma për fëmijë, dhe datojnë prej viteve 1950 e deri në fund të viteve 1990. Një pjesë e afisheve shoqërohet me kartolina dhe broshura të filmave, të cilat shpërndaheshin në pika të ndryshme të qytetit për të lajmëruar aktivitetin e radhës.
Afishet variojnë në tipologjinë e letrës dhe të formatit. Disa syrësh paraqesin edhe ilustrime. Pjesë e arkivës së kinemasë janë edhe dokumente dhe udhëzues të përdorimit të pajisjeve të periudhës së para luftës, katalogë dhe inventarë të shtëpive të ndryshme të shpërndarjes të Jugosllavisë së asaj kohe që siguronin filmat më të fundit të kinematografisë botërore. Katalogët e filmave janë të një intervali kohor një vjeçar dhe përmbajnë të dhëna për zhanrin e filmit, vendin dhe vitin e prodhimit, regjisorin, aktorët, minutazhin, teknikën, shtëpinë e shpërndarjes, gjuhën origjinale si dhe paraqesin një përmbajtje të shkurtër të filmave. Ndër ta bien në sy edhe katalogët e festivaleve të filmit, që prezantojnë filmat pjesëmarrës në këto evente. Disa prej katalogëve, përveç të dhënave të përgjithshme rreth filmave, shërbejnë edhe si inventarë të filmave të shfaqur përgjatë një viti në kinema.
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.
Në arkivat e kinemasë një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe katalogëve të produksioneve filmike të “Kosova Film”. “Kosova Filmi” si shtepi filmike ishte e themeluar më 20 shkurt 1969 si organizatë për prodhimin, ekranizimin dhe shpërndarjen e filmave. Fillimisht ka prodhuar filma me metrazh të shkurtër e dokumentarë e pastaj duke vazhduar me filma edhe të metrazhit te gjatë. Me fillimin e produksionit të pavarur u vunë themelet e prodhimtarisë filmike origjinale, të cilat paraqisnin kulturën dhe tradinën vendore. Filmat që realizoheshin nga “Kosova Filmi” ishin bashkë-produksion me shtëpi të tjera të prodhimit filmik. Një nga filmat që ka pasur sukses më të madh nga prodhimtara e “Kosova Film” e që është shfaqur edhe në Kino Radin e atëhersh është “Rojet e Mjegullës” nga regjisori Isa Qosja.
Fondi i “Kosova Film” i është bashkangjitur fondit arkivor të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).
Teksti është shkëputur nga botimi mbi historikun e Kinemasë.