Peja Jazz – si një përqafim muzikor për qytetin
Shkruar nga Gili Hoxhaj
Kur koha ecte ngadalë dhe lajmet kudo në botë ishin ngurtësuar në statistika të të prekurve nga Covid-19 dhe jetë të shuara, jeta kulturore ishte pezulluar, ashtu si gjithçka tjetër. Maskat ishin bërë instrument mbrojtës ndaj realitetit të ri. Çdo plan jashtë pragut të derës duhej matur mirë. Gjithçka ishte e re dhe e pasigurt. Cilësohej si akt i guximshëm çdo veprim jashtë shtëpisë, çdo kontakt dhe përqafim. Në mes të kësaj, Anibar gjeti një formë tjetër të përqafimit, një çlirim nëpërmjet muzikës. Ky ishte guxim në vetvete. Kjo ishte një mënyrë për të komunikuar me njerëzit dhe, si e tillë, hapi dyert e kinemasë “Jusuf Gërvalla” dhe teatrit “Istref Begolli”, duke i kthyer artistët në skenë e publikun në ulëse kinemaje – një ritakim mes tingujve jazz.
Skena kulturore në vend ishte në pikën më fragjile që kishte qenë ndonjëherë. Disa gjetën alternativa për të vepruar online, disa rimendonin vazhdimësinë dhe disa rrezikoheshin të shuheshin. Ishin ngjarje që rrezikonin të këpusnin hallkën e traditës për të cilën mbaheshin. E “Peja Jazz” lindi në këtë brishtësi që kishte mbështjellë botën. Vendosi themelet e traditës së një festivali që tash e pesë vjet ngjallet me ritme jazz nga artistë nga e gjithë bota.
“Qëllimi ishte të krijohej një hapësirë ku muzika të shërbente si një mjet shërimi dhe bashkimi për komunitetin. Në atë kohë, fillimisht u mendua të realizoheshin vetëm katër koncerte dhe jo një festival i plotë, pasi situata ishte shumë e pasigurt. Për këtë arsye, ia dhamë thjesht emrin ‘Peja Jazz’”, ka treguar Vullnet Sanaja, që është edhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Anibar”.
Koncertet u regjistruan dhe u transmetuan online dhe në televizion, në bashkëpunim me KTV-në, në mënyrë që publiku të mund t’i përjetonte edhe nga shtëpitë e tyre, pavarësisht kufizimeve. Si staf i televizionit, duhet të ndaheshim në makina që të respektonim distancën dhe orën kufizuese që ishte vendosur. Bashkë me 40 pjesëmarrësit që ishin të lejuar në sallë, patëm fatin t’i ndjekim koncertet e para të “Peja Jazz” përballë – në rrethana që do të mbahen përherë në kujtime si të pazakonta.
“Ka qenë ndoshta edicioni i vetëm kur koncertet janë organizuar prej orës 17:00, sepse duhej llogaritur koha që publiku dhe muzikantët të ktheheshin me kohë në shtëpi”, ka rrëfyer Dardan Selimaj – udhëheqës artistik i “Peja Jazz” dhe në atë kohë edhe producent ekzekutiv i KTV-së.
“Në vitin 2020, kur skena kulturore po luhatej, ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar. Ne u takuam me muzikantët – kanë qenë të pambështetur sa duhet, një kategori bukur e rrezikuar”, ka treguar tutje ai.
Sipas Selimajt, edicioni i parë ka qenë i veçantë për tri arsye: së pari sepse ishte në vitin pandemik, së dyti sepse ishte viti 2020 kur shënohej shekulli i parë prej kur muzika jazz kishte filluar të ekzistonte, dhe së treti sepse ishte i vetmi festival deri tash që katër netët kishin qenë me muzikantë kosovarë. Me albumin e Armend Xhaferit, gjysmën e albumit të duos Visar Kuçi dhe Dukagjin Muhaxhiri, retrospektivën e Ilir Bajrit dhe albumin e Enes Bajramliqit.
“Është e vështirë t’i kesh krijimet e reja të koncentruara në atë masë, por pandemia e bëri të pamundur këtë. Me këtë mundësi, ato u bënë pjesë e ‘Peja Jazz’ dhe u dëgjuan prej publikut online dhe të pranishëm”, ka rrëfyer tutje Selimaj.
This activity was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of Anibar and do not necessarily reflect the views of the European Union