“Okarina” – tingulli tragjik i një familjeje emigrantësh
Nga Ben Apolloni
Filmi “Okarina”, me regji të Alban Zogjanit dhe skenar të Albana Mujës, është një vepër e fuqishme kinematografike që trajton çështjet e identitetit, emigrimit dhe humbjes. Përmes një rrëfimi intim dhe të ndjeshëm, filmi ndriçon një pjesë të errët të historisë së Kosovës dhe pasojave të saj në individët dhe familjet e shpërngulura. Me performanca mbresëlënëse nga kasta e aktorëve, e përbërë nga: Jehon Gorani, Shengyl Ismaili, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Kastriot Shehi dhe Arta Selimi, ky film pasqyron ndërlikimet e jetës së refugjatëve, që lëkunden mes dëshirës për të mbijetuar dhe asaj për të ruajtur ndjenjën e përkatësisë.
Që në fillim të filmit vjen një moment vendimtar: marrja e një letre nga autoritetet britanike, që urdhëron Shaqën dhe bashkëshorten e tij Selvijen të lëshojnë Britaninë dhe të kthehen në Kosovë. Kjo letër-urdhëresë krijon bazën për tensionin kryesor të filmit, i cili përqendrohet në ndarjen e familjes dhe sfidën e ballafaqimit me një të kaluar të dhimbshme.
Shaqa dhe Selvija, si refugjatë nga lufta e fundit në Kosovë, përfaqësojnë një brez të tërë njerëzish që kanë mbetur pezull mes dy botëve. Në njërën anë, ata janë të detyruar të largohen nga një vend që nuk u ofron të ardhme, ndërsa në anën tjetër, të kthehen në një Kosovë që është transformuar dhe për ta nuk është më e njëjta. Mitrovica e Veriut, që dikur ishte shtëpia e tyre, tani është një hapësirë e ndarë, e pasigurtë dhe me rreziqe. Tani është një shtëpi e djegur.
Në zemër të filmit qëndron figura e Shaqës, një burri tipik shqiptar, hijerëndë, i cili është mjeshtër i punës me dru dhe i instrumenteve muzikore. Profesioni i tij si krijues i instrumenteve frymore nuk është vetëm një element narrativ, por ka një simbolikë të fuqishme. Tingulli i instrumenteve frymore, sidomos i okarinës, shërben si një metaforë për vuajtjen, kujtesën dhe shpirtin njerëzor. Në një farë mënyre, Shaqa përfaqëson jo vetëm një mjeshtër artizan, por edhe një mbrojtës të traditës dhe një person që, përmes punës së tij, kërkon të mbajë gjallë lidhjen me të kaluarën. Dhe duke u nisur nga emri, zanati dhe studioja e punës, qartazi duket se është homazh, është referencë për mjeshtrin e instrumenteve dhe muzikantin Shaqir Hoti.
Performanca e Jehon Goranit si Shaqa është shtyllë e fuqishme e filmit. Me një lojë të përmbajtur dhe emocionale, Gorani portretizon një burrë që mundohet të ruajë dinjitetin dhe identitetin e tij në një botë që duket se po i rrëshqet nga duart. Aktorja Shengyl Ismaili, në rolin e gruas së Shaqës, Selvijes, sjell një dimension të fortë të gruas së përkushtuar dhe të guximshme, e cila, megjithëse e goditur nga realiteti, bën çdo gjë për të mbajtur familjen bashkë dhe sidomos për të qëndruar afër vajzave të saj.
Rina Krasniqi dhe Flaka Latifi, që luajnë vajzat e çiftit, janë po aq të rëndësishme në ndërtimin e tensionit emocional të filmit. Konflikti i tyre mes dy kulturave, si fëmijë që janë rritur në Angli por që i kanë rrënjët në Kosovë, pasqyron dilemën e brezit të ri të emigrantëve. Aktorët Kastriot Shehi dhe Arta Selimi plotësojnë ansamblin me interpretimet e tyre të ndjera.
Alban Zogjani, është regjisor i ri, por që regjia e tij tregon siguri e pjekuri që shpërfaqet në mjeshtrinë e përqendruar dhe të ndjeshme në trajtimin e rrëfimit, duke i dhënë filmit ritëm të qetë por të fuqishëm. Ai arrin të ndërthurë elementët vizuale dhe tingujt muzikorë për të krijuar një atmosferë që e bën shikuesin të përjetojë thellësisht botën e personazheve.
Një nga aspektet më mbresëlënëse të filmit është muzika dhe përdorimi i tingujve të okarinës. Tingulli melankolik i instrumentit bëhet zëri i heshtur i Shaqës, duke shprehur dhembjen, humbjen dhe nostalgjinë që ai përjeton. Përmes muzikës, qoftë ajo e kompozuar enkas për filmin apo e përzgjedhur (siç është rasti me këngën “A thu’ ma lehtë pa dhimbje”), Zogjani arrinë të pëcjellë emocione që do të ishin të vështira për t’u shprehur me fjalë.
Simbolika e instrumentit, e okarinës, është e ndërlikuar dhe shumëdimensionale. Ajo përfaqëson një lidhje me të kaluarën dhe një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimet. Në të njëjtën kohë, tingulli i saj ngjan me një klithmë të heshtur që vjen nga frika e humbjës së identitetit, nga frika e humbjes së përkatësisë.
Kinematografia e realizuar nga Alex Bloom, luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e rrëfimit. Ngjarjet, me kalimin e kohës, shkojnë duke u rënduar për Shaqën dhe burri krenar fillon të lëkundet, si lisat në malin të cilin ai e viziton disa herë e me të cilët sikur konsultohet për vendimet që do të marre dhe figura e tij në ekran paraqitet gjithnjë e më shumë në hije, që është një interpretim vizual jashtëzakonisht i qëlluar. Në të vërtetë, puna me detajet vizuale është maestrale.
“Okarina” është nga ata filma që nuk ofrojnë zgjidhje të lehta. Në vend të kësaj, ai sfidon shikuesin të mendojë për temat e identitetit dhe migrimit. Përmes historisë së Shaqës dhe Selvijes, filmi ngre pyetje të rëndësishme: Çfarë mund të ndodh kur një familje është e ndarë mes dy botëve? Si mund të ndërtohet një jetë e re kur një e kaluar e dhimbshme është gjithmonë e pranishme?
Në fund të filmit, shikuesi mbetet me një ndjenjë të thellë të empatisë dhe reflektimit. Tingulli i okarinës vazhdon të jehojë në kokat tona, duke na kujtuar se historia e Shaqës dhe Selvijes është historia e mijëra njerëzve që janë detyruar të braktisin gjithçka për të shpëtuar jetët e tyre. Por, në të vërtetë, a kanë shpëtuar?
“Okarina” është një vepër kinematografike mjeshtërore, e thjeshtë, por e fuqishme, që prek zemrat e shikuesve përmes rrëfimit të saj të ndjeshëm dhe estetikës vizuale. Regjisori Alban Zogjani dhe skenaristja Albana Muja kanë krijuar një film që nuk është vetëm reflektim mbi përvojat e refugjatëve dhe traumat e tyre, por edhe për raportet burrë-grua, prindër-fëmijë, etj. Performancat e aktorëve dhe simbolika e instrumenteve dhe tingujve të tyre e bëjnë këtë film një vepër të paharrueshme, që le gjurmë të thella në shpirtin e secilit shikues.
“Ky aktivitet është krijuar dhe mirëmbajtur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është vetëm përgjegjësi e Anibar dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian”.