4 vjet më parë

Njerëzit dhe kinemaja

Brikena Hoxha, aktiviste e shoqërisë civile

Mënyra e jetës para pandemisë ishte shumë dinamike e me shumë aktivitete. Nga dinamika e madhe shumë shpesh kemi harruar se çka është e rëndësishme në jetën tonë dhe çka na bën të lumtur. Distancimi social dhe izolimi, besoj për shumë nga ne, solli një ndryshim të madh dhe të pa imagjinueshëm. Mirëpo sot gati pas dy muajve, besoj se kjo periudhë na mundësoi që të reflektojmë mbi mënyrën e jetës, vlerat, solidaritetin e humbur dhe kohën e mangët që e kishim për ta kaluar me familje. E në anën tjetër, na mundësoi të kemi kohën e duhur që të lexojmë, shohim filma dhe shumë aktivitete të tjera që nuk na premtonte koha t’i realizojmë më parë.

Sot, përderisa ditët në izolim po zgjaten, çdo ditë po kuptoj se sa shumë më paska mungu të kaloj kohë kualitative me djalin tim, të mësojmë, të luajmë e besa edhe të mërzitemi bashkë. Edhe puna nga shtëpia, me gjithë sfidat që po ka, po më mbanë aktive dhe po mësoj plot gjëra që si kisha ditë më parë.

Mundësia më e mirë për të ikur nga lajmet rreth virusit apo/dhe ato politike që na lodhën nga dita e parë, është kur e gjen një libër të mirë dhe futesh në një tjetër realitet. Do të rekomandoja romanin “Mjeshtri dhe Margarita” nga autori Mihail Bulgakov. Kjo kryevepër e letërsisë botërore është roman kompleks, i ndërlikuar dhe tronditës. Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore të zhvendos në mes dy botëve paralele…

Po ashtu, edhe netët e gjata po kalojnë shpejtë nën shoqërimin e filmave apo serialeve të ndryshme. Një ndër filmat që kam parë kohëve të fundit e që më ka lënë shumë mbresa është filmi biografik “Sergio”, prodhim i Netflix. Filmi flet për diplomatin e kombeve të bashkuara Sergio Vieira de Mello, i cili u vra nga një sulm terrorist në Bagdad, në vitin 2003. Sergio ishte Përfaqësues Special i Kombeve të Bashkuara dhe Komisioner i Lartë për të Drejtat e Njeriut. Përndryshe, Vierira de Mello ishte gjithashtu përfaqësuesi i parë i cili e themeloi misionin e Kombeve të bashkuara në Kosovë.

Gjithashtu, në listën e të preferuarve të mi gjatë periudhës së karantinës, është edhe seriali 8 sezonësh “Homeland”, që trajton jetën e një agjenteje bipolare të CIA-s, e cila është e bindur që gjërat nuk janë ashtu siç duken, veçanërisht kur një ish i burgosur i luftës kthehet në SHBA nga Al-Qaeda dhe trajtohet si hero.

Andaj, duke qëndruar në shtëpi, përveç që e kuptojmë se të qenët i shëndetshëm është gjëja më e rëndësishme në jetë, ne mund të gjejmë mënyra të shumta të argëtohemi, e në këtë mënyrë e ndalojmë përhapjen dhe e mposhtim virusin. Është në dorën tonë se sa gjatë do të jemi të mbyllur…

#rriNshpi #argëtohu #shpëtojetë

Related