Orari

Paneli 2

Event Imgage

50 hijet e dashurisë: Ndikimi i kinematografisë në perceptimin e dashurisë

Kinemaja, si medium kulturor dhe artistik, ka fuqinë për të reflektuar dhe formësuar kuptimin dhe perceptimin tonë shoqëror për çështje të ndryshme sociale, përfshirë konceptin e DASHURISË.
Dikush mund ta mendojë atë, si një Kaleidoskop gjigant ndjenjash.
Por, si i formëson Kinematografia perceptimet tona për ndjenjat, për dashurinë?
Më 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 17:00 në Galerinë e Arteve në Pejë, do të përpiqemi të eksplorojmë më tepër për këtë çështje, me katër panelistët e ftuar nga bota e animacionit dhe kinematografisë.
Dashuria është një temë qendrore në filma. Qoftë përmes romancave epike, dramave tronditëse apo komedive argëtuese, filmat ofrojnë rrëfime të ndryshme që formojnë kuptimin tonë për dashurinë, se si ajo e zbulon vetën dhe si ndikon në jetën tonë shoqërore, sfidon normat shoqërore dhe mënyrës se si funksionojnë dinamikat e pushtetit në marrëdhëniet romantike.
Së bashku me katër të ftuarit tanë, Blerta Zeqiri, Marko Djeska, Flaka Kokolli dhe Erblin Nushi, do të përpiqemi të eksplorojmë disa nga pyetjet që po parashtrojmë, për atë se si e portretizon dashurinë kinematografia? Dhe nëse, filmat po e paraqesin dashurinë si një koncept të idealizuar në vend të realitetit të kompleksicitetit dhe papërsoshmërisë që marrëdhëniet ndër njerëzore sjellin me vete.
Mos e humbni këtë diskutim, më 19 korrik 2023, dhe bashkohuni me ne në edicionin e 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, në Pejë.

Blerta Zeqiri

Blerta Zeqiri është regjisore e mirënjohur kosovare, me përvojë mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit. Blerta është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit nga viti 2012 dhe “Kalorëse e Urdhërit të Artit dhe Letërsisë” nga shteti i Francës. Filmat e saj janë shfaqur në më shumë se 200 festivale të filmit ku ajo ka fituar mbi 30 çmime.

Filmi i saj i shkurtër KTHIMI ishte filmi i parë nga Kosova i cili u pranua në Festivalin e Filmit Sundance (Festivali Sundance është një nga 4 festivalet kryesore të filmit në botë themeluar nga Robert Redford) dhe fitoi çmimin kryesor në vitin 2012. Blerta poashtu është autore e filmit të parë në Kosovë për të drejtat e LGBT. Filmi i saj MARTESA mori vlerësime pozitive nga mediat ndërkombëtare dhe është mirëpritur shumë mirë edhe nga audienca e kinemasë në Kosovë.

Nga viti 2023 Blerta është zgjedhur drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës për një mandat 4 vjecar.

Erblin Nushi

Lindur në Pejë, Kosovë në vitin 1992, Erblini filloi të mirret me aktrim në moshën dhjetë vjeçare. Ata fituan titullin B.A. nga Universiteti George Mason, ku studioi film me koncentrim në regji, dhe një minor në fotografim. Filmi i tyre i shkurtër, BINI, i bazuar në ditën kur ata u bënë refugjat gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, fitoi shumë çmime nga juria dhe audienca, një Çmim Emmy Studentor Rajonal, dhe u nominua për Çmimin Studentor Akademik. Erblini sapo përfundoi filmin e tyre të parë të gjatë me titullin "I Love You More", i cili u mbështet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare.

Flaka Kokolli

Flaka Kokolli është një animatore dhe regjisore e filmit të animuar nga Kosova. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin e Animacionit në vitin 2019.
Në vitin 2020 themeloi 'Flammorum', studio animacioni në Prishtinë. Përmes kësaj studio, ajo ka përfunduar dy filma të shkurtër, dy videoklipe muzikore të animuara dhe projekte të ndryshme të ilusturara dhe animuar, duke përfshirë video informuese dhe vetëdijësuese për organizata të ndryshme.

Marko Dješka

Marko Dješka u lind në Osijek (1983), Kroaci. Ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb, dega e animacionit. Ai ka marë pjesë në shumë programe trajnimi, si Animation Sans Frontieres dhe kursin e shkrimit të skenarit në La Poudriere në Francë. Filmat e tij studentorë 'Slaughtered' (2010) dhe 'The Son of Satan' (2012) fituan sukses të dukshëm në shumë festivale, dhe filmi 'Slaughtered' u ble nga stacioni televiziv El Rey Network në pronësi të producentit Robert Rodriguez. Filmi 'Ghost Town' fitoi çmimin Octavian në një festival në Zagreb si filmi më i mirë i animuar në prodhimin kroat në vitin 2016. Filmi i tij i fundit i animuar, 'All They Sensations in my Belly' ka fituar 25 çmime dhe mirënjohje dhe është shfaqur në më shumë se 150 festivale në mbarë botën, si Annecy në Francë, Festivalin Outfest dhe Festivalin Rhode Island në SHBA, Message to Man dhe Big Cartoon në Rusi, Animafest në Zagreb, dhe OIAF në Otava (Kanada) ku fitoi edhe çmimin e skenarit më të mirë. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Adriatic Animation Studio për prodhimin e animacionit në Zagreb dhe një nga organizatorët e Festivalit OHOHO të Comics dhe Street Art që nga viti 2019. Ai ka botuar komike të shkurtra në shumë revista në mbarë botën. Ai është gjithashtu redaktor i dy revistave komike OHOHOzin dhe Strip-Prefiks.

15

Sunday