5 vjet më parë

Probleme ballkanike – 1

Në garën e tretë të filmave ballkanik që mbahet në Anibar, do të shfaqën në total dhjetë filma të animuar, ku shumica e tyre vijnë nga vendet që përkufizohen Kosovën. Duke nisur nga çështje që shtjellojnë obsesionet, varësitë, vetëbesimin, pushtetin, dominimin, punën, stresin dhe buzëvdekjen, filmat domosdo të marrin me vete në secilën linjë e në secilin rrëfim.

Pjesa 1

 

Në një barkë mbi sipërfaqën e një liqeni janë katër koka kafshësh me trupa njeriu duke soditur paqësisht. E gjithë kjo pamje lë përshtypjen e një pikture surreale vjeshte me mjegull. I realizuar në tekniken e animacionit “stop-motion”, filmi “Jetë e përmbushur” (Imbued Life) e regjisorëve  Ivana Bosnjak dhe Thomas Johnson flet për lidhjen e një gruaje me natyrën. Ajo merr përsipër detyrën sublime të vendosjes së kafshëve në habitatin e tyre natyror, por në mënyrë paksa të çuditshme: Duke i balsamosur ato. Prej secilës kafshë të balsamosur ajo nxjerrë prej tyre filma të pazhvilluar, të cilat më pas i zhvillon. Obesesioni i saj me atë se çfarë shohin kafshët duket se e përmbush këtë grua.  Edhe në këtë mesele, fotografia që shkrepin kafshët përmes syrit të tyre nuk kalon pa kritikë e stërhollim. Sikurse çdo gjë tjetër.

Jetë nate në një klub. Të duket se është e premte sepse personazhet lënë përshtypje që kanë pezulluar të gjitha marrëdhëniet tokësore. I realizuar në 2D dhe i karakterizuar me shumëllojshmëri të ngjyrave, filmi “Tekno” (Techno) i regjisorit Atanas Filipov na vie si mjaft i gjallë dhe pasqyrues i jetës së përshkallëzuar të natës në një klub. Në qendër të kesaj ngjarje është një plak me fizarmonikë, i cili përcjellë me takt ritmin e teknos. Një bateri telefoni zhurmon se po bie. E gjithë pamja e gjallë kthehet në një pamje të zakonshme brenda një metro. Gjithë ngjarja fillestare përmbyset teksa theksohen njerëzit me kufje e telefona në dorë. Varësia ndaj teknologjisë e ka mbytur edhe qejfin.

Në një sipërfaqe të bardhë shfaqen disa gur të vegjël, nën të cilat futen insekte të ndryshme. Kjo pamje e realizuar në 2D papritur eskalon dhe insektet e zeza sa vijnë e e popullojnë hapësirën. Nuk po e njeh i ati të birin. Në të përfshihen edhe insekte më të mëdha sa për të treguar dominimin. Nuk mund të mungojnë ujorët. As gjitarët. As shpendët. Nën një akord të njëjtë shfaqen ujqit. Luftë territoresh. Nuk kuptohet se prej cilit shkëmb ata dolën. Në luftë për dominim që të gjithë do të vdesin. Sipërfaqja e bardhe shumë shpejtë bëhet e zezë. Në luftë për dominim që të gjithë duket se janë humbës. Kështu duket në filmin “Prej cilit shkëmb ata u zvarriten?” (From Under Which Rock Did They Crawl Out) i regjisorit Daniel Šuljić.

Unikja shpesh herë jepet thjesht si emër se sa si veçues i të jashtëzakonshmës. Kush është unik dhe çfarë e bën atë të dallueshëm nga pothuajse 8 milion shpirtra që e banojnë planetin tonë? A jemi të gjithë unik apo të zakonshëm? A mos brenda të zakonshmës është unikja, veçanti e gjithsecilit prej nesh? E realizuar në 2D dhe me disa sekuenca të realizuara mbi letër e verdhë me katrore të vogla që duket si fletore, “Një prej të shumtëve” (One of Many) e regjisores Petra Zlonoga, shpalosë vizualisht këto pikëpyetje ekzistenciale përmes dy personazheve, disa vizatimeve dhe narracionit të një gruaje. “ Isha një prej të shumtëve. Isha e para prej ne të dyve. Por edhe tjetri ishte i pari. I pari ishte i pari. Unë isha që të dy. Unë isha asnjëri. Isha aty ku nuk mund të gjindesha”. Si përfundim, në pëllëmbë të dorës e kemi jetën; unikën.

 

Nuk ka ndjenjë më të sikletshme se sa kur afrohet afati i fundit i dorëzimit të ndonjë pune a projekt. Sa për të fashitur këtë ndjesi, shpesh herë ndërmendim në mënyrë tragjikomike se afati i fundit është konstrukt shoqëror. Por ja që  edhe mosrespektimi i tij është kundërkonstrukt shoqëror, por penalizues. Të gjithë çmendemi para përfundimit dhe kjo është në rregull. “Një film shumë i shkurtër” (A very short film) sjellë vizualisht përjetimin e çmendur të afatit të fundit të paracaktuar; kohën shumë të shkurtër për të dorëzuar punët. I realizuar përmes teknikave të animacionit 2D dhe me një sekuencë të “live-action” në fund, Asja Trost përmes një qeni në vrap të shpejtë dhe brenda një minuti sipërfaqëson këtë gjendje mendore, përcjellur me muzikë të çakorduar. Vazhdojmë se po na presin punët…

Gottlieb” i regjisorit Krste Gospodinovski rrëfen një gjendje mendore komplekse. Përmes teknikave të animacionit “stop-motion” dhe atë të rotoskopisë, në qendër të filmit është personazhi me emër Gottlieb. Shkaku i një ëndrre e cila i kujtohet vetëm si sekuencë, personazhi kryesor e ka të vështirë tejkalimin e asaj gjendje dhe nis e humbet në labirintin e mendjes së tij. Duke mos iu plotësuar ëndrra asnjëherë, Gottlieb fillon e e humb realitetin duke u transformuar në personazhin e ëndrrës së tij. Regjisori këtë gjendje duale e paraqet përmes ndarjes: Kur Gottlieb e sheh ëndrrën, ajo paraqitet përmes teknikës “stop-motion”, ndërsa kur është në realitet dominon teknika e rotoskopisë. Kur i përzihet realiteti me ëndrrën, përzihen edhe këto dy teknika. Sidoqoftë, për ta tejkaluar këtë gjendje Gottlieb detyrohet të kapërcejë këtë gjendje mendore edhe me kushtin e vënies në rrezik të jetës së tij. Jo deri atëherë kur shkohet buzë vdekjes kuptohet jeta.

Vazhdon…

Valton Marku

 

Related