5 vjet më parë

Një natë e filmit me prindërit tuaj

Nuk ka keqkuptime më! Drama familjare vjen në Garën e Studentëve 3

Adil Sylqa

A ju kujtohet kur jeni bërë bashkë me prindërit tuaj për të parë një animacion a ndonjë film të vizatuar për të cilin keni insistuar se duhet parë? Bashkë? Ndërsa ata të lumtur janë pajtuar, përndryshe ju nuk do t’i ndalonit britmat. Është koha që të rikujtoni këto moment përmes edicionit të fundit të Anibar. Filma të shkurtër që do të shfaqen në këtë edicion do të shpërfaqin marrëdhëniet komplekse mes fëmijëve në rritje dhe sjelljeve të dyzuara të prindërve. 

Ky program (gara e tretë studentore) nis me një projekt diplomimi të Anna Ottlik, një animatore nga Hungaria, filmi i të cilës “Primek”, na shpie tek kujtimet fëmijërore të një njeriu që duket se ka shumë keqardhje. Herët në jetën e tij ai zhvillon interesim për matematikën, veçanërisht për numrat primar të cilët janë të rrallë dhe siç e dimë nuk mund të pjestohen me numra të tjerë. Në një mënyrë, ai do që kështu të jetë marrëdhënia e tij me të atin, pra të ketë vëmendje reciproke dhe të papërpjestueshme, por ja që gjërat shkojnë keq në momentin kur ai e kupton se vëllai i tij i vogël është futur në numrat e tij primar.

Ajo që pason është një pasqyrim jofiktiv i të qenurit jashtë shablloneve. Një prej pyetjeve të para të natyrshme të cilat një fëmijë i bën në momentin që e sheh veten në margjinat e shoqërisë është: A do të bëhet mirë kur të rritem? Përgjigjja asnjëherë nuk është e njëjtë, dhe është mu kjo ajo që filmi “Mom’s Clothes” tenton t’i përgjigjet në këtë përzierje të shkurtër por mahnitëse të imazheve dhe rrëfimeve. Duke theksuar frymëzimet personale nga fëmijëria, regjisori Jordan Wong ka konstruktuar imazhe të gjalla që flasin me publikun në mënyrë unike. 

Filmi i tretë dhe më i gjati i këtij programi sjellë para nesh historinë prekëse të një njeriu të ri i cili ka migruar në Siri për ta gjetur thirrjen e tij. “Tracing Addai”, një film dokumentar i animuar që ka fituar çmime i regjisorit Esther Niemeier, përshkruan ngjarjen e vërtetë të Addait të rrëfyer nga nëna e tij, e cila shkatërrohet kur kupton se i biri i saj zhduket me vullnet të lirë nga jeta e saj pa asnjë përshëndetje. Me barrën e rëndë të dështimit si nënë, ajo nis gjahun për të vërtetën. Çfarë me të vërtetë ndodhi? Si ka mundësi që nëna ta njoh kaq pak të birin? Shumë shpejtë, një përgjigje i vjen në postën elektronike: “Nuk ika që të largohem prej teje, mbaje në mend mirë këtë”. Pastaj, pas pak kohësh kur ajo pranon një mesazh tjetër, kësaj radhe si adresë e ka shokun e tij. “Një gjë duhet të ma besosh, ne ikem me qëllime të mira”. Sigurohuni se nuk do ta humbisni këtë udhëtim për në ferr, sepse do t’iu lë përshtypje të mëdha, ashtu sikurse na la neve.

Duke vazhduar tutje me programin, ne rrugë na dalin dy projekte të shkollës së famshme të artit në Pragë, “FAMU”. “Apart” paraqet përvojat e vërteta të narratorit të përziera me sekuenca të animuara që rindërtojnë situata të dhimbshme, të cilat ndër tjera shqyrtojnë mendimet e tre të rinjve të cilët i janë ekspozuar vdekjes. Duke përdorur të dyja teknikat, ato të animacionit dhe të “live-action”, regjisorja Diana Cam Van Nguyen ka përdorur zhanrin hibrid të dokumentarit të animuar në mënyrë që të zbulojë të kaluarën emocionale të njërit, ndërsa ka krijuar një dimension jashtëzakonisht emocional në të njëjtën kohë. Si film që ka fituar së voni çmimin e dokumentarit më të mirë Çek në “Jihlava International Documentary Film Festival”, “Aparat” do të jetë edhe tek ne njëri prej më të mirëve. 

Filmi përmbyllës i kësaj gare është një kombinim i “stop-motion”, filmbërjës së dokumentarëve dhe projekteve të figurave të pikturuara nga Daria Kashcheeva, të përbledhura nën emrin “Daughter”. Ky stili unik portretizon urgjencën e përvojave njerëzore përmes pikëpamjeve të kamerës së mbajtur në dorë. “Për të përfshirë shikuesit në botën e kujtimeve të mia, bëra një film me një kamerë dore dhe me “close-up” të mëdha, me fokus pa prapavijë dhe me shumë emocion, duke e bërë atë një ngjarje me të vërtetë autentike dhe të një natyre të para dokumentarëve, tha Kashcheeva. “Daughter” shtjellon marrëdhëniet duale mes anëtarëve të familjes, një afërsi pasionante që njëherit është edhe distancë e tmerrshme, pasojë kjo e dashurisë së keqinterpretuar. Si fëmijë, gjithmonë e gjeni veten duke u tërhequr në botën tuaj e cila kohë pas kohe rritet dhe papritur bëhet mur i madh që vështirë kalohet. Fshehja e dhimbjes gjersa të zhduket ose tejkalimi i ndjenjave para se të bëhet vonë, është beteja që “Daughter” duhet ta luftoj brenda vetes.

Ka shumëçka për të thënë në edicionin X të Anibar dhe kjo është mundësi e mirë që të ftoni të gjithë familjen. Më në fund, është një ngjarje në qytet ku dalja me prindërit ka kuptim. Ata do e vlerësojnë shumë dhe për këtë gjë jemi të sigurt. Shihemi së shpejti!

(Përktheu: Valton Marku)

Related