3 muaj më parë

Kush jemi ne në raport me tjerët?

Në garën e parë ndërkombëtare të filmave të animuar garojnë pesë filma: “Agouro”, “Hesht” (Mum’s the Word), “Po dal jashtë për duhan” (I’m Going Out For Cigarettes), “Motra” (Sister) dhe Metamorfoza (Metamorphosis). Që të pestat shtjellojnë marrëdhëniet e familjarëve me njëri tjetrin, monotininë e jetesës, ekziztencën në bashkësi, vetminë dhe traumat.

Gara e parë ndërkombëtare e filmave të animuar në Anibar nis me filmin “Agouro” të regjisorit David Doutel. Gjithçka nis me zymtësi. Në plan të parë janë dy kushërinj që jetesa bajate e përbashkët dita-ditës ua ka tkurrur durimin për njëri-tjetrin. Jashtë sikur marrëdhënia e tyre është liqeni me sipërfaqe të ngrirë. Të ngecur në monotoninë e jetesës së vrazhdë të vetmet fjalë që shkëmbehen janë ulërima të pakuptueshme, të përcjellura me fërkime fizike. Të jetosh gjatë në kafshëri ekziston rreziku i përhershëm që të përfundosh i tillë. Kjo është gjendja e dy kushërinjve të “Agouro”. Përplasjet e padurueshme të të dyve nuk i duron as liqeni i ngrirë, i cili e përpinë njërin. Na bie në mend postulati i famshëm se “ferri janë të tjerët”. Instinktivisht kushëriri i mbetur jashtë hudhet brenda liqenit të ngrirë për ta shpëtuar kushëririn tjetër. E nesërmja është ditë e re…

“Kontrabandista ka pak ndërsa oportunistë mjaft shumë”. Këto janë fjalët që dalin nga radioja në nisje të filmit “Hesht” (Mum’s the Word) e regjisorit Khris Cembe. Një djalosh përnatë e vrojton të atin teksa shkarkon ngarkesa me duhan të kontrabanduar. Sigurimi i bukës së gojës shpesh e detyron njeriun të bie ndesh me ligjin. Sidoqoftë, ka një trohë ndërshmërie në këto punë. Ky në fakt është i ati i djaloshit. Një natë prej netëve teksa babai kontrabandon duhan, një pako del me diçka tjetër. Momentin kur babai kundërshton punën më të pistë, kacafytet me kontrabandistin kryesor dhe mbetet gjysmë i vdekur. Babai vdes ndërsa djaloshi vazhdon zanatin e tij. Oportunizmi po e mbytë çdo sferë të jetës.

Jetesa në shpi shpesh herë di të jetë e çuditshme. Jonathani 12 vjeçar jeton me nënën dhe motrën. Sikur të mos mjaftonin të dyja, me ta jetojnë edhe disa burra të vegjël, të gjatë e të çuditshëm njëkohësisht, si dhe që të gjithë kanë fytyra të njejta dhe strehohen ngado, nëpër dollape, nëpër lavatriqe e rafte librash. Jonathani si djalosh që është duke hyrë në pubertet, motra e tij në adoloshencë si dhe mungesa e shpeshtë e nënës punëtore, e bëjnë atë të seksualizojë çdo gjë dhe ta formësoj botën përçudnisht. Ai që mungon është babai, i cili një ditë kishte ikur për të blerë duhan dhe nuk ishte kthyer më. Mungesa e tij vërehet te formimi i Jonathanit. Me të parë fytyrën e tij në një foto të ndaluar, zhduken burrat në shtëpi. E vërteta çliron. Nuk ka më burra në dollape, me fytyra të njëjta dhe në rafte librash. Ky është epilogu i “Po dal jashtë për duhan” (I’m Going Out For Cigarettes) i regjisorit Osman Cefron. 

Motra” (Sister) është film nostalgjik i Sinqi Song që flet për marrëdhënien e një djaloshi me motrën e tij. Katër vjet më e re dhe e lindur më 1991, ajo ishte e bezdisshme si fëmijë sepse qante shumë dhe shpesh. Sikurse secila marrëdhenie toleruese me më të rinjtë e shtëpisë, edhe marrëdhënia e djaloshit me motrën karakterizohet me plotësimin e nazeve të saja. Për shkak të dinamikave dhe rutinës së përditshme, shpesh harrojmë se si kanë qenë marrëdhëniet me më të rinjtë e familjës. Filmi “Motra” përmes ilustrimeve të jetesës së zakonshme na provokon kujtesën dhe thërret në kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve njerëzore. Në fakt, djaloshit në moshën katër vjeçare nuk i ka lindur motra. Për shkak të planifikimit familjar edhe një fëmijë në shtëpi do të ishte e pamundur të kapërthehet. Fëmiun e abortojnë dhe rritja në vetmi e djaloshit karakterizohet me imagjinimin e të pasurit një motër. Jashtëzakonisht e rëndësishme është se si prindërit komunikojnë me fëmijët, sidomos për çështje të të rriturve. 

Një burrë në të tridhjetat është ende duke jetuar me nënën e tij. Rutina e bezdishme ia ka humbur prekjen me realitetin. Të vetmet atraksione që bëjnë ata janë sesionet e bajatshme të karaokeve, kohë pas kohe. Lidhja e tij e çuditshme me nënën e bën atë të varur nga ajo. Të vetmin moment shpëtimi pa të ai e shfrytëzon për t’u çliruar nga djajtë e tij të brendshëm. Çlirimi nga rutina e shndërron atë në një gjandërr të përbindshme. Metamorfoza (Metamorphosis) e regjisorëve Juan Fran Jacinto dhe Carla Pereira dhe e bazuar në disa motive të librit të Franz Kafkes me të njëjtin emër, është kritikë e drejtëpërdrejt e marrëdhënieve zotruese që kultivojnë njerëzit ndaj njerëzve, nënat ndaj fëmijëve, burri ndaj gruas dhe anasjelltas.

Valton Marku

 

Related