5 vjet më parë

Filmi i animuar “Away” shfaqet në Anibar

“Away” është njëri prej tre filmave të animuar të metrazhit të gjatë që vijnë për herë të parë në Kosovë përmes ekranit të kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit të animacionit Anibar.

“Away”, së bashku me filmin “The Tower” të regjisorit norvegjez, Mats Grorud, dhe me “Ruben Brendt, Collector” të regjisorit nga sllovenia, Milorad Krstic, garojnë për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë në nivel ndërkombëtar.
Filmi “Away”, është një histori klasike e rikthimit në shtëpi, i cili përcjellet nga aventurat e një djali me motor, i cili njëherit tejkalon barrierat e ndryshme fizike dhe metafizike përmes ndihmës së mikut të tij të vogël. Me pamjet mbresëlënëse të skenave të animuara që paraqiten në rrugëtimin e djaloshit, e që janë pyjet, shkretëtirat, shpellat dhe peisazhet detare, ato sjellin tek ne ndjesi mahnitëse gjersa shikojmë filmin.

Regjisori dhe animatori, Gints Zilbalodis, edhe pse vetëm 25 vjeçar është shumë i suksesshëm dhe ka shumë përvojë në realizim e filmave të animuar. Magjepsja e tij me filmat ka nisur qysh në moshë të re, ndërsa filmat klasik dhe ata të shkurtër kanë ndikuar në formësimin e tij. Ai ka realizuar dhe publikuar shtatë filma të animuar në media të ndryshme, duke përfshirë animacione me vizatime, animacione në 3D si dhe animacione në “live-action”, ndërsa ai shpesh ka përzier karakteristikat e këtyre stileve. Dy filmat e tij që i kanë sjellë veçanërisht shumë vëmendje nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare janë: “Priorites” dhe “Inaudible”.

“Away”, është një film që zgjatë 75 minuta dhe është njëri prej projekteve të cilat regjisori ka arritur t’i realizoj i vetëm, duke mbuluar regjinë, skenarin, animacionin, madje edhe muzikën e filmit e çkado tjetër. Arsyeja kryesore që regjisorin e ka shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë, jo pak të guximshëm dhe sfidues, sipas regjisorit është “dëshira të mësoj të gjitha aftësitë e kërkuara në krijimin e filmave”.

Premiera botërore e filmit u shfaq në “Animafest Zagreb 2019”, ndërsa menjëherë pastaj u shfaq edhe në “Annecy Animation Festival” të Francës, ku është shpërblyer me çmimin “Contrechamp” (2019). Filmin “Away” do të keni mundësi ta shihni përgjatë ditëve të festivalit të këtij viti në Anibar, në kuadër të garës për kategorinë e filmave më të mirë të metrazhit të gjatë.

“Away” do të shfaqet në ditën e katërt të festivalit Anibar, përkatësisht me datën 18 korrik nga ora 16:00, në kinemanë që tashmë është vendi bazë që do të shfaq të gjitha filmat e programit “Feature Films”, pra në kinemanë “Jusuf Gervalla”.

Related