5 vjet më parë

Animacioni Bashkëkohor Hungarez

Kuruar nga Orsolya Láng

Orsolya Láng ka kuruar një program me tetë filma të shkurtër të cilat mund të lexohen si ese vizuele për gjendjen mendore të hungarezëve të rinj. Ata kanë sy të mprehtë për aksidente të zakonshme dhe për mistere të pazgjidhshme të jetës së përditshme. Vërehet pikëllimi tek pikëpamjet e tyre mbi ekzistencën urbane ndërsa ëndërrojnë tash e sa kohë për vende të largëta. Vendimet duhet të merren, rrugët duhet të zgjedhen, por duket se ata nuk mund të mbledhin veten e tyre. Asnjë zgjidhje nuk është më e mirë se tjetra. Në fund, ata… por për cilin fund po flasim? Shumica e këtyre filmave nuk kanë ndonjë përfundim. Ato pezullohen në dykuptimësi. “Përzgjedhja ime është e bazuar në kritere subjektive”, tha më pas Orsolya Láng. “Preferoj të punoj rreth gjërave që pasqyrojnë pyetjet tona: Gjenerata ime nuk e di se ku të vazhdojë, si ta tejkalojë situatën në të cilën kemi ngecur. Filmi i saj, “Off Season”, është një shembull i mirë i kësaj dhe flet për një plazh të shkretë, të vizatuar dëshpërimisht në detaje, ku vera është larg dhe dashuria mbetet një premtim që nuk arrinë kurrë.

Shumica e animatorëve të këtij programi ishin studentë të universitetit për art dhe dizajn “Moholy Nagy”. Puna e tyre ishte shfaqur në “Primanima”, një festival për studentë që mbahet në një qytet jashtë Budapestit, ndërsa Láng është pjesë e asaj ekipe. “Departamenti i animacionit brenda universiteti është mjaft i mirë”, theksoi Lang. “Drejtori është vetë animator, dhe ne kemi pasur fatin e mirë të udhëheqemi nga një dramaturg dhe konsulent i shkëlqyer”. Rezultatet ishin mahnitëse. Filmat që i pamë ishin vizualisht të maturuara, në tërë diversitetin e tyre. Ato dalloheshin nga intriga dhe tensioni, dhe ishin fortifikuar nga tingujt dhe editimet e sakta. “Volcano Island” e Anna Kata Lovrity ishte e bukur në kompozicionet e saja të plota që pasqyronin jetën e egër përfundi vullkanit gjëmues. “Ebond” e Judit Wunder, një fabul e gjallë dhe melankolike e dashurisë dhe maceve. Në “Not Yet” të Timea Vargas, që karakterizohet me stilin e saj të çuditshëm vizuel, një djalë i vogël dhë nëna e tij jetojnë bashkë si të huaj. “Take Me Please” e Olivér Hegyi është film i ngatërruar dhe i çorientuar, si në stil ashtu edhe në përmbajtje, sepse djaloshi i filmit nuk mund të mbledh veten dhe përfundon, epo… ku saktësisht? Animacioni bashkëkohor hungarez mund të mos jetë vendi më i lumtur në botë tani për tani, por bukuria e saj është e pamohueshme.

(Përktheu Valton Marku)

Related