3 months ago

Përmbledhje e frikërave dhe shpresave të garës së katërt të studentëve

Në garën katërt të filmave të studentëve, shfaqen nëntë filma të ndryshëm, si për nga teknika ashtu edhe për nga tema që trajtojnë, por një gjë është e sigurt: secili sekond i tyre ngërthen nga një mesazh dhe i bën ato të pakalueshëm.

“Më duro” (Bear with Me), “Alef B’Tamuz”, “Perëndimi pyet, Lindja përgjigjet” (West Questions East Answers”, “Rizoma” (Rhizome), “Anima Poetike” (Poetika Anima), “Babeli modern” (Modern Babel), “Kafshët” (Animals), “Zinxhiri ushqimor” (Food Chain) dhe “Politika e Strucit” (The Ostrich Politic), janë të nëntë filmat që do të shfaqen në garën e katërt. Shumëllojëshmëria e tyre prek keqkomunikimin, dashurinë, konsumin, kaosin, kafshërinë; frikërat dhe shpresat tona në përgjithësi.

Kaosi

Për shkak të individualitetit të theksuar, shoqërite tona dita-ditës po rrëshaqsin në egërsi kafshërore. Filmi “Kafshët” (Animals) i “The Animation Workshop”, flet për këtë fenomen shoqëror që është gjithnjë e në rritje. Një grup njerëzish në një metro, ngujohen aty sepse nuk hapen dyert. Ngjarja nis zakonshëm, me tipe njerëzisht në përputhje me rutinën e tyre. Në momentin që u cenohet rutina, fillon lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Kaosi bashkë me perversitet njerëzore merr formë, ndërsa rezultati në fund mbetet i njëjtë, sa për të na thënë se kështu zakonisht ndodh kur triumfon frika. 

Kaosi shfaqet edhe në filmin “Rizoma” (Rhizoma) të regjisorit Santiago Perez Rodriguez, ku sipërfaqësohet pa narrativë industria në më të mirën e vet, përmes zhurmave që krijon gjenerimi i energjisë elektrike, një qeni që vrapon dhe çrregullit në përgjithësi.

Keqkomunikimi

Përplasjet mes gjeneratave dhe kulturave lënë pas vete shumë boshllëqe. Këtë boshllëk e ka vizualizuar dokumentari i animuar eksperimental “Perëndimi pyet, Lindja përgjigjet” (West Questions East Answers”, i regjisorës Dal Park. Keqkomunikimi mes gjyshës së lindur në Korenë e Jugut dhe mbesës se saj të lindur në Gjermani është i dallueshëm. Dallimi kulturor e i moshës lë shumëçka të pakuptuar. Frika e keqkomunikimit përcjellë edhe sot gjeneratë pas gjenerate. Ky film është pasqyrim i frikës së këtij boshllëku.

Konsumi

Filmi “Zinxhiri ushqimor” (Food Chain) dhe “Babeli modern” (Modern Babel) kanë një të temë përbashkët: konsumerizmin. Që të dy filmat shfaqin zellin e tepruar shoqëror për konsum, pavarësisht shkakut e pasojave. Te “Zinxhiri ushqimor”, regjisori vë në pah në mënyrë perverse prodhimin e ushqimeve tona ditore, si dhe me po aq perversitet shpërfaq konsumin e tyre të egër. Ai gjithashtu ravijëzon frikën e asaj që njihet si “frika e humbjes”, normë kjo që udhëzon të konsumohet pa shumë pyetje dhe për hir të konsumit. Ndërkaq te “Babeli modern” (Modern Babel), përveç konsumit, në mënyrë ilustruese shfaqet transformimi i një gruaje shtëpiake në kafshë, sa për të na dhënë edhe këtu mesazhin se pavarësisht degjenerimeve shoqërore, pëherë ka shpresë që të pikëpyetet shoqëria.

Dashuria

Më duro”, (Bear with Me), një dokumentar i animuar i Daphna Awadish, trajton një temë të dhimbshme: atë të largimit nga shtëpia për hir të dashurisë si dhe dashurinë në distancë. Përmes intervistave të të dashuruarve, pasqyrohet hapi i ndërmarrë i tyre që mund të vlerësohet se është hap në gjysmë errësirë. Ndërsa në film, personazhet pasqyrohen si arinj që kryesisht enden. Vendosja e hapit në gjysmë errësirë, vetëm po ta mendosh të frikëson. Mundja e frikës në çift ka si parakusht trasimin e rrugës së lumturisë. Këtë na e thotë filmi.

 “Anima Poetike” (Poetika Anima) e regjisorës Kriss Sagan, në anën tjetër, flet për transformimin e një gruaje, përmes thyerjes drejt fuqizimit të qenies së saj. Duke ilustruar vizualisht dhe pa narracion, në këtë film na dalin ngjarje të shkapërderdhura të formësuara nga përvojat e jetës së saj personale. Dashuria për veten është parakusht i shpresës për të qenë i/e lirë. Kështu na thotë edhe ky filmi tjetër. 

Tre pelegrin vizitojnë varrezat e prijësve fetar që kanë vdekur shumë kohë më parë (“Alef B’Tamuz” – Yael Reisfeld). Secili në gjendjen e vet fizike e mendore, fillon ritualin e zakonshëm përballë varreve ku luten. Papritur fantazmat e tre të vdekurve hyn në trupat e pelegrinëve. Një festë e çmendur përshkon atë vend. Dashuria për të vdekurin, sidoqoftë e ka njëfar marifeti, jashta ritualeve, përmes kujtimit të përhershëm për ta. Ky film i tretë për nga radhitja, na thotë kështu.

Shpresë dhe frikë

Politika e strucit” (The Ostrich Politic) e regjisorit Mohammad Houhou, jep shpresë dhe frikë. Frikë, sepse kodifikohet një politikë e mbrapshtë që konteston biologjikën e strucave, shpresë, sepse paria udhëheqëse shtetërore punon vis-a-vis me gjetjet e fundit shkencore. Filmi nis me propozimin e një shkenctari struc i cili konteston veprimin instinktiv të strucave, që është mbulimi i kokës. Pasi vendoset një rregull i tillë, shpërthen kaosi, dhe politika kthehet mbrapshtë. Shtjellimi gjashtëminutësh i kësaj çështje në film, jep më shumë shpresë se sa frikë.

Si përfundim, thuhet se frika dhe shpresa janë të lidhura për kërthize. Kështu na pohon edhe leximi më i thjeshtë i listës së filmave të sipërpërmendur. Në dashuri, ka shpresë dhe frikë; në konsum, ka shpresë dhe frikë; në keqkomunikim, ka shpresë dhe frikë; madje edhe në kaos ka shpresë dhe frikë. Ama, detyrë sublime e shoqërive tona është triumfi ndaj frikërave dhe shpresimet e larta.

 

Valton Marku

 

Related